info@energjia.al

Çmimet e naftës së papërpunuar shënuan rritje mestare me 1.5 për qind mëngjesin e ditës së sotme. Një rritje e tillë erdhi kryesisht pas deklaratës së ministrave të Energjisë së 2 vendeve më të fuqishme prodhuese të naftës, Arabisë Saudite dhe Rusisë, në lidhje me faktin se ndërprerja e prodhimit do të shtyhej deri në mars të 2018.

Treguesit referencë për nafën e papërpunuar europiane, Brent, u rritën me 74 cent ose 1.46 për qind dhe  tregtuan me 51.58 dollarë amerikanë për fuçi.

Treguesit referencë për naftën e papërpunuar amerikane, WTI, u rritën me 74 cent ose me 1.55 për qind dhe u tregtuan me 48.58 dollarë amerikanë për fuçi.

Indeksi i çmimeve të arit ra me 0.2 për qind dheu tregtua me 1.231.24 dollarë për onz.

Revista Monitor,  15.05.2017

Numri dy i qeverisë shqiptare, Niko Peleshi ka inspektuar punimet për rikonstruksionin e shkollës “Fuat Babani” në Bilisht që është një investim prej 400 mijë euro. Punimet kanë nisur në mars të këtij viti dhe pritet që të përfundojnë në fund të muajit maj të po këtij viti. Projekti parashikon ndërhyrje të plotë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të shkollës.

Teksa ka inspektuar punimet e nisura në këtë shkollë, Zv/kryeministri Niko Peleshi i shoqëruar edhe nga kryebashkiaku i Devollit Bledion Nallbati dhe drejtues të projektit TAP, ka vlerësuar këtë ndërhyrje e cila po financohet nga TAP duke theksuar se ky investim është pjesë e programit të investimeve komunitare dhe po bëhet realitet falë bashkëpunimit mes Bashkisë së Devollit, Qeverisë Shqiptare dhe TAP.

Në shkollën “Fuad Babani” mësojnë mbi 600 nxënës jo vetëm nga Bilishti por edhe nga fshatrat e Bashkisë së Devollit. Me riorganizimin e shkollave në këtë bashki pritet që numri i nxënësve të pësojë rritje gjatë vitit të ri mësimor.

Scan TV,  15.05.2017

Çmimet e naftës janë regjistruar në rritje të ndjeshme gjatë sesionit të parë të javës, menjëherë pas deklaratës së përbashkët të dy ministrave të energjisë, atë Saudit dhe atë rus.

Të dy këto vende, janë ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës në nivel global. Rusia dhe Arabia Saudite nënvizuan se janë të gatshme të shtyjnë deri në muajin mars të vitit 2018 marrëveshjen e shkurtimit të prodhimit.

Në çelje të sesionit të sotëm, Nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 51.88 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 48.85 dollarëve për fuçi. Në harkun e një jave, çmimet janë rimëkëmbur tërësisht nga kolapsi. Trajektorja e re e çmimeve nuk vjen si pasojë e shifrave, por si pasojë e deklaratave.

Scan Tv,  15.05.2017

Kosova ka pasuri të mëdha nëntokësore. Nga ari, argjendi, plumbi e zinku e deri te qymyri, si një prej pasurive më të mëdha.

Këto pasuri nëntokësore janë të shtrira në tërë territorin e Kosovës. Për këto pasuri ka hulumtime që janë bërë, mirëpo për shumë minerale ka nevojë për hulumtime moderne për të caktuar sasinë e rezervave nëntokësore dhe koston e eksploatimit të tyre.

Aktualisht, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (Ish- Ministria e Energjisë dhe e Minierave) në vitin 2009 ka miratuar listën e vendburimeve minerale. Janë shpallur 11 zona të interesit të pasura me minerale të çmueshme.

Ramiz Krasniqi, drejtor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale tha se Kosova është e pasur me resurse minerare, ku resurset energjetike dhe ato të metaleve me ngjyrë, paraqesin potencial të rëndësishëm për zhvillimin e gjithmbarshëm.

“Mund të veçohen linjiti, mineralet e plumbit, zinkut, argjendit dhe arit, mineralet silikate të nikelit dhe kobaltit, të hekur – nikelit, boksitit, manganit, magnezitit dhe një numër i konsiderueshëm i mineraleve jometalore, industriale dhe materialeve gjeologjike ndërtimore”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Sipas Krasniqit, në Republikën e Kosovës ari paraqitet në paragjenezë me xehe të bakrit, plumbit dhe zinkut si dhe i pastër (i vetëlindur) në depozitime aluviale të lumenjve.

“Gjer tani ari dhe argjendi janë nxjerrë vetëm nga xehet e plumb-zinkut”, tha Krasniqi. Tha se ka nevojë të bëhen hulumtime të tjera.

“Hulumtime të pakta janë realizuar në territorin e gjerë të Artanës, Junikut, në lumin Tërnavë, Dragash, në afërsi të Prekovcit (Kriva Reka), Gllamë dhe në lindje të Koretishit”, tha ai.

Në Strategjinë e Energjisë janë paraqitur sasia e mineraleve energjetike që janë nën tokën e Kosovës. Në këtë strategji thuhet se resurset e vlerësuara të linjitit në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, ndërsa 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme që nga aspekti ekonomik konsiderohen me leverdi për t’u shfrytëzuar. Basenet më të rëndësishme qymyrmbajtëse janë: Baseni i Kosovës, i Dukagjinit dhe i Drenicës.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se zonat e interesit për resurse minerale janë zona pjesërisht të hulumtuara, por që duhen hulumtime plotësuese.

