Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

8 mln $ investime shtesë në industrinë e bakrit

Kuvendi i Shqipërisë miratoi gjatë seancës së sotme projektligjin për Miratimin e Shtesës së Koncesionit ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë si autoritet kontraktues dhe Nesko Metal si koncesionari për disa objekte të industrisë së bakrit dhe të kromit.

Në fjalën e tij para deputetëve, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri deklaroi se marrëveshja e koncesionit është lidhur në vitin 2001 dhe tashmë kanë kaluar rreth 15 vite nga momenti kur ajo ka filluar të vihet në zbatim. Sipas tij, gjatë gjithë kësaj periudhe palët kanë kaluar situata dhe realitete që e bëjnë të domosdoshëm reflektimin kontraktual të tyre.

Shoqëria koncesionare “Beralb” SHA ka investuar deri më tani (pra në gjysmën e periudhës koncesionare), rreth 80 milionë USD, nga 32 milionë USD që detyrohej të investonte për të gjithë periudhën koncesionare 2001 – 2031. Pra në gjysmën e periudhës koncesionare, shoqëria koncesionare ka investuar më tepër se dyfishin e vlerës totale që do duhej të investonte.

Siç dihet shoqëria “Beralb” SHA, zotërohet nga shoqëria Turke “Ekin Maden San.Tic AS”, një nga shoqëritë minerare më të rëndësishme në Turqi si dhe gjigandi Kinez “Jiangxi Copper Corporation”. Pra, në fakt, në këtë investim që është duke u realizuar është e pranishme edhe një ndër kompanitë më të mëdha minerare në nivel botëror.

“Nuk do të kishte asnjë interes ekonomik për vendin, nëse Koncesionari do të ndalte investimin e vazhdueshëm në objektet e marra me koncesion. Për këtë qëllim, Koncesionari, nëpërmjet kësaj shtese të marrëveshjes merr përsipër të vazhdojë investimin, përsa kohë ka një zgjatje të afatit të koncesionit”, theksoi z.Gjiknuri.

Z.Gjiknuri deklaroi se gjatë diskutimeve në Komisionet kuvendore janë ngritur edhe disa shqetësime nga deputetët dhe ndaj atyre u duhet dhënë sqarimi për të informuar dhe opinionin publik.

Konkretisht, ai ju referuar shqetësimit të parë në lidhje me bazën ligjore të shtyrjes me 12 vjet të jetëgjatësisë së këtij koncesioni.

“Marrëveshja Koncesionare është miratuar me ligj dhe si e tillë mund të ndryshohet vetëm me ligj.  Pra, marrëveshja e koncesionit po ndryshon me një akt që ka të njëjtën hierarki në hierarkinë e normave juridike, me ligjet organike që rregullojnë veprimtarinë koncesionare në Republikën e Shqipërisë. Akti ndryshues përfaqëson një ligj të posaçëm dhe si i tillë mund të përmbajë dispozita që ndryshojnë dhe jo domosdoshmërisht bien në kundërshtim me dispozita ligjore që rregullojnë në përgjithësi veprimtarinë koncesionare”, nënvizoi z.Gjiknuri duke kujtuar se nuk është i pari rast i tillë sepse në të njëjtën formë Kuvendi ka vepruar edhe me koncesionin e kromit dhe projektin e Devoll Hydropoëer.

Edhe në kuptim të nenit 16 të Ligjit Nr. 10304 datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në R.SH”, ministri përgjegjës ka të drejtë të negociojë një marrëveshje me kushte lehtësuese, afatet e së cilës mund të shkojnë deri në 99 vjet, por pasi të miratohet nga Kuvendi.

Shqetësimi i dytë është sa i takon përcaktimit fiks të rentës minerare prej 3% për gjithë periudhën e koncesionit duke e konsideruar jo në interes të shtetit.

