Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Thatësira, të ardhurat e KESH bien me 71%

Mungesa e reshjeve gjatë këtij viti, përveçse ka vënë në vështirësi sigurinë për furnizimin e vendit me energji, ka ndikuar ndjeshëm në përkeqësimin e bilancit financiar të kompanive energjetike.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) raportoi se të ardhurat në tremujorin e parë të vitit 2017 ishin vetëm 1.8 miliardë lekë në krahasim me 6.4 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rënie 71%.

Rënia e të ardhurave dha efekte zinxhir edhe në rënien e fitimeve. Në tremujorin e parë, fitimet neto të KESH ishin 446 milionë lekë, me një rënie vjetore 3%.

Edhe pse moti ka vënë në vështirësi aktivitetin e KESH-it, i cili pjesën dërrmuese të të ardhurave i nxjerr nga shitja e energjisë që prodhohet nga HEC-et, kryesisht mbi lumin Drin, Korporata ka siguruar një fitim neto prej të paktën 3,2 milionë eurosh për tremujorin e parë.

Sipas të dhënave nga pasqyrat financiare, KESH vijoi të mbartë detyrime në formën e overdrafteve ndaj bankave në vlerën e 30 miliardë lekëve.

Përkeqësimi i bilancit të KESH lajmëron një situatë të ngjashme edhe për kompanitë e tjera të sektorit, sidomos për OSSHE. Kompania shtetërore e shpërndarjes së energjisë, ka trefishuar shpenzimet për importet energjisë në krahasim me një vit më parë, për shkak të mungesës së prodhimit vendas. Baseni i Fierzës është drejt kuotave minimale me 271 metër, ndaj furnizimi i vendit me energji nga importet do të vijojë deri në reshjet e bollshme.

Në një situatë të përkeqësuar financiare do të jenë dhe bizneset private të energjisë. Kompanitë e sektorit që vitin e kaluar patën rezultate të mira financiare për shkak të reshjeve duket se nuk do të jenë më në këto kushte. Uji është lënda e parë që siguron të ardhurat e tyre, ndaj ky vit i thatë do të vërë në vështirësi shumë prej tyre, shumica e objekteve janë ndërtuar me kredi bankare dhe mungesa e të ardhurave për shkak të prodhimit të limituar do të krijojë vështirësi në shlyerjen e kësteve në afate.

Revista Monitor,  19.07.2017