Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mittal kërcënon pas shitjes së minierës në Ljubjanë

Prodhuesi dhe lideri në botë në fushën e prodhimit të çelikut, Arcelor Mittal ka paralajmëruar se do të anulojë një investim të planifikuar në Bosnjë dhe do të paraqesë një kërkesëpadi, në një gjykatë ndërkombëtare nëse qeveria e Bosnjës do të përfundojë shitjen e aksioneve të Minierës Ljubija te grupi investues izraelit, Overseas Inc.
Arcelor Mittal është një investitor i madh në Bosnjë dhe ka vite që shpreh interes në blerjen e 49% të aksioneve në minierën e xeheroreve në Ljubija.

Në prill të këtij viti, qeveria e Republikës Srpska vendosi t’ia shesë aksionet në minierën e hapur Ljubija kompanisë izraelite për 92 milionë dinarë (47 milionë euro), pasi ajo e tejkalonte ofertën e Arcelor Mittal që shkoi në 63.6 milionë dinarë.
Marrëveshja duhet të miratohet nga Parlamenti i Republikës Srpska, por ka hasur në kundërshtime nga opozita për shkak të frikës se kjo do të nënkuptonte një fund të marrëdhënieve me Arcelor Mittal. Më 11 maj, Komiteti i Ekonomisë i Parlamentit shtyu debatin mbi përfundimin e kësaj marrëveshje.

“Fatkeqësisht, kjo gjë (përfundimi i marrëveshjes) do të çonte në mënyrë të pashmangshme në shkurtime të shumta të vendeve të punës në Prijedor, si dhe në uzinën e çelikut të Zenicës, ku prodhimi do të kalohej në përdorimin e furrave elektrike, deklaroi kompania në një përgjigje me email për Intelli News.

Ajo shtoi se në rast se marrëveshja përfundohej, ajo do të braktiste investimet e planifikuara me vlerë mbi 120 milionë dinarë (61.4 milionë euro) në prodhimin e mineraleve të hekurit në Zenicë dhe se kompania do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të mbrojtur interesat e aksionerëve dhe punonjësve të saj, duke përfshirë edhe ngritjen e padive në gjykatat e duhura ndërkombëtare nëse do të jetë e nevojshme.
Gjithashtu prodhuesi lider në tregun botëror në fushën e prodhimit të çelikut, i ka dërguar një letër autoriteteve të Bosnjës duke i paralajmëruar në lidhje me planet e saj për ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjor nëse qeveria ia shet 64.9% të aksioneve të minierës grupit izraelit.

Në letrën e Lakshmi Mittal, pronarit të Arcelor Mittal, drejtuar qeverisë së Bosnjës dhe asaj së Republikës Srpska, thuhet se nëse kjo marrëveshje përfundohet, efektet e saj në ekonomi do të jenë shumë negative.
Në përgjigje të këtij kërcënimi, Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, u shpreh se nëse është e nevojshme edhe nga ana jonë do të kërkohet arbitrazh, duke pretenduar se Arcelor Mittal nuk i ka përmbushur të gjitha premtimet në lidhje me investimet në Bosnjë.
Edhe më parë, konkretisht në vitin 2014, Republika Srpska filloi shitjen e aksioneve të saj në minierat e hekurit të Ljubija dhe nënshkroi një marrëveshje me Grupin Investues të Izraelit – Overseas Inc për 36.5 milionë dinarë (18.7 milionë euro). Megjithatë, procedura u anulua dhe të dyja palët nuk arritën në realizimin e marrëveshjes.

Në qershor të vitit të kaluar, mediat vendase njoftuan se më në fund qeveria vendosi t’i shiste aksionet e saj kompanisë izraelite për një shumë të pazbuluar, gjë që bëri që Arcelor Mittal të fillonte një seri takimesh me përfaqësuesit e qeverisë së Republikës Srpska, duke kërkuar që të ishte ky i fundit që të blinte aksionet e minierës.

Qeveria e Republikës Srpska pastaj vendosi t’i kërkojë që të dyja kompanive t’i paraqisnin asaj oferta të reja deri më 1 korrik të 2016.
Që prej 2014-s, gjiganti në prodhimin e çelikut ka investuar mbi 154 milionë euro në modernizimin e uzinës së Zenicës në Bosnjë, e cila ishte jashtë funksionimit që nga viti 1992. Në mars të këtij viti, kompania ka nisur tri projekte të reja investimi me vlerë 12.4 milionë euro. Fabrika e Zenicës siguron vende pune për 2,400 punonjës dhe po angazhon rreth 300 kompani lokale si nënkontraktorë ose furnizues.

Miniera e Ljubijas, e cila vlerësohet në shifra tejet të larta për shkak të rezervave të mëdha që ka, ndaloi së funksionuari në 1992, kur shpërtheu lufta në Bosnjë dhe ajo rifilloi të funksiononte vetëm pas 12 vitesh kur Arcelor Mittal nënshkroi një marrëveshje strategjike me kompaninë minerare për të ngritur një kompani të re për ta drejtuar atë.

Revista Monitor,  06.06.2017