“Lidhur me zonat minerale me interes të veçantë është punuar në evidentimin dhe përpunimin e dokumentacionit relevant lidhur me hulumtimet gjeologjike të realizuara në këto zona dhe janë përmbledhur në një broshurë”, thuhet në përgjigjet e dhëna për KALLXO.com.

Përveç zinkut dhe plumbit, nëntoka e Kosovës është e pasur edhe me shumë minerale të tjera.

Në strategjinë minerare thuhet se nëntoka e Kosovës është e pasur edhe me nikel dhe kobalt.

Paraqitjet dhe vendburimet e hekur – nikelit në Kosovë shtrihen nga Ivaja afër Kaçanikut në jug dhe vazhdojnë gjer në Vërbovc (Gllogoc) në veri, të cilat paraqiten në formë të thjerrëzave, shtresave dhe nënshtresave.

Në kuadër të “Ferronikelit”, e cila është privatizuar, funksionojnë dy miniera me shfrytëzim sipërfaqësor, “Gllavica”.

Në Kosovë ka edhe vendburime të xeheve të kromit, kryesisht në Minierën e Kromit “Deva”, ndërsa së fundmi janë evidencuar edhe pasuri në rajonin e Brezovicës, Jazincës, në Rahovec, si dhe në Llapçevë. Ndërsa vendburimi më i rëndësishëm i mergelëve për çimento gjendet në Han të Elezit.

Nëntoka e Kosovës është e pasur edhe me uran, e në strategjinë minerare është lënë të nënkuptohet se në rajonin e Dukagjinit mund të ketë edhe naftë dhe gaz. Në rajonin e Klinës janë të koncentruara rezervat e boksiteve – llogaritet se rezervat janë rreth 2.7 milionë tonë, kurse rezervat e gurit gëlqeror përcjellës janë rreth 40 milionë tonë.

Shefi i KPMM-së, Ramiz Krasniqi, tha se ka interesim të investitorëve për të investuar në nëntokën e Kosovës. Ai ka thënë se është një numër i madh i ndërmarrjeve ndërkombëtare dhe vendore të cilat janë të licencuara nga KPMM-ja për hulumtim te mineraleve të ndryshme.

Telegrafi,  15.05.2017

Kompania “Eco Trade”, pronë e biznesmenit Mehdi Zhugolli, ka fituar edhe një tender prej 200 mijë eurosh në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Po ashtu për më pak se dy vjet kjo kompani ka fituar tenderë në vlerë prej mbi 6 milionë eurosh nga kompania më e madhe publike në vend.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila drejtohet nga Arben Gjukaj, e ka shpërblyer edhe më një tender të ri kompaninë private “Eco Trade”, pronë e Mehdi Zhugollit. Në njoftimin e publikuar në uebfaqe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thuhet se në tenderin “Furnizim me xhunta hidrodinamike”, ku kanë konkurruar katër kompani, kompania e biznesmenit Zhugolli është shpallur fituese.

Më tutje në njoftimin e publikuar në uebfaqe thuhet se nëse ndonjëri nga Operatorët Ekonomikë (OE) që ka qenë në garë nuk ka ankesë rreth procesit në të prokurimit, atëherë kontrata mes KEK-ut dhe Operatorit Ekonomik fitues pritet të nënshkruhet më 15 maj të këtij viti.

Zëri,  14.05.2017

Qeveria shqiptare nuk ka prenotuar ende sasinë e gazit që do të përfitojë nga gazsjellësi TAP, duke e argumentuar këtë me mungesën aktuale të infrastrukturës në të cilën do të kalojnë tubacionet. Por po krijon të gjitha kushtet për funksionimin e tregut të gazit, duke i paraprirë deri edhe administrimit të infrastrukturës në raste krizash.

“Janë situatat ekstreme të motit, si ky dimër me temperatura ekstreme të ftohta, situatat politike dhe ekonomike, por mund të jenë edhe fatkeqësi natyrore, siç mund të jetë për shembull një tërmet, u shpreh Stavri Dhima, ministria e Energjisë.

Plani përcakton se cilët janë konsumatorët që kanë prioritet furnizimi në këto kushte.

“I garantojmë furnizim familjarëve, sektorit rezidencial kopshteve spitaleve shkollave çerdheve dhe konsumatorëve të tjerë të rëndësishëm, siç mund të jetë prodhimi i energjisë elektrike, sipas mundësive edhe konsumatorëve të tjerë”, thotë Dhima.

Por mbi të gjitha duket se i jep zgjidhje problemit që i druhet Ministria e Energjisë, humbjeve kur sasia e gazit të prenotuar do të jetë më e lartë se ajo që do të përdoret në realitet.

“Kur në verë, për shembull, mund të konsumojnë më pak dhe kur vjen një sasi e caktuar e gazit nga tubacioni, kjo sasi depozitohet në këtë vend dhe në një periudhë të veçantë, sidomos në temperatura ekstreme këto vihen në përdorim këto depozita. Ose mund të vëmë në funksionim depozitat e vendeve të tjera”, shprehet Stavri Dhima.

Në masterplanin e gazit parashikohet ndërtimi i dy depozitave nëntokësore të gazit, një në Dumre dhe një tjetër në Divjakë. Gazi i parë do të transportohet përmes tubacionit të TAP nga Azerbaxhani drejt Europës në 2020-n.

Top Channel, 14.05.2017