Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC-i i Lanabregasit, 25 mln lekë fitim në muaj

Rreth 25 milionë lekë është fitimi mujor i hidrocentralit të Lanabregas, nga prodhimi i energjisë elektrike. Florian Pullazi, administrator i këtij HEC-i, në një prononcim për SCAN theksoi se, 2016-a ka qenë viti më i mirë i prodhimit të energjisë, rreth 37 milionë kilovat/orë, nga 40 milionë që është kapaciteti në total.

Nga fitimi vjetor i vitit të kaluar, 50% i kalojnë pronarit të vetëm të HEC-it të Lanabregasit, Ujësjellës Kanalizime Tiranë. Pullazi shtoi se prodhimi varet nga sasia e ujit dhe se vera është më problematike për shkak të thatësirës.

“Teknikisht jemi në punë 8400 orë, në një kohë kur hidrocentralet e tjera në Shqipëri mesa kam unë informacion, nuk e bëjnë këtë prodhim, sepse duke u varur nga basenet e tyre, nga ujëmbledhësit që ata kanë nuk janë në shfrytëzim 24 orë. Ne prodhojmë diku te 25 milionë lekë në muaj energji elektrike, pra duke bërë llogari gjysmën e kësaj fature ne ja paguajmë Ujësjellësit të Tiranës, pasi Enti Rregullator i Ujit ka vendosur një çmim shumë kohë përpara. Kështu ne i paguajmë ujësjellësit çdo metër kub që përdorim për prodhimin e një kilovat energjie në orë”.

Sipas Pullazit, ky HEC është gati për të konkurruar me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, pasi i plotëson të gjitha kushtet.

“Ne jemi të gatshëm dhe kemi bërë edhe investimet e duhura duke bërë matjen elektronike, kemi kthyer ato matjet e vjetra dhe në saj të performancës së mirë, duke krijuar të ardhura dhe ne kemi bërë investim për sa i përket matjes, duke ecur njëkohësisht me tregun e energjisë elektrike dhe duke plotësuar të gjithë ato kushte që kërkon liberalizimi i tregut të energjisë. Jemi të gatshëm tanimë si hidrocentral. Ne përpara disa muajsh kemi ndërmarrë këtë investim. Në momentin që tregu do të liberalizohet edhe për ne është më e mirë situata në rast se do të shesim në oraret pikut, që çmimi i energjisë do të jetë më i shtrenjtë”, tha Pullazi.

HEC-i i Lanabregasit është ndërtuar gjatë viteve 1948 dhe ka filluar prodhimin e energjisë elektrike në vitin 1951. Ky HEC furnizohet nga burimet e Shën Mërisë dhe Selitës. Kapaciteti i instaluar është 5 MegaWatt. Pas vitit 2012, HEC-i i Lanabregasit kaloi në pronësi të Ujësjellës Kanalizime Tiranë.

Scan Tv,  20.07.2017