Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Frutet e TAP, çfarë përfitojmë?

Shqipëria, krejt rastësisht, ka një nga shanset e arta që mund të ketë një vend, që thjesht për hir të pozicionit gjeografik, të përfitojë disa miliarda në ekonomi. Gazsjellësi TAP është një nga këto raste. Trinomi Greqi-Shqipëri-Itali për herë të parë funksionoi pa hatërmbetje, çka imponohej nga përfitimi ekonomik.

E në fund të gjithë kësaj, tani që projekti ka marrë rrugën e zbatimit, mund të prekim konkretisht ndryshimin. Një studim i Oxford dha një bazë të dhënash interesante dy vjet më parë për përfitimet reale të ekonomive, por, kur këto përfitime janë të prekshme si rrugë të reja, investime në ura, punësim, kompani shqiptare që përveç ekonomikisht përfitojnë dhe në eksperiencë kjo është edhe më mirë.

Panorama e shifrave është optimiste. Ne total deri më 31 shkurt 2017, jane 86 kilometra nga korridori i kalimit përgjatë gjurmës së gazsjellësit që jane pastruar, 76 kilometra tuba të vendosur në varg përgjatë gjurmës dhe 60 kilometra tubacion është tashmë i salduar. Po ashtu 49 kilometra tubacion është ulur në kanal dhe 45 kilometra janë tashmë të mbuluara. Në një intervistë për SCAN Magazine,  Shkëlqim Bozgo, menaxher i projektit TAP, për Shqiperinë, jep edhe detajet mbi zbatimin e projektit, sfidat në terren dhe përfitimet ekonomike të vendit. 

Gazsjellësi TAP është padyshim projekti më i rëndësishëm që prek Shqipërinë. Ku jemi realisht sot me këtë projekt të paktën brenda territorit të vendit tonë? 

Punimet për ndërtimin e gazsjellësit në Shqipëri përbëhen nga katër grupime kryesore; i) përmirësimet e rrugëve dhe urave që në vetvete ndahen në dyfaza ii) punimet për tubacionin iii) punimet për ndërtimin e stacionit të kompresoreve në Fier dhe atij të matjes në Bilisht dhe iv) punimet në det. Të gjitha punimet po vijojnë sipas kalendarit të përcaktuar. Në dhjetor përfundoi faza e parë e përmirësimit të infrastrukturës rrugore, që përfshiu rindërtimin dhe rehabilitimin e rreth 58 km rrugë, ndërtimin e 2 urave të reja dhe rehabilitimin e 40 urave ekzistuese.

Përmirësimet e kryera që tani po i shërbejnë jo vetëm projektit, por edhe gjithë komuniteteve vendore të zonave ku janë kryer punimet. Fshatrat e largëta, si për shembull fshati Shtyllë në zonën malore të Korçës, apo Potom në zonën e Skraparit tashmë mund t’i transportojnë lehtësisht dhe në mënyrë të sigurt prodhimet e tyre apo të përfitojnë nga shtimi i numrit të vizitorëve apo turistëve. Ka filluar dhe po përparon me shpejtësi faza e dytë, e cila do të sjellë përmirësmin e mbi 120 kilometrave të rrugëve ekzistuese. Të gjitha punimet për rrugët dhe urat po kryhen me shumë cilësi nga kompani shqiptare. Edhe punimet për ndërtimin e tubacionit po përparojnë sipas planifikimit. Së pari, ardhje dhe transportimi i tubave po ecën me ritme të kënaqshme. Një ndihmë të madhe po jep Policia e Shtetit e cila po shoqëron kamionët e tubave duke shmangur shqetësimet e mundshme në trafikun rrugor.

