Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

E ardhmja e Çernobilit: Energjia e rinovueshme

Vendi i një prej shpërthimeve bërthamore më të fuqishme në historinë botërore po shndërrohet në një burim të pastër energjie të ripërtëritshme.

Në vitin 1986, reaktori bërthamor që shpërtheu në plantacionin e Çernobilit u mori jetën 50 personave. Pas atij rreth 4,000 njerëz të tjerë kanë vdekur nga ekspozimi ndaj rrezeve të dëmshme. Duke qenë se shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, radioaktiviteti i dëmshëm është përhapur edhe në vende të tjera të Europës,

Zona e përjashtimit prej 30 km rreth impiantit bërthamor të shkatërruar ka mbetur edhe sot e kësaj dite një tokë e djerrë. Por gjërat po ndryshojnë. Dy kompani kineze kanë filluar punimet për ndërtimin e një termocentrali diellor prej një gigavat në jug të Çernobilit, energji e mjaftueshme për të ndezur 100 milionë drita.

Sistemi i Integruar i Teknologjisë, GCL dhe Korporata Energjetike Kombëtare e Kinës shpresojnë se ky projekt i ri diellor do të ndihmojë në rigjenerimin e së gjithë zonës.

Tokë e lirë në Çernobilin plot me diell

Ky projekti po tërheq investitorë të shumtë dhe mbi të gjitha ka siguruar një pjesë të mirë të fondeve nga autoritetet lokale. “Toka mund të blihet me çmim shumë të lirë dhe mbi të gjitha, drita e bollshme e diellit përbën bazën solide për këtë projekt”, tha Ostap Semerak, ministri i Mjedisit të Ukrainës. Por ndërtimi i një projekti në një zonë të tillë, gjithsesi nuk është aspak i lehtë.

Ai tha më tej se puna inxhinierike ka filluar, por nuk ka pasur publikime në lidhje me masat e sigurisë, datën e përfundimit apo çmimin për projektin.

Përpos sfidave mjaft të mëdha që mbart në vetvete ky projekt, transformimi i Çernobilit po tërheq vëmendjen e investitorëve nga e gjithë bota. Një kompani gjermane e energjisë së ripërtëritshme ka nisur aty ndërtimin e një fabrike diellore ndërsa dhjetëra investitorë të vegjël po ndërtojnë aty pranë parqe diellore, edhe pse në një shkallë më të vogël.

Vitin e kaluar, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) financoi një strukturë të madhe për të mbrojtur reaktorin bërthamor e dëmtuar dhe për të parandaluar rrjedhjet e rrezatimit. Ajo financoi 2.2 miliardë dollarë për strukturën që u ndërtua mbi kupolën e betonit të shkatërruar që sovjetikët ndërtuan rreth 30 vjet më parë.

Rrezatimi i vazhdueshëm në Çernobil është një ndër çështjet më të rëndësishme dhe më shqetësuese për Fondin Europian të Zhvillimit Rajonal, i cili po shqyrton nëse do të financojë apo jo projektin diellor.

Rigjallërimi i Çernobilit

Banorët që jetonin në qytetin e Pripyat afër Çernobilit, lejohen t’i vizitojnë shtëpitë e tyre vetëm një herë ose dy herë në vit. Vetëm gjatë viteve të fundit, turistët kanë filluar ta vizitojnë Çernobilin.

Lloje të ndryshme bimësh po mbillen dhe gjithashtu aty po dërgohen edhe lloje të ndryshme kafshësh si drerët dhe derrat e egër.

Transformimi i Çernobilit në një qendër të sigurt të energjisë së ripërtëritshme do të jetë lëvizja  e duhur, e cila do të shënojë kthesën pas 30 viteve.

Revista Monitor,  11.05.2017