Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çfarë duhet për të vënë në punë bursën e energjisë

Kur flasim për sektorin energjetik në vend natyrshëm gjejmë një seri fjalësh me të cilat e lidhim, mes të cilave, reformimi, situata kaotike në të kaluarën, koncesionet, borxhet. Por një kuadër ligjor i miratuar në vitin 2015 solli atë që lakohet si model i ri i tregut, i cili e shtrin zbatimin në një kalendar disavjeçar. Ky model i ri, mes të tjerave, shton elementë që deri dje ishin të pakonceptueshëm, ndërsa sot, të paktën teorikisht, i kemi të përkufizuara mirë. Bursa e Energjisë është një ndër to.

E ndërsa ngjante shumë avangarde në kohën e krizës financiare të operatorëve, rritja e peshës së tregut të energjisë  në totalin e ekonomisë shqiptare e sjell si domosdoshmëri një projekt të tillë. Kjo e fundit duhet të jetë operacionale në 1 janar 2018, por edhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht gjasat janë që afati të shtyhet. Kjo pasi për ta bërë fuksionale ka nevojë për ndërhyrje ligjore dhe këto të fundit duhet të kalojnë hallkat e nevojshme institucionale që këtë vit e kanë të zënë axhendën me çështje më të ethshme, siç janë zgjedhjet dhe vetting-u. Për të marrë disa detaje më shumë “SCAN Magazine“ bisedoi me administratorin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit që do të jetë edhe operuesi i Bursës së Energjisë sipas ligjit.

Situata

“Sipas ligjit të ri të energjisë është marrë parasysh ngritja e “Power Exchange“ dhe për këtë Ministria e Energjisë dhe Industrisë së bashku me Operatorin e Sistemit të Transmetimit ngritën një grup pune që do të kishte në fokus definimin e modelit dhe krijimin e bursës. Kjo bursë, ashtu sikurse edhe është folur më herët, do të jetë një platformë që do të shërbejë për shitje dhe blerje energjie sipas parimit ‘ditë-para’. Ka pasur disa ide për krijimin e kësaj platforme, por që ajo të jetë funksionale, si kusht kryesor ka likuididetin në energji. Është e nevojshme që të krijohen kushtet e duhura që Korporata Elektronenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektike të reduktojnë kontratat mes tyre,” shprehet administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Ëngjëll Zeqo. Por çfarë do të sjellë ulja e pjesës së tregut të rregulluar? Automatikisht kjo do të thotë që do të kemi më shumë konsumatorë që do të kërkojnë të blejnë energji në tregun e lirë, duke hapur kështu rrugën për pikën e takimit mes shitjes, që në këtë rast janë koncesionarët e hidrocentraleve, pra gjithë gjeneruesit, dhe blerjes, që është kontigjenti i atyre që janë të shkëputur nga tregu i rregulluar. Të parët që do të shkëputen janë ata të lidhur në 35 kilovolt, një pjesë e mirë e bizneseve që tashmë  e kanë nisur këtë proces, ndërkohë që pritet që këtij grupi t’i shtohen edhe ata në 20, 10 dhe 6 kilovolt.

“Ne, me një mbështetje të Bankës Botërore prej 16-17 milionë euro, jemi duke punuar për një sistem të ri që po instalohet tek konsumatorët e mëdhenj, të cilët do të jenë blerësit e ardhshëm në bursë. Kjo është një pjesë e rëndësishme e punës dhe krijimit të kushteve për funksionimin e bursës”, vlerëson Zeqo.

Nevoja për ndryshime ligjore

Për administratorin e OST, që do të jetë edhe operatori i ngarkuar me funksionimin e Bursës së Energjisë, duhet që të bëhen disa ndryshime të tjera ligjore në mënyrë që të hapet rruga e ngritjes së saj. Së pari përgjegjësia duhet të jetë e ndarë vetëm tek OST, sepse sipas ligjit është edhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, dhe kjo e shpërndan përgjegjësinë. Një situatë e tillë me dy insitucione përgjegjëse vështirëson hapat e tjerë që lidhen me krijimin e platformës. Dy janë mënyrat që mund të funksionojnë, ose shërbimi i softit duhet që të prokurohet dhe të kalojë nën menaxhimin e OST, ose të parashikohet një bashkëaksioner që ka ekspertizën e nevojshme në këtë fushë, dhe emri që është lakuar është kompania “Norpool“. Propozimet për ndryshime ligjore janë dhënë edhe nga konsulentët në proces që në këtë rast janë Sekretariati i Komunitetit të Energjisë si dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare. Aktualisht janë bërë edhe propozimet e nevojshme për ndryshimet ligjore, të cilat kanë kaluar në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, si dhe ministri të tjera të linjës për mendim.