Më shumë se 86% e tubave (179 km) dhe 83% e bërrylave (665 njësi) kanë mbërritur. Duke filluar prej gushtit të vitit të kaluar, u krye pjesa më e madhe e punimeve në segmentin nga Semani, Fier deri në dalje të qytetit të Beratit. Janë ende duke u kryer punime të specializuara sikurse shpimet horizontale për kalimin e lumit të Semanit, autostradës dhe rrugëve kombëtare me anë të shpimeve horizontale të drejtuara të njohura si HDD. Kjo është një prej teknikave më të avancuara në këtë fushë që po përdoret për herë të parë në Shqipëri. Ato evitojnë hapjen e kanaleve dhe minimizojnë efektet në mjedis si dhe në funksionimin normal të aktiviteteve të ndryshme ekonomike dhe jetësore.

Në total, deri më 31shkurt 2017, 86 km nga korridori i kalimit përgjatë gjurmës së gazsjellësit që janë pastruar, 76 km tuba janë vendosur në varg përgjatë gjurmës dhe 60 km tubacion është tashmë i salduar. Po ashtu, 49 km tubacion është vendosur në kanal dhe 45 km janë tashmë të mbuluara. Sapo ka nisur edhe kthimi i tokës në gjendjen e mëparshme. Kjo është një fazë shumë delikate, e cila ka qenë e kushtëzuar edhe nga kushtet atmosferike jo të favorshme.

Deri më tani është kthyer në gjendjen e mëparshme 1.4 km prej korridorit ku janë kryer punimet. Pas përfundimit të punimeve në zonën e sheshtë, do të fillohet me zonën malore dhe në luginën e Osumit. Krahas tubacionit, kanë nisur edhe punimet për ndërtimin e stacionit të kompresorit, në Fier, dhe stacionin e matjeve ne Bilisht. Punimet për pjesën e detit janë planifikuar për vitin që vjen, por natyrshëm ato do të jenë më pak të ndjeshme. 

Gazsjellësi TAP, edhe pse me gjurmë të mirëstudiuar, nuk i ka shpëtuar dot terreneve të vështira që kanë kosto më të larta. Deri më tani a ka ecur gjithçka sipas planit fillestar? A parashikoni rritje të kostos apo mendoni se do të jetë brenda limiteve të parashikuara?

Që në fillim dihej që pjesa e malore e Shqipërisë, që shkon deri në 1800 metra lartësi, do të ishte ndër segmentet më të vështira për t’u ndërtuar. TAP ka kontraktuar një ndër kompaninë ndërkombëtare me më shumë eksperiencë në ndërtimin e gazsjellësve, Spiecapag. Segmenti malor përbën edhe fazën finale të ndërtimit të gazsjellësit, pas përfundimit të zonës fushore në Fier, Berat dhe Korçë. Aktualisht, po bëhet edhe një vlerësim më i detajuar i gjurmës që do të ndjekë gazsjellësi.

Kjo nënkupton edhe mundësinë për të bërë ndryshime të gjurmës së gazsjellësit për t’ju përshtatur më mirë terrenit. Çdo ndryshim nga projekti apo vonesa të tjera gjatë ndërtimit kanë impaktin e vet në kostot e ndërtimit të cilat optimizohen me kujdes nga ekipet projektuese. 

Një ndër problemet kyçe që kanë investitorët në vendin tonë lidhet me pronësinë. Për TAP pretendimet për çështje pronësie ishin minimale dhe duket se nuk kemi konflikte? Si u arrit kjo dhe sa i kushtoi ky aspekt kompanisë?

Në procesin e sigurimit të tokës, ashtu si edhe në aspekte të tjera të projektit (si ato që kanë të bëjnë me mjedisin, trashëgiminë kulturore, etj.) TAP ka zgjedhur të zbatojë parimet e BERZH si dhe praktikat më të mira të industrise. Në këtë kuadër, qasja që TAP vendosi të ndiqte ishte ajo e negocimit të marrëveshjeve vullnetare me individët e prekur nga gjurma e projektit dhe aplikimi i shpronësimit vetëm si një instrument i fundit, në rastet kur marrëveshja vullnetare nuk mund të arrihej. Në një masë të madhe, edhe pse titujt mund të ishin të regjistruar, pronarët nuk kishin arritur të merrnin çertifikaten e pronësisë, për shkak të kufizimeve në regjistrim që lidheshin me problematika të ndryshme ligjore, të tilla si diferenca midis sipërfaqes në akt dhe asaj në fakt, probleme me kufitarët apo mungesa të tjera në dokumentacion.

