Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Afezolli, pengjet e mia për TAP-in

Naskë Afezