Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP, sot një vit nga fillimi i punimeve

Sot shënohet përvjetori i parë i fillimit të ndërtimit të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), një nga projektet më të mëdha dhe strategjike të infrastrukturës energjetike (gaz natyror) në Evropë, veprimtaritë në secilin nga tre vendet pritëse po zbatohen brenda afateve dhe brenda buxhetit.

Janë arritur shumë gjëra gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit. Që nga fillimi i majit të vitit 2016:

“Për sa i përket historikut të sigurisë teknike në kantier, projekti ka nivelet më të larta botërore, ku shpeshtia e humbjes së kohës qëndron shumë më poshtë normave ndërkombëtare.

Kontraktorët e TAP-it kanë pastruar dhe sistemuar afërsisht 49% të gjurmës së projektit në Greqi dhe Shqipëri (371 km nga 765 km). Gjithashtu, 22.6% e tubave të salduara janë futur tashmë në tokë dhe janë mbuluar.

Në Itali, puna po vijon me grupin e parë të pemëve të ullirit që janë magazinuar përkohësisht në mënyrë që më vonë gjatë këtij vitit të nisë ndërtimi i mikro tunelit prej 1,5 km.

Rreth 68.5% e totalit prej 55.000 tubash, që do të përdoren për ndërtimin e tubacionit kanë mbërritur në Greqi, Shqipëri dhe Itali.

Më shumë se 5.200 persona kanë punuar për projektin në vendet pritëse të TAP-it, ku më shumë se 85% e tyre janë staf vendor.

TAP-i ka zbatuar një gamë të gjerë programesh për investime sociale dhe mjedisore (SEI) në komunitetet përgjatë gjurmës së tij. 70 projekte të tjera me një vlerë të përgjithshme prej rreth 15 milionë Euro do të prezantohen gjatë muajve në vijim. Gjithsej, TAP-i do të investojë më shumë se 55 milionë Euro në Greqi, Shqipëri dhe Itali në investime sociale dhe mjedisore”.

Drejtori i Përgjithshëm i TAP-it, Ian Bradshaw tha: “Jemi të kënaqur me performancën tonë. Për sa i përket ecurisë së përgjithshme të projektit, kemi përfunduar rreth 41% të tij, përfshirë këtu pjesën e inxhinierisë, prokurimit dhe ndërtimit. Jemi në rrugën e duhur për të shpërndarë sasitë e para të gazit nga Shah Deniz II në vitin 2020, duke u bërë kështu pjesë aktive e rrjetit energjetik evropian, duke furnizuar banesat dhe bizneset me energji më konkurruese dhe të sigurt. Jam me të vërtetë i kënaqur që sot rreth 173 km nga tubacioni i salduar, afërsisht 21 herë sa gjatësia e projektit tonë në Itali, janë mbuluar tashmë nëntokë në Greqi dhe Itali. TAP-i mbetet plotësisht i përkushtuar që të kthejë tokën në gjendjen fillestare, ose ta përmirësojë atë. Një projekt i kësaj shkalle dhe përmase do të përballet me sfida të përditshme, megjithatë, ne jemi në pozicionin e duhur për t’i trajtuar dhe administruar ato, duke punuar ngushtësisht me ekipet tona, me rrjetin tonë të furnizimit dhe bashkërisht me komunitetet”, shtoi Bradshaw.

TAP ka një program po kaq ambicioz të planifikuar për dymbëdhjetë muajt e ardhshëm. Vitin tjetër, në këtë kohë, TAP-i planifikon të përfundojë pastrimin dhe nivelimin e të gjithë gjurmës në Greqi dhe Shqipëri dhe të ketë futur në tokë (të ketë mbuluar) rreth 67% të tubave të salduar.

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP), në kufirin turko-grek në Kipoi, do të kalojë përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të përmirësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe vende të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa prej tregjeve më të mëdha evropiane, si në Gjermani, Francë, Britani e Madhe, Zvicër dhe Austri.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, gjatë gjithë gjurmës së gazsjellësit. Ai do të jetë një burim i madh investimesh të huaja direkte dhe nuk varet nga grante, apo subvencione. Pas fillimit të tregtimit të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, synuar të nisë në fund të vitit 2018, sasia e parë e gazit do të mbërrijë në Evropë përafërsisht në fillim të vitit 2020.

Aksionarë të TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

Scan Tv,  17.05.2017