Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

AKBN: Subjektet minerare të deklarojnë online

Subjektet minerare në vend kanë detyrimin e vetëdeklarimit online të tremujorëve në zbatim të një urdhri të miratuar vitin e kaluar nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë. Në një njoftim të saj Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës bën me dije se afati i fundit për deklarimin e tremujorit të dytë 2017 është 15 korriku dhe kjo duhet të respektohet nga të gjithë subjektet që operojnë në sektorin minerar.

Njoftimi i AKBN

Në vijim të detyrave që kanë subjektet e pajisura me leje minerare në zbatim te Ligjit Nr. 10304 datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar,  veçanërisht  të Urdhrit të Ministrit 201, datë 20.6.2016, “Për miratimin e formës së informacioneve tremujore, vjetore përfundimtare dhe përmbajtjen e planit vjetor të punës nga ana e zotëruesve të lejeve minerare të shfrytëzimit me karrierë  për grupin e mineraleve ndërtimorë”, (Urdhëri nr. 202 për mineralet metalorë), në zbatim të këtij urdhri,  rikujtojmë subjektet minerare që të respektojnë afatin kohor për vetdeklarimet online. Afati i vetdeklarimeve për  tremujorin e dytë të vitit 2017, është nga data 1-15 Korrik 2017.

Për çdo paqartësi dhe informacion të nevojshëm, subjektet janë të lutur të kontaktojnë specialistët e Sektorit të Koordinimit të Produktit Final në Drejtorinë Minerare

Urdhri, 100 mijë lekë gjobë

Në 20 qershor 2016 Ministria e Energjisë nxorri një urdhër që detyron subjektet minerare të vetëdeklarojnë online për aktivitetin e tyre tremujor dhe atë vjetor. Në rast se kjo nuk respektohet atëherë ndaj subjektit që nuk ka përmbushur detyrimin vendosen masa administrative.

“Formati i informacionit tremujor për veprimtarinë minerare të realizuar nga zotëruesi i lejes minerare të realizuar nga zotëruesi i lejes minerare të shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret, bitumet, duhet të jenë në përputhje me formatin e përshkruar në aneksin 1 të këtij urdhri. Ky informacion duhet të dërgohet online pranë institucionit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve të Natyrës jo më vonë se data 15 e muajit që vijon çdo tremujor kalendarik vjetor. Mosdergimi në afat i këtij informacioni dënohet me masën administrative gjobë prej 100 mijë lekësh për çdo shkelje në përputhje me nenin 45 pika ç e ligjit nr. 10 304 datë 15.07.2010 ‘Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë’,  të ndryshuar” thuhet në urdhrin e ministrisë.

Situata 2016

Raportimi online filloi në vitin 2015 në mënyrë vullnetare për subjektet minerare. Deri në fund të 2015 nga 645 subjekte online raportonin vetëm 225.

Situata duket të ketë ndryshuar dukshëm në vitin 2016 kur nga 685 subjekte që ushtrojnë aktivitetin në sektorin minerar deklaruan 566.

Revista Monitor,  13.07.2017