Marrëveshja me KOSTT

Pengesat burokratike janë diçka e zakonshme për shumë procese dhe kur kësaj i shton edhe dozën e një eksperience të re, kjo sigurisht që bëhet më e komplikuar. Por duket se Operatori i Sistemit të Transmetimit nuk ka qenë indiferent në lidhje me krjimin e terrenit të duhur për një Bursë Shqiptare të Energjisë. Dhe interesi ka qenë përtej kufirit tonë duke joshur edhe KOSTT-in e Kosovës.

“OST ka ecur në bisedime dhe një memorandum me KOSTT për t’u bërë pjesë e kësaj nisme është duke u diskutuar. Për çdo rast ne do të jemi të hapur që ata të jenë bashkëaksionerë në bursë duke garantuar që Shqipëria dhe Kosova vetëm përmes operatorëve të transmetimit të kenë mbi 50 për qind të aksioneve në bursë, me shumë mundësi fillimisht 75%. Interes për t’u bërë aksionere ka shfaqur edhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC). Bursa do të jetë e hapur për çdo subjekt që do të shfaqë interes për të blerë aksione, por kjo vlen për të gjithë subjektet që nuk kanë konflikt interesi, pra nuk janë të përfshirë në treg në mënyrë të drejtpërdrejtë”, shprehet administratori i OST. Vlen të theksohet se në rajon janë duke u parë mundësitë e bashkëpunimit për krijimin e bashkimit të tregjeve midis Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, të cilat do të lidhen elektrikisht në fund të vitit 2018, me ndërtimin e linjës HVDC midis Italisë dhe Malit të Zi, me një fuqi 500 MW.

Plani në afatgjatë

Ballkani synon që të krijojë një bashkëpunim rajonal në disa aspekte dhe një prej tyre është tregu i përbashkët. Edhe tregu i energjisë padyshim që mund të jetë një i tërë. Aktualisht në funksion janë disa bursa energjie si ajo e Serbisë, Kroacisë, Bullgarisë dhe më pas do të shtohet edhe ajo e Shqipërisë.

“Ideja është që të gjitha këto bursa të bashkohen në një të vetme duke na dhënë një bursë ballkanike të energjisë.  Por ngritja dhe funksionimi më vete i secilës është i domosdoshëm, sepse ato shërbejnë si themele për të ardhmen. Ngritja e një burse të vetme për gjithë Ballkanin nga fillimi në fund është pothuajse i pamundur, por bashkimi në një i atyre ekzistuese, e bën më të thjeshtë”, konfirmon Zeqo.

Në bursë mund të regjistrohen të gjithë ata që kanë një licencë që nis nga tregtimi, tek prodhimi apo furnizimi me energji elektrike.

 Transparenca si sfidë dhe përfitimet

Flasim gjatë gjithë kohës për bursë, por cilat janë përftimet që sjell ajo. Bursa e energjisë elektrike, përveç formimit të çmimit sipas parimeve të tregut të lirë, bazuar në përputhjen e kërkesës me ofertën, do të mundësojë dhe përfitime të konsumatorëve dhe pjesëmarrësve të tregut të energjisë elektrike, duke mundësuar fleksibilitet për integrimin e mëtejshëm në tregjet pan-europiane dhe bashkimin me këto tregje, gjithashtu do të mundësojë lëvizjen eficente dhe transparente të fondeve, duke pasur Bursën si palë qendrore për të gjitha transaksionet financiare energjetike.

Po në këtë aspekt as blerësi nuk do të dije shitësin dhe as anasjelltas, duke bërë që të gjithë pjesëtaret e tregut, qofshin prodhues apo konsumatorë të ndjehen të sigurt në procesin e shitblerjes. Për të mundësuar transparencën dhe imparcialitetin e Bursës së Energjisë elektrike, supervizimi, si nga ana e Entit Rregullator ashtu dhe nga Komiteti i Survejancës së Tregut, i cili përbëhet nga pjesëtarët e tregut.