Për të realizuar qasjen e përmendur më sipër, në bashkëpunim me autorietetet përkatëse TAP investoi në kohë, burime njerëzore e teknologji në një proces të quajtur përmirësimi dhe përditësimi i kadastrës, duke identifikuar situatën e pronësisë së çdo parcele toke të prekur nga projekti, qoftë në zyrat e regjistrimit të pasurive, qoftë në terren;  asistuar secilin prej pronarëve të prekur të përgatiste dokumentacionin e nevojshëm për të marrë çertifikatën e pronësisë; mbuluar çdo kosto që lidhej me këtë process, përfshi këtu tarifat e shërbimeve të ndryshme që nga noterët e deri tek tarifat e aplikimit në ZRPP; asistuar zyrat e regjistrimit me burimet e nevojshme për të përballuar fluksin e kërkesave për shërbime nga pronarët e prekur nga projekti.

Në përfundim të këtij procesi, mbi 80% e pronarëve të ndikuar arritën të merrnin dokumentacionin e pronësisë dhe të nënshkruanin kontrata vullnetare me TAP dhe aktualisht pagesa e tyre është realizuar 100%. Për pjesën e mbetur, prej 20%, toka është siguruar nëpërmjet shpronësimit me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe kjo për arsye se  rregullimi i dokumentacionit të nevojshëm apo situatës ligjore të pasurive ishte jashtë mundësive të TAP dhe institucioneve përkatëse (çështje ligjore nën trajtim nga gjykata, mungesa e bashkëpronarëve për arsye migrimi apo emigrimi, bllokime të pasurive nga bankat, etj.). Megjithatë, edhe pas sigurimit të aksesit ligjor nëpërmjet VKM-ve, TAP ka vazhduar të ndihmojë pronarët e shpronësuar për sigurimin e dokumentacionit të pronësisë dhe si rezultat më tepër se 50% e tyre kanë marrë kompensimin.

Në çdo rast, vlera e kompensimit nëpërmjet shpronësimit është plotësisht e njëjtë me vlerën që pronarët do të merrnin nëse do të nënshkruanin një kontratë vullnetare dhe pronarët e ndikuar nuk e humbasin asnjëherë të drejtën e marrjes së kompensimit. 

Qeveria shqiptare dhe TAP vetëm pak kohë në një dalje publike bënë me dije se u rishikuan kushtet për përfitim dhe u renditën disa aspekte pozitive. Çfarë përfitoi TAP nga kjo marrveshje e re dhe pse ra dakord për të rritur përfitimet për palën shqiptare?

TAP është një projekt afatgjatë në Shqipëri e për këtë arsye e ka të parashikuar në politikat e kompanisë krijim e marrëdhënieve sa më të qëndrueshme me komunitetet fqinje me gazsjellësin. Amendimi i Marrëveshjes me Qeverinë e Vendin Pritës në Shqipëri në dhjetor të vitit 2016 ishte vetëm ndjekja e logjikshme e angazhimit të TAP për të përmirësuar kushtet e jetesës së komuniteteve që ndikohen më shumë gjatë periudhës së ndërtimit.  Kjo tregon përkushtimin për të investuar në projekte sociale dhe mjedisore që sjellin përmirësime të qëndrueshme në cilësinë e jetës të komuniteteve që jetojnë pranë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri. 

Çfarë përfiton nga TAP një qytetar i thjeshtë përveç pjesës së zinxhirit, (pra taksat që arkëtohen shkojnë në buxhet dhe kthehen në të mira publike)? Çfarë tregojnë shembujt e ngjashëm në botë, a kemi energji më të lirë, produkte më të lira si efekt i prezencës së një gazsjellësi?