“Së pari, ky është niveli i rentës minerare së cilës i nënshtrohen përpunuesit e mineralit, i përcaktuar aktualisht në legjislacionin shqiptar, për mineralin bakër. Së dyti, në marrëveshjen e koncesionit të vitit 2001, është miratuar një dispozitë stabiliteti ligjor, që detyron OSHA të garantojë koncesionarin që kuadri ligjor mbi bazën e të cilës është lidhur marrëveshja, të zbatohet gjatë gjithë periudhës koncesionare. Në kohën e lidhjes së marrëveshjes, renta minerare ishte në nivelin 2%, ndërkohë që me ndryshimet e mëpasshme ligjore, koncesionari u detyrua të paguajë rentë minerare fillimisht në nivelin 4% e më pas 6%. Duke mos qenë dakord me sa më sipër, koncesionari hapi disa procese gjyqësore kundër Autoriteteve Doganore (që veprojnë si agjente për mbledhjen e kësaj takse), procese gjyqësore që në të gjitha rastet janë fituar nga koncesionari”, u shpreh z.Gjiknuri.

Pas diskutimeve dhe negociatave të vazhdueshme, Koncesionari pranoi që niveli fiks i rentës minerare të përcaktohej në marrëveshje jo më në nivelin 2%, por 3 %, duke filluar nga momenti i miratimit të shtesës së marrëveshjes. Pra ky kusht i negociuar, është tërësisht në favor të ineteresave të shtetit Shqiptar, për shkak se niveli i rentës minerare është rritur nga 2% në 3%.

Shqetësimi i tretë i ngritur ka të bëjë me regjimin fiskal të pandryshueshëm për të gjithë periudhën e koncesionit, pra TVSH 20%, tatim-fitimi 10% dhe dividenti 10%. Në këtë rast duhet sqaruar se ky kusht është negociuar edhe në frymën e parashikimit të dispozitës së stabilitetit të përcaktuar në marrëveshjen bazë të koncesionit, të vitit 2001.

Duke adresuar një tjetër shqetësim që ka të bëjë me sigurinë e vazhdimësisë së punës nga ana e koncesionarit, z.Gjiknuri tha se në shtesën e marrëveshjes është parashikuar kryerja e një investimi shtesë në vlerën prej 8 milion USD. Edhe në këtë rast nuk është në interesin e koncesionarit ndalimi i punës, përsa kohë, ndalimi do të shoqërohej me masa penalizuese nga ana e Autoritetit Kontraktues, për shkak të mungesës së investimit.

Duke ju referuar shqetësimeve për ndryshimin e objekteve të koncesionit nga marrëveshja bazë, z.Gjiknuri tha se në bazë të marrëveshjes bazë të vitit 2001, në Aneksin 1 parashikohet një listë e gjatë e objekteve të koncesionit  që i jepeshin koncesionarit. Referuar kushteve të Marrëveshjes, koncesionari kishte të drejtën që në varësi të studimeve dhe interest të tij ekonomik të merrte ose jo në dorëzim disa prej këtyre objekteve koncesionare. Rezulton se disa nga këto objekte koncesionare, të përfshira në listën e objekteve koncesionare, sipas aneksit 1 të marrëveshjes bazë, jo vetëm që nuk janë marrë në dorëzim nga koncesionari, por janë disponuar nga Autoriteti Kontraktor duke ua dhënë koncesionarëve të tjerë.

“Në kushtet kur këto objekte nuk i janë dorëzuar asnjëherë koncesionarit, pavarësisht se edhe nga ana e tij nuk janë kërkuar, dhënia palëve të tjera si objekte koncesioni në marrëveshje/leje të tjera minerare me subjekte të tjera, pa marrë më parë pëlqimin e Koncesionarit apo pa ndryshuar marrëveshjen, mendojmë se do të krijonte rrezik potencial që Koncesionari ta ngrinte në të ardhmen  pretendime ndaj Autoritetit Kontraktor për shkelje të detyrimeve të marrëveshjes. Pikërisht, me këtë saktësim që ne i bëjmë objekteve koncesionare, duke përjashtuar tashmë ato objekte të cilat sipas vendimeve të mësipërme iu janë dhënë palëve të treta, do të qartësohen detyrimet e palëve dhe njëkohësisht do të shmangen pretendimet potenciale që mund të ngrinte Koncesionari në të ardhmen në dëm të shtetit”, nënvizoi Gjiknuri.

energjia.al  28.04.2017