Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Park fotovoltaik në Lushnjë me vlerë 1 mln euro

Ministria e Energjisë është në një fazë intensive të dhënies së lejeve për ndërtime HEC-esh dhe parqesh energjie diellore që prodhojnë me kapacitet 2 MW.

Burimet zyrtare njoftuan se shoqëria AEE sh.p.k., ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë, aplikimin për ndërtimin e një parku fotovoltaik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 2 MW, në zonën Plug, Bashkia e Lushnjës.

Shoqëria AEE ka aplikuar për pajisjen me autorizim paraprak të projektit në një sipërfaqe rreth 2 hektarë, ku kapaciteti i instaluar do të jetë 2 MW, me një vlerë investimi rreth 1 milion euro.

Prodhimi i energjisë prej ujit, diellit dhe erës po tërheqin së fundmi shumë investitorë. Përveç HEC-eve, shumë kërkesa janë drejtuar në Ministrinë e Energjetikës për ndërtimin e parqeve që do të prodhojnë energji të pastër nga dielli. Shqipëria si një vend 240-300 ditë diell në vit, nuk e ka të zhvilluar prodhimin e energjisë nga burimet e diellit.

Pak kohë më parë, kompanitë ALBANIAN GENERAL ELECTRICITY SH.A. (AGE) dhe A.E. Distribution sh.p.k., aplikoi për të ndërtuar në një park fotovoltaik në zonën e Topojës në Bashkinë e Fierit me vlerë investimi 2 milionë euro.

Në gusht të vitit 2016, shoqëria “Novoselë Photovoltaic Power Plant” i ka kërkuar një autorizim paraprak Ministrisë së Energjisë për të ndërtuar një park fotovoltaik që synon prodhimin e energjisë elektrike nga rrezet diellore. Sipas projektit që kompania ka dorëzuar, synohet të prodhohen 50 MW energji për të cilat është planifikuar një vlerë investimi prej 72 milionë eurosh.

Parku është planifikuar të ndërtohet në zonën e Novoselës në Vlorë, por ndërtimi i tij, sipas burimeve nga Ministria e Energjetikës, do të kalojë në një procedurë të ndryshme nga ai i koncesioneve të HEC-eve.

Po në gusht të 2016, kompania Sun & Wind Energy Corporation, aplikoi në Ministrinë e Energjetikës për ndërtimin e dy parqeve të prodhimit të energjisë nga era dhe dielli me vlerë totale 45 milionë euro në zonën e Pilurit në Bashkinë e Himarës, me një vlerë investimi rreth 27 milionë euro.

Revista Monitor,  26.05.2017