TAP përbën një projekt shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët pasi për herë të parë vendi përfshihet në hartën evropiane të gazit natyror. Kjo ja rrit rëndësinë rajonale dhe gjeo-strategjike të vendit dhe kontribuon në integrimin tregtar dhe fizik të Shqipërisë në Evropë. Tashmë që punimet kanë nisur TAP është një realitet i prekshëm në Shqipëri për pasojë edhe mundesitë për ndërtimin dhe zhvillimin e rrjetit të brendshëm dhe tregut të gazit në vend janë më reale se kurrë. Vetë prania dhe mundësia për të marrë gaz nga TAP lehtëson zhvillimin e infrastrukturës energjetike të vendit dhe të tregut të brendshëm të energjisë.

Ministria e Energjisë së fundmi ka përfunduar Master Planin e Sektorit të Gazit, pjesë e të cilit është edhe evidentimi i disa projekteve prioritare. TAP ka si pjesë të angazhimeve të veta dhënien e ndihmës për rritjen e kapaciteteve vendase për zhvillimin e sektorit të gazit dhe për këtë qëllim jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë dhe “AlbGaz”. Zhvillimi i sektorit të gazit natyror është një investim i konsiderueshëm. Ai fillimisht ndodh me konsumatorët e medhenj si TEC-et apo industri të tjera. Kjo mundëson më tej furnizimin e bizneseve me të vegjel dhe sektorin rezidencial. Punimet për ndërtimin e kësaj infrastrukture do të krijojnë një sërë oportunitetesh, ndërkohë prania e gazit do ta bëjë furnizimin me energji më konkurues dhe me gjasa edhe më të lirë për konsumatorin fundor.

Ka një theks të vazhdueshëm për gazifikimin e vendit, por kostot janë të jashtzakonshme. A është konsultuar edhe me ju qeveria për të rezervuar një sasi gazi të nevojshëm?

Është një pritshmëri e natyrshme sigurimi i furnizimit me gaz nga TAP, por është po ashtu shumë e rëndësishme të kuptohet thelbi i modelit të funksionimit të tregut të energjisë në Bashkimin Europian dhe në Shqipëri, mbi bazën e të cilit TAP duhet të funksionojë. Me qëllim minimizimin e efektit monopol që kanë infrastrukturat energjitike, sektori është riformësuar në një mënyrë të atillë që pronarët e infrastrukturave të mos të munden të imponojnë apo kontrollojnë çmimet e energjisë. Për analogji, pronarët e një sistemi transmetimi ose shperndarjeje të energjisë elektrike apo gazit nuk e kanë të mundur të shesin apo blejnë energji.

Biznesi i tyre është të ofrojnë mundësinë e transmetimit dhe shpërndarje së energjisë, në formë elektrike apo gaz, dhe për këtë të marrin tarifën përkatëse sikurse miratuar nga rregullatorët e energjisë. Për pasojë, TAP nuk mundet të ofrojë sasi gazi, por nëpërmjet TAP, çdo palë e interesuar e cila është e gatshme të blejë apo shesë gaz, mundet ta bëjë këtë, duke i paguar TAP tarifën përkatëse për shërbimin e marrë.

Përfitimet ekonomikë nga gazsjellësi kanë nisur të konkretizohen që me ndërtimin e tij, punësimi, infrastruktura e re apo edhe aspekte të tjera të lidhura më të. Kur do të jetë boom-i  i përfitimit ekonomik në vend?

Ndikimi pozitiv i ndërtimit të gazsjellësit Trans Adriatik në Shqipëri është i ndarë normalisht në dy faza: përfitimet gjatë ndërtimit dhe përftimet pasi gasjellësi të jetë në punë. Gjatë fazës së ndërtimit, parashikohet që ky vit dhe viti tjetër, pra 2017 dhe 2018, të jenë edhe vitet me intensitetin më të madh të ndërtimeve dhe, për rrjedhojë, edhe të investimit duke ardhur duke u ulur deri në vitin 2020 kur gazsjellësi do të vihet në punë.

