Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Panelet diellore që prodhojnë ujë të pijshëm

Sektori i paneleve fotovoltaike është duke pësuar ndryshime të rëndësishme kohët e fundit. Në Australi, për shembull, një grup kërkuesish ka patentuar bojën diellore, ndërsa Elon Musk, me kompaninë e tij SolarCity ka komercializuar tjegullat diellore.

Por nga Shtetet e Bashkuara vjen një tjetër risi që mund të ndryshojë gjithë sektorin: Panele diellore që prodhojnë ujë të pijshëm. Këto panele të veçanta mund të zgjidhin dy probleme në një: mungesën e ujit dhe prodhimin e energjisë “së pastër”.

Ideja vjen nga një kompani startup amerikane, Zero Mass Water, që ka realizuar një sistem që kap avullin e ujit dhe e shndërron në ujë (thuajse) të pijshëm.

Si funksionojnë panelet diellore Zero Mass Water?

Pamja e jashtme ndonjëherë mund të gënjejë. Në pamje të parë, panelet Zero Mass Water, ngjajnë me panele normalë fotovoltaikë, që prodhojnë energji elektrike nga dielli. Por në të vërtetë, nuk është kështu.

Në fakt, falë një sistemi të veçantë të krijuar nga Cody Friesen, inxhinier në Universitetin e Arizonës dhe drejtues i startup, panelet diellore, përveçse prodhojnë energji dhe nxehtësi, kapin lagështirën në ajër dhe e shndërrojnë në ujë në gjendje të lëngshme. Rezultatet janë mbresëlënëse me disa panele të montuara nëpër botë.

Ku mund t’i montoni panelet Zero Mass Water

Panelet e kompanisë startup amerikane mund të montohen në çdo vend, por në disa zona janë më efikase. Në fakt për të prodhuar një sasi të konsiderueshme uji (paneli diellor mbledh mesatarisht 5 litra ujë në ditë) është e nevojshme që klima të ketë shumë lagështirë dhe me shumë avuj uji. Në zonat e thata, paneli i krijuar nga Zero Mass Water nuk arrin të funksionojë mirë.

Çdo panel arrin të mbledhë maksimumi rreth 30 litra ujë, që për t’u bërë i pijshëm është e nevojshme t’i shtohen disa minerale që rrisin pH e lëngut.

Sa kushton të instalosh një panel Zero Mass Water?

Kompania amerikane nuk jep shifra të sakta për të përcaktuar koston e instalimit të një paneli diellor. Të vetmet të dhëna lidhen me kohën e amortizimit të shpenzimeve që llogariten në rreth 2-4 vjet. Pra kostoja totale e një paneli duhet të arrijë në rreth 2 mijë euro. Për momentin panelet janë instaluar në zona të largëta dhe të varfra, ku është thuajse e pamundur të gjesh ujë të pijshëm.

Revista Monitor,  23.06.2017