Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MEI padit kompanitë që nuk kanë aktivizuar HEC-et

Ministria e Energjetikes ka çuar në gjykatë kompanitë që kanë marrë leje koncensionare për të ndërtuar HEC-e dhe nuk i kanë aktivizuar ato.

Historia ka nisur qysh në vitin 2008 kur për shkak të politikes së atëhershme shume kompani morën leje për të zhvilluar koncesione, por shumë nga këto kompani i kthyen në biznes lejet e koncesioneve duke i rishitur më pas.

Ky është rasti i kompanisë “Korsel” të cilën Ministria e Energjetikes e ka paditur në gjykatën administrative duke i kërkuar t’i paguajë penalitetin në masën 5% të vlerës së prodhimit të parealizuar për vitin 2012, për mosrealizim në kohë të prodhimit për vitin 2012, referuar nenit 18/4 të kontratës koncesionare, në shumën 1,174,706. Bashkë me këtë Ministria e Energjisë kërkon ti paguhen kamatëvonesat e përllogaritura për këto detyrime, në shumen 67, 940 leke.

Kompania Korsel e pati nënshkruar kontratën e koncesionit të tipit (BOT) në vitin 2008 për ndërtimin e Hidrocentralit Çarshovë në zonën e Korçës.

Fuqia e instaluar e objektit ishte 1200 kilovat me një vlerë investimi 83 milionë lekë .

Kontrata e ka që nëse për shkelje të afatit të ndërtimit, kompania penalizohet me 0.05% të investimeve të munguara për çdo ditë vonesë për fillimin e punimeve koncensionari penalizohet me 10 000 lekë. Gjithashtu kontrata e ka që kompania të penalizohet me 5% të vlerës së prodhimit të parealizuar.

Duke filluar prej vitit 2002 deri më sot janë firmosur 183 kontrata koncesionare për ndërtimin e 524  hidrocentraleve me kapacitet 2165 MW dhe prodhim vjetor 9342,31 GWh.

Vetëm gjatë vitit të kaluar u vunë në punë 38 objekte të vogla të prodhimit të energjisë elektrike. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, numri i HEC-eve private arriti në 138 nga 100 të tilla që ishin në vitin 2015.

Shumë kompani që më parë ishin të fokusuara në ndërtim dhe tregti po diversifikohen në HEC-e. Tregu i energjisë së rinovueshme është i garantuar dhe kostot e prodhimit, pas përfundimit të investimit, janë të lira.

Bashkë me shtimin e numrit të HEC-eve të vogla është rritur edhe prodhimi i energjisë nga këto objekte.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi vendas, vitin e kaluar, shënoi 7,136,351 MW/h, nga të cilat 5,091,616 MW/h u prodhuan nga HEC në pronësi të KESH dhe 2,044,735 MW/h u prodhuan nga HEC-et private dhe ato me koncesion, duke zënë 28% të totalit të prodhimit vendas të energjisë.

Revista Monitor,  13.06.2017