Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ERE: Nuk ndryshuam çmimet e energjisë

Kompanitë publike të energjisë (OST dhe OSHEE) kishin kërkuar rritje të çmimit për vitin 2017, duke përfshirë edhe shitjen me pakicë për konsumatorët e mëdhenj, por Enti Rregullator Energjisë ka arsyetuar se kërkesa e kompanive nuk është pranuar për faktin se kompanitë kishin realizuar fitime të kënaqshme gjatë vitit 2016.

“Nga analiza dhe vlerësimet e përgjithshme, rezultoi se shoqëritë KESH sh.a. OST sh.a. dhe OSHEE sh.a., kanë performancë të kënaqshme, që përgjithësisht ka mbuluar kostot e veprimtarive të këtyre aktiviteteve përgjatë periudhës 2015-2016 si dhe kanë krijuar një rezervë për zhvillimin normal të aktiviteteve për periudhën pasardhëse” u shpreh ERE në një relacion të posaçëm, ku shpjegoi se arsyet e mosndryshimit të çmimeve për 2017-n.

Fitimi i KESH, OST dhe OSHEE për 2016 ishte 104 milionë euro. ERE argumenton se situata e mirë hidrike ka sjellë një rritje të gjenerimit të kaskadës së Drinit për vitet 2015-2016 me rreth 2,675 GWh energji elektrike, më shumë se ai i parashikuar për KESH sh.a.

Performancë pozitive ka pasur edhe shoqëria OSHEE për periudhën 2015-2016 në drejtim të uljes së humbjeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, si dhe të arkëtimit të detyrimeve të prapambetura.

Vlen të përmendet se shoqëritë, megjithëse kanë arritur rezultatet financiare pozitive gjatë kësaj periudhe, njëkohësisht trashëgojnë detyrime të ndërsjella. Gjithashtu, edhe për shoqërinë OSHEE sh.a. arsyetohet se ndër të tjera, një faktor pozitiv në lidhje me sigurinë e të ardhurave të saj për vitin 2017 do të jetë arritja e objektivave të vendosur nga Qeveria, sidomos reduktimi i mëtejshëm i humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes, si dhe arkëtimi i të ardhurave nga shitja e energjisë elektrike.

“Për sa më sipër, gjykojmë se korrigjimi në ulje i të ardhurave për këto shoqëri nuk do të ishte i arsyeshëm, pasi kjo nuk do të ndihmonte përmirësimin financiar të të gjithë sektorit dhe veçanërisht atë të OSHEE sh.a, e cila vazhdon të ketë një kapital të vetin negativ prej (rreth -48 miliardë lekësh). Nga ana tjetër, këto të ardhura mund të përdoren për shlyerjen e detyrimeve ndaj KESH sh.a. dhe OST sh.a.

Për këtë qëllim, OSHEE sh.a. ka ndërtuar një plan të uljes së detyrimeve ndaj KESH dhe OST në përputhje edhe me ristrukturimin e borxheve të KESH nga EBRD. Sipas kësaj skeme, OSHEE do t’i paguajë KESH dhe OST në 5 vitet e ardhshme rreth 10.7 miliardë lekë më tepër se sa fatura korente duke bërë që borxhi total ndaj KESH dhe OST të ulet në mënyrë progresive.

Revista Monitor,  03.05.2017