Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP përfundon transportin detar të 13000 tubave

Më datë 16 qershor u shkarkua në Portin e Durrësit sasia e fundit e tubave që do të përdoren për ndërtimin e segmentit tokësor të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) në Shqipëri, sipas njoftimit zyrtar nga kompania.

Në më pak se 15 muaj që nga mbërritja e tubave të parë në Shqipëri, nga anija MV Galene M u shkarkua ngarkesa e fundit prej 726 tubash. Kjo ishte anija e 15 që ka transportuar tubat e çelikut nga Gjermania, ku janë prodhuar. Rreth 13,000 tuba, bërryla dhe makineri të ndryshme, me peshë totale prej më shumë se 200,000 tonësh, janë shkarkuar në Portin e Durrësit që nga muaji prill i vitit të kaluar.

Karl Roberts, Menaxher i Projektit TAP për Shqipërinë, tregon se: “Shkarkimi i tubave dhe bërrylave ka qenë një operacion i organizuar me saktësi të lartë. Tubat janë transportuar deri në Durrës nga kontraktori i TAP, Salzgitter Mannesmann International GmbH, duke përdorur kompaninë INTRAHA Reederei-Kontor GmbH e cila ka qenë përgjegjëse për transportin detar, shkarkimin dhe transportin deri në sheshin kryesor të magazinimit. Falënderime për mbarëvajtjen e këtij procesi i takojnë edhe Diamant Logistics, një nënkontraktor i rëndësishëm në transportin e tubave..”

 “Më tej tubat dhe bërrylat janë shkarkuar dhe kontrolluar në sheshin kryesor të magazinimit nga ana e Spiecapag. Virtualisht i gjithë procesi i transportit brenda vendit është kryer nga kompani vendase dhe TAP është shumë krenar që të gjitha aktivitetet janë përmbyllur pa ndonjë incident.” shtoi Roberts.

I gjithë procesi është kryer brenda afateve të përcaktuara dhe duke zbatuar standardet më të larta të sigurisë teknike. Nga sheshi  kryesor i magazinimit, tubat janë transportuar drejt shesheve lokale të magazinimit, pranë kantiereve të ndërtimit përgjatë gjurmës së gazsjellësit.

Dërgesa e fundit detare shënon përmbylljen e një faze tjetër shumë të rëndësishme në ndërtimin e gazsjellësit.

Të dhëna dhe fakte mbi tubat e TAP

  • Gjatësia e pjesës tokësore të Gazsjellësit TAP në Shqipëri është 215 km.
  • Rreth 13’000 tuba me gjatësi 18 dhe 12 metra do të përdoren për ndërtimin e seksionit tokësor në Shqipëri.
  • Diametri i tubave është 1.2 m.
  • Pesha e një tubi të vetëm prej 18 metrash shkon nga 9.3 tonë në 16.3 tonë (në varësi të trashësisë së tubit).
  • Pesha totale e tubave për seksionin tokësor në Shqipëri është rreth 123’795  tonë, (afërsisht 17 herë më shumë se pesha e Kullës Eifel).
  • Mbi 800 bërryla do të përdoren në Shqipëri.
  • Tubat janë prodhuar nga kompania gjermane Salzgitter Mannesmann International.

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, Azerbajxhan, në Europë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP), në kufirin turko-grek në Kipoi, do të kalojë përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të përmirësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Europës Juglindore përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe vende të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa prej tregjeve më të mëdha evropiane, si në Gjermani, Francë, Britani e Madhe, Zvicër dhe Austri.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, gjatë gjithë gjurmës së gazsjellësit. Ai do të jetë një burim i madh investimesh të huaja direkte dhe nuk varet nga grante, apo subvencione. Pas fillimit të tregtimit të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, synuar të nisë në fund të vitit 2018, sasia e parë e gazit do të mbërrijë në Evropë përafërsisht në fillim të vitit 2020.
Aksionarë të TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Revista Monitor,  21.06.2017