Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sargeant, zv.CEO i kompanisë që mori ARMOn

Pennine Petroleum Corporation, që ka marrë së fundmi koncesionin e bllokut të naftës në Velçë, ka njoftuar zyrtarisht se z. Harry Sargeant IV është caktuar në Bordin e Drejtuesve të Kompanisë. “Z. Sargeant do të jetë një faktor kyç në vazhdimin e zhvillimit të Bllokut të Velçës në Shqipëri”, thuhet në njoftim. Sargeant është zëvendëspresident i Global Oil Management Group Ltd. (“GOMG”), një kompani ndërkombëtare nafte me bazë në Florida.

“GOMG, përmes degës së saj Ionian Refining & Trading Company Ltd. (“IRTC”), është një firmë e pavarur energjie, me aktivitet në Shqipëri, si dhe në Teksas dhe Alabama. GOMG dhe IRTC kanë hartuar së fundmi një strategji për të rinovuar sistemin e rafinerisë së naftës në Shqipëri. GOMG është e lidhur me rafineritë e Ballshit dhe Fierit në Shqipërinë Jugore”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në shkurt të këtij viti, kompania kanadeze, Pennine Petroleum Corporation, njoftoi se ka miratuar marrëveshjen për ndarjen e prodhimit me Albpetrol sh.a., për eksplorimin dhe zhvillimin e Bllokut të Velçës në Shqipëri. Sipas kompanisë, marrëveshja finale e nënshkruar nga Pennine, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Albpetrol, shoqëria shtetërore e energjisë, është për një periudhë 6-vjeçare eksplorimi, e konvertuar në një leje prodhimi 25-vjeçare, pas zbulimit të rezervave të naftës ose gazit. Marreveshja është ende subjekt i nënshkrimit nga Këshilli i Ministrave.

Vetëm një javë më parë, Pennine njoftoi se kishte zbuluar 26,400,000 fuçi rezerva nafte në Velçë, që i siguronin atij 11,200,000 fuçi neto (pas pagesave dhe interesave të ndërmarrjeve të përbashkëta).

IRTC dhe ARMO

Ionian Refining dhe Trading Co është një kompani offshore, e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 13 qershor të vitit 2016. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt Britanikë Virgin, dhe në shtator 2016 njoftoi se mori në përdorim asetet e rafinerisë problematike të naftës ARMO, të cilat po vazhdon t’i shfrytëzojë edhe sot, pas një marrëveshjeje për t’u furnizuar me naftë bruto nga Bankers Petroleum.

Mbetet e paqartë se cili është pozicioni i IRTC-së, në raport me ARMO, teksa kjo e fundit ishte dhe është ende e zhytur në borxhe dhe në sekuestro nga kreditorët. Në ekstraktin e kompanisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pronar i 85% të aksioneve të ARMO vazhdon të jetë ANIKA MERCURIA REFINERY ASSOCIATED OIL, kompania që Rezart Taçi ia shiti në vitin 2011 azerëve të Heaney Assets Corporation. Këta të fundit me letra janë ende pronarë të ARMO-s, ndonëse që nga mesi i vitit 2015 janë larguar pa lënë gjurmë, duke bërë të pamundur çdo veprim me kompanisë, për shkak se nuk arrin të mblidhet Këshilli Mbikëqyrës.

Harry Sargeant u shfaq për herë të parë në Shqipëri në shtator të vitit të kaluar, kur së bashku me ministrin e Financave, Arben Ahhmetaj, dhe zv.kryeministrin Niko Peleshi (në foto) gjatë një vizite në rafinerinë e Ballshit, ata njoftuan për rifillimin e punës.

Revista Monitor,  10.05.2017