Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konsumi i naftës do arrijë 100 mln fuçi në ditë

Rritja e ofertës së naftës vitin që vjen pritet të kalojë një përshpejtim të kërkesës që do të çojë konsumin global mbi 100 milionë fuçi në ditë për të parën herë, deklaron Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Agjencia me seli në Paris, bëri të ditur se prodhimi brenda Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës do të rritet dy herë më shpejtë në 2018-ën, krahasuar me këtë vit, ku OPEC dhe 11 vende kanë arritur në dakordësi për të limituar prodhimin.

“Për totalin e prodhimit përjashtuar OPEC, presim një rritje me 700 mijë fuçi në ditë për këtë vit. Në 2018-ën, presin që shifra të rritet në 1.5 milionë fuçi në ditë, që është sipër projeksioneve të rritjes së kërkesës globale”, shkruan Agjencia në Raport.

Inventarët në vendet më të industrializuara të botës u rritën në Prill me 18.6 milionë fuçi në 3.04 miliardë, nxitur nga aktivitetit të shpejtë më rafineri dhe importet. Agjencia deklaroi se stoqet janë 292 milionë fuçi sipër mesatares 5-vjeçare.

OPEC dhe 11 eksportues rival përfshirë Rusinë, ranë dakord të shtyjnë në kohë uljen e prodhimit prej 1.8 milionë fuçi në ditë deri në muajin Mars 2018, në mënyrë që të reduktojnë inventarët global.

Agjencia theksoi se duhet durim që të arrihet ribalancimi në tregun e naftës, pasi veprimet aktuale nuk po japin një ndikim të shpejtë. Që prej datë 25 Maj, kur OPEC dhe partnerët ranë dakord të zgjerojnë uljen e prodhimit, çmimet e naftës kanë rënë me 12%, pasi inventarët nuk kanë treguar rënie.

Një faktor që shfuqizon përpjekjet e Organizatës së Vendeve Eksportuese është rritja e prodhimit nga Shtetet e Bashkuara dhe Agjencia projekton se kjo do të vazhdojë ashpër deri në vitin që vjen.

Projeksionet për këtë vit për SHBA janë rishikuar në rritje me 90 mijë, duke prekur 13.1 milionë fuçi në ditë.

Scan Tv,  16.06.2017