Gjithashtu është e rëndësishme që Bursa Shqiptare megjithëse nuk është e detyruar, sipas parashikimeve të modelit të tregut duhet t’i përmbahet obligimeve të rregullores për transparencën e Bashkimit Evropian nr. 543/2013. Ngritja e një strukture të veçantë që do të meret me aspektin e transparencës në Bursë është jetësore.

Kjo sipas kreut të OST do të garantojë një konkurrencë të ndershme mes operatorëve çka është edhe “A”-ja  për jetëgjatësinë dhe garantimin e suksesit. Pothuajse të gjitha bursat e energjisë kanë staf të dedikuar për pjesën e transparencës, që merr informacion në kohë reale për operatorët pjesëmarrës dhe garanton një fitim të drejtë dhe të merituar duke shmangur mekanizma që ndikojnë në devijimin e konkurrencës. Edhe pse për momentin nuk jemi në fazën e ngritjes së kësaj strukture, por në atë të blerjes së softit, kjo pjesë cilësohet nga ana e institucioneve si kyçe.

OST nën MZHETTS

Në muajin mars Operatori i Sistemit të Transmetimit kaloi plotësisht nën varësinë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizimit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Më herët, ky operator ishte në fazë tranzicioni dhe varej nga dy ministri, ajo e Energjisë nën të cilën ka qenë tradicionalisht dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik sipas modelit që imponon ligji i ri “Për sektorin e energjisë elektrike”. Enti Rregullator i Energjisë njoftoi këtë ndarje duke theksuar se certifikimi final i hap rrugë Operatorit për të hyrë në funksionet e tij të plota sipas përcaktimeve që bëhen në modelin e ri të tregut. Për këtë është lënë një afat prej 12 muajsh që OST të ndjekë edhe hapat e nevojshëm që vulosin rolin e tij në treg.

Së pari duhet të emërohet një zyrtar i pajtueshmërisë. Ky i fundit do të ketë detyrën e hartimit të raporteve vjetore ku do të konkludohet mbi pavarësinë e institucionit për të vepruar pa pasur ndikime nga Ministria e Energjisë, nën të cilën janë KESH dhe OSHEE. Po kështu çdo plan për internjektorë të rinj duhet të propozohet tani nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, edhe pse në fakt këta të fundit janë plotësuar tashmë, ku i fundit ishte me Maqedoninë. Po kështu lidhur me planin e zhvillimit të rrjetit të transmetimit, do të jetë sërish Ministria e Zhvillimit Ekonomik ajo që do të japë opinion për legjilacionin primar ose sekondar në ERE. Ndarja përfundimtare nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë përshtat gjithçka edhe sipas paketës së tretë rregullatore të Komisionit Europian mbi “Unbundeling” pra ndarja e operatorëve në mënyrë që gjenerimi shpërndarja dhe transmetimi mos kenë një pronar të vetëm.

 Vonesat dhe raporti i Sekretariatit

E ndërsa për funskionimin do të duhet që të pritet për ndryshimin e ligjit, duket se vonesat nuk kanë kaluar pa u vërejtur nga Sekretariati i Energjisë. Në një raport të fundit për vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të tjerave, për Shqipërinë theksi vihet tek Bursa e Energjisë. Ngritja e një tregu kombëtar  të organizuar sipas parimit “një ditë më parë“ dhe një burse lokale është lidhur me adoptimin e amendamenteve për ligjin në Sektorin e Energjisë.

Sipas planit të veprimit të përcaktuar nga modeli i tregut, ministri duhet të kishte vendosur mbi pjesën juridike dhe strukturën e përpara datës 31 mars 2017, ndërkohë që bursa e energjisë duhet të jetë plotësisht operacionale në 1 janar 2018. Kjo nuk ka ndodhur”, thuhet në raportin e sekretariatit për Shqipërinë. Kjo vë edhe një herë në dyshim faktin që funksionimi mund të nisë në 1 janar të vitit tjetër. Në këto kushte i bie të kemi tre skenare. Skenari më shumë se optimist për 1 janarin e 2018, skenari më pak optimist për muajin e tretë ose të katërt të 2018 dhe skenari realist që me gjasa një bursë do ta kemi, por në shtator të vitit tjetër.

Scan Tv,  05.06.2017