Impaktet pozitive të punimeve të TAP janë tashmë evidente në ekonominë shqiptare, pozitivisht, qoftë nga përfshirja e kompanive vendase si nënkontraktore ashtu edhe nga punësimi direkt apo indirekt. Këto janë shumë më të ndjeshme në zonat ku kryhen punimet përgjatë korridorit të tubacionit, por jo vetëm. Ndërsa investimet në projektet sociale që kanë nisur që para dy vitesh do të shoqërojnë intensitetin e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit, por nuk do të kufizohen në kohë deri në përfundim të ndërtimit, por të vijojnë edhe më tutje në kohë. Pas ndërtimit, efektet në ekonominë shqiptare do të jenë më së shumti të lidhura me ofrimin e një burimi tjetër energjie, tërheqjen e investimeve të huaja, rritjen e rolit strategjik të vendit, etj.

Për kompani të mëdha përgjegjshmëria sociale është kthyer në një element shumë të rëndësishëm që i shërben edhe për marketim. A mund të kemi dy detaje mbi përgjegjshmërinë sociale të TAP nga momenti i prezencës në vend dhe në vazhdim?

Përgjegjësia sociale është një komponent i rëndësishëm i aktivitetit të TAP. I ndërgjegjshëm për nevojat e komuniteteve përgjatë tubacionit, TAP ka ndërrmarrë prej kohësh një seri konsultimesh me aktorë lokale dhe qendrorë për të dakordësuar projektet dhe ndërhyrjet brenda kuadrit të Përgjegjësisë Sociale.  Aktualisht TAP ka përfunduar ose është në përfundim të punimeve për rehabilitimin apo rindërtimin e disa shkollave, si në Seman (Fier), Grecalli (Fier), Strumë e Bilisht.

Gjithashtu, ka përfunduar rindërtimi i urës së Çorovodës dhe janë drejt përfundimit dy pikat panoramike të kanionit në lumin Osum. Janë shumë pranë fillimit punimet për një sërë objektesh të tjera të infrastrukturës sociale, të tilla si rehabilitimi i ujësjellësit të Mbrostarit, rindërtimi i dy shkollave dhe ndërtimi i një kopshti të ri në Urën Vajgurore, rindërtimi i dy shkollave dhe një kopshti në Berat, rehabilitimi i një ndërtese muzeale në Korçë. Si pjesë e programit të përgjegjësisë sociale, TAP ka ndërmarrë herë pas here edhe nisma në formën e ndihmës humanitare duke u ardhur në ndihmë komuniteteve në situata të vështira të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Këtu mund të përmend ndihmën për banorët në zonën e Otllakut, Berat, pas përmbytjeve apo shpërndarja e pakove ushqimore për rreth 1,300 familje në zonat përgjatë tubacionit të cilat këtë dimër mbetën të izoluara si shkak i dimrit të egër. Po si pjesë të përgjegjshmërisë sociale, TAP ka krijuar një program për praktikë profesionale, duke ju dhënë mundësinë një grupi studentësh të ekselencës të trajnohen në projekt në fusha të ndryshme të veprimtarise se tij.

Programi është pjesë e një objektivi më të gjerë që ka TAP për të punësuar sa më tepër individë nga Shqipëria dhe për të ndihmuar krijimin e kapaciteteve lokale në fusha të ndryshme që lidhen me sektorin e naftës dhe gazit (aktualisht me teper se 80% e të punësuarve në projekt janë shtetas shqiptarë). Së fundi, TAP do të nisë së shpejti edhe programe të tjera në fushën e bujqësisë, turizmit dhe granteve te vogla të orientuar drejt rritjes së punësimit në zonat e prekura nga projekti.

Scan Tv,  29.04.2017