Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria me potencialin më të madh hidro në rajon

Vendi ynë vlerësohet si me mundësitë më të mëdha hidrike në rajonin e Ballkanit. Kështu thuhet në dokumentin e hartuar nga WBIF (projekti i financuar nga BE-ja) mbi sistemin hidrik.

Për periudhën 2005-2015, sipas të dhënave të Ministrisë së Energjisë, referuar këtij studimi, qeveria shqiptare ka nënshkruar në total 184 koncesione për ndërtimin e 505 HEC-eve me një kapacitet total gjenerues në 2,200 MW dhe me një investim të përafërt në 3 mld euro.

Sipas studimit, mbledhja e të dhënave për këto kontrata ka qenë një sipërmarrje e vështirë, për shkak të numrit të mëdha të kontratave koncesionare, por edhe mungesës së një baze të saktë të dhënash.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë është palë në këto kontrata, ndërsa AKBN-ja (Agjencia Kombëtare për Burimet Natyrore) është institucioni i ngarkuar për të monitoruar ekzekutimin e kontratave koncesionare.

Kontratat zakonisht janë të vlefshme për shfrytëzimin e lumenjve të veçantë ose pellgjeve ujëmbledhës.

Zhvilluesit / investitorët raportojnë mbi ecurinë e projekteve në AKBN, ndaj sfidë mbetet edhe mbledhja e të gjitha të dhënave të kërkuara prej tyre.

Kontratat koncesionare të lëshuara deri më tani janë bazuar në procese tenderimi ku janë favorizuar ofertat me fuqi më të madhe të instaluar.

 

Në studim thuhet se problemet kryesore të identifikuara janë:

– Problemet me transportin e sedimenteve dhe strukturat e tyre e cila ndikon negativisht në performancën e turbinave dhe jetëgjatësinë e tyre.

– Mungesa e kalimeve për peshqit dhe kontrolli i rrjedhës në mënyrë ekologjike, më së shumti te HEC-et e reja

– Mungesa e përgjithshme e masave për mbrojtjen e mjedisit gjatë ndërtimit të HEC-eve

– Vështirësi në sigurimin e barazisë nga pronarët e projektit

– Vështirësi në financimin e borxhit, për shkak të efikasitetit të dobët financiar të projekteve

– Procesi i licencimit dhe lejeve jo mjaftueshëm transparent; mbivendosje e kompetencave

Shifra prej 505 projektesh individuale të HEC-eve përfshin edhe ato që tashmë janë në zbatim (114 me kapacitet 280 MW dhe 38 HEC-e me fuqi 511 MW – duke përfshirë HEC-in e Devollit me 255 MW fuqi në ndërtim e sipër). Këto objekte nuk janë pjesë e analizës.

Një numër i konsiderueshëm i këtyre projekteve janë nën kufirin 10 MW. Gjithashtu për një numër projektesh informacionet nuk ishin të disponueshëm.

Një tjetër specifikë e Shqipërisë është fakti se shumica zhvillohen nga investitorë privatë, kjo nënkupton nevojën për bashkëpunim mes qeverisë dhe institucioneve relevante.

Revista Monitor,  10.05.2017