Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çmimet ngrenë krye në tregjet globale

Në tremujorin e parë të 2017-s, mallrat kryesore ushqimore dhe industriale u rritën në tregjet ndërkombëtare

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare, sipas indeksit të Bankës Botërore, u rritën 8%. Çmimet e gazit natyror u rritën me 6% për shkak të rritjes së kërkesës dhe disa kufizimeve në furnizim. Çmimet e naftës bruto u rritën me 8% në tremujorin e parë 2017, duke arritur nivelin e 52.9 për fuçi, zhvillime këto në sinkron me marrëveshjen nga OPEC dhe disa prodhues jo-OPEC për të ulur prodhimin në gjysmën e parë të vitit 2017. Çmimet ranë ndjeshëm në gjysmën e dytë të muajit mars, pasi menaxherët kanë likuiduar pozicione të mëdha në tregjet e së ardhmes.

Çmimet në muajin prill ishin 50 dhe 54 dollarë për fuçi, pasi investitorët presin rënie të stoqeve, teksa një kërkesë e qëndrueshme për naftën vazhdon. Rënia e madhe e investimeve erdhi nga reduktimi i çmimeve në vitin 2014, që çoi në një tkurrje të prodhimit nga vendet e jo OPEC-ut vitin e kaluar. Kufijtë e prodhimit të imponuar nga OPEC pritet të kufizojnë më tej furnizimin. Rezervat e naftës bruto në Shtetet e Bashkuara mbetën të mëdha në tremujorin e parë, por ky stok pritet të bjerë në tremujorin e dytë. Çmimet e naftës së papërpunuar parashikohet të arrijnë në një mesatare prej 55 dollarësh për fuçi në vitin 2017. Pritet që stoqet të bien, sidomos në gjysmën e dytë të vitit, duke supozuar vazhdimin e kufizimit të prodhimit OPEC / jo-OPEC. Kërkesa botërore për naftë vazhdon të rritet me një normë relativisht të fuqishme vjetore prej 1.3 milionë fuçi në ditë, megjithëse me një ritëm më të ulët sesa norma e 2015-s, 2 miliardë fuçi në ditë. Ky kërcim i kërkesës ka ndodhur kryesisht në anëtarët e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ku kërkesa është rritur me një mesatare prej 0.5 milionë fuçi në ditë për vitet 2015 dhe 2016. Rritja e kërkesës për naftë në vendet jo OECD ka qenë relativisht e qëndrueshme në terma vëllimi, duke u rritur me një ritëm mesatar vjetor prej 1.4 milionë fuçish në ditë që nga viti 2005. Megjithatë, shkalla e rritjes është ulur nga një mesatare prej 3.6% (2005-‘14) në vetëm 3.0% në vitin 2015 dhe në 2.7% të parashikuar në vitin 2017.

Në rritje, edhe produktet bujqësore

Indeksi i Çmimeve Bujqësore të Bankës Botërore u rrit me 1% në tremujorin e parë të vitit 2017. Çmimet e pijeve u ulën më shumë se 6%, për shkak të rënies së çmimeve të kakaos. Gruri u rrit me gati 4%. Vajrat dhe ushqimet u rritën në mënyrë modeste me vetëm 2%. Indeksi i Çmimeve Bujqësore pritet të mbetet i qëndrueshëm në vitin 2017, me ndryshime midis mallrave. Çmimet e drithërave parashikohen të bien 3%. Vajrat dhe mielli pritet të rriten më shumë se 2%, duke shtuar rritjen e vitit të kaluar prej 5%. Çmimet e pijeve parashikohet të bien më shumë se 6%, me një rënie më të madhe se parashikimi me 1% në janar. Por ka rreziqe të larta për parashikimet e vitit 2017 për shkak të ndikimeve që ka ndryshimi i klimës në prodhimin e mallrave. Banka Botërore analizon se çmimet e mallrave të ushqimeve pritet të rriten deri në vitin 2020.

Edhe metalet, me çmime më të larta

Çmimet e metaleve u rritën me 10% në tremujorin e parë të 2017 në rang global. Kjo është rritja e katërt tremujore radhazi. Çmimet u nxitën nga kërkesa e fortë për shkak të investimeve në infrastrukturën e Kinës, në sektorët e tjerë prodhues dhe për shkak të rënies së prodhimit.
Çmimi i hekurit u rrit me 20%, për të dytin tremujor radhazi. Në përgjithësi, furnizimet globale do të zgjerohen këtë vit si rezultat i investimeve të mëparshme në sektor. Për më tepër, shpenzimet kapitale nga kompanitë minerare pritet të rriten për herë të parë që nga viti 2012.
Nga ana e kërkesës, tranzicioni i Kinës, së bashku me reformën industriale dhe shqetësimet mjedisore, pritet të ngadalësojnë kërkesën për metale. Eksportet e hekurit nga Australia dhe Brazili, u rritën në nivele rekord në tremujorin e parë. Por pasiguritë në lidhje me çmimin lidhen me kërkesën nga Kina. Çmimet e bakrit shënuan rritje të lartë për shkak të problemeve që kaluan disa nga minierat më të mëdha në botë nga grevat dhe përmbytjet.
Çmimet e zinkut u rritën me 11%, duke u rritur për të pestin tremujor dhe me mbi 70% gjatë kësaj periudhe. Po ashtu edhe çmimet e aluminit u rritën me 8% për shkak të kërkesës së fortë.

Çmimet e metaleve parashikohet të rriten me 16% më 2017. Rritja më e madhe pritet të jetë për zinkun (32%) dhe plumbin (18%) për shkak të kufizimeve në furnizim. Pritet rritje dyshifrore e çmimeve për aluminin, mineralin e hekurit dhe kallajin.

Revista Monitor,  07.05.2017