Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Statusi i naftëtarit, çfarë ndryshon me ligjin e ri

Ligji i ri nr. 8/2017 “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit” i miratuar më 02.02.2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka për qëllim të përcaktojë statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit, dhe më specifikisht adreson pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, të drejtat dhe detyrimet që lidhen me këta punonjës, si edhe garancitë ligjore përkatëse për zbatimin e tyre.

Sipas përcaktimeve të ligjit të drejtën e statusit të punonjësit të naftës/gazit e përfitojnë të gjithë ish-punonjësit dhe punonjësit aktualë, duke filluar që nga data e fillimit të punës në sektorin përkatës. Këtu përfshihen edhe ata persona që janë aksidentuar në punë, pavarësisht kohëzgjatjes së punësimit të tyre. Gjithë personat që përfitojnë statusin do të pajisen me dëshmi zyrtare identifikimi,  sipas kritereve të përcaktuara në Vendimin e Këshillit te Ministrave nr. 425, datë 10.5.2017 “Për rregullat e organizimit, funksionimit të komisionit për dhënien e dëshmisë së statusit të punonjësve  të industrisë së naftës dhe të gazit, kriteret dhe procedurat për lëshimin e vërtetimit të posaçëm zyrtar”, komenton  Sabina Lalaj, Drejtuese e Deloitte Legal.

Një vëmendje të posaçme legjislatori i ka kushtuar pagës së punonjësve që gëzojnë statusin. Ligji përcakton se  paga e përftuar nga këta punonjës nuk mund te jete me e ulet se 150% e pagës minimale të aplikueshme në shkallë vendi.

Ligji përcakton gjithashtu kritere për trajtim financiar të posaçëm, të rezervuar për këtë kategori punonjësish ne rast papunësie apo shkëputje te marrëdhënies se punësimit. Ne rastin e papunësisë, dispozitat ligjore parashikojnë që personat, që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që kanë vjetërsi punësimi në këto sektorë, përkatësisht burrat mbi 20 vjet dhe gratë mbi 15 vjet, të cilët janë të papunë në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, kanë të drejtën, ndër të tjera, të një përfitimi financiar, jo më të vogël se 80% e pagës minimale të zbatueshme në Shqipëri.

Me tej, punonjësit që, pas hyrjes në fuqi të ligjit, dalin të papunë si rezultat i ristrukturimit të ndërmarrjes apo për shkaqe që nuk lidhen me ta, së bashku me përparësinë për punësim të ardhshëm, përfitojnë nga punëdhënësi një shpërblim financiar në masë dhe kohëzgjatje sipas përcaktimeve të kontratës kolektive të punës, por, në çdo rast, shpërblimi nuk mund të jetë më pak se 80% e pagës minimale dhe do të jepet për një periudhë për jo më pak se 3 vjet.

Një risi tjetër e ligjit është pagesa e kontributit shtesë të sigurimeve shoqërore në masën 5% të pagës bruto, kjo e ndare në 3% në ngarkim të punëdhënësit ndërsa pjesa e mbetur prej 2% do të paguhet nga punonjësi.

Trajtimi mjekësor preferencial është përfitimi tjetër i akorduar punonjësve te industrisë së naftës dhe gazit. Sipas përcaktimeve të ligjit, përfituesit e statusit të punonjësve të naftës/gazit do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore falas dy herë në vit, në institucionet shtetërore apo private në Shqipëri. Ministria përgjegjëse për shëndetësinë ndërton ose detyron shoqëritë që operojnë në industrinë e naftës dhe gazit të ndërtojnë qendra mjekësore të pajisura me aparatura mjekësore dhe mjekë specialistë që trajtojnë problematikën shëndetësore, të shkaktuar nga puna në këtë industri.

Në rast sëmundjesh që vërtetohet se vijnë drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga puna në industrinë e naftës dhe të gazit, punonjësit do të përfitojnë kurim falas në institucionet publike apo private që janë në marrëdhënie (kontraktore) me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor .

Nëse këto institucione mjekësore publike ose private, sipas kontratës me FSDKSH, nuk ofrojnë trajtimin mjekësor përkatës, punonjësit do të trajtohen në institucione të tjera mjekësore private që kanë mundësinë të ofrojnë një trajtim të tillë. Në një rast të tillë, trajtimi për ish-punonjësit do të financohet nga Buxheti i Shtetit, ndërsa ai për punonjësit aktualë nga shoqëritë ku janë të punësuar.

Gjithashtu, në rast se sëmundjet, e përmendura më lart, nuk mund të trajtohen në Shqipëri, punonjësit do të kurohen falas jashtë vendit. Në një rast të tillë, trajtimi për ish-punonjësit do të financohet nga Buxheti i Shtetit dhe ai për punonjësit aktualë nga shoqëritë ku janë të punësuar.

Përfitime të tjera, statusin e privilegjuar te këtyre punonjësve në kuadër të privatizimit të industrisë së naftës dhe të gazit në raport me kohëzgjatjen e punës, shkallën e kualifikimit e të kategorizimit të punës, si dhe  në rastet e koncesioneve që do të jepen në industrinë e naftës dhe të gazit, marrëveshja e koncesionit do të përmbajë detyrimin e koncesionarit për të krijuar një fond profesional pensioni, sipas legjislacionit në fuqi, me jo më pak se 10% të pagës bruto të punonjësve.

Revista Monitor,  26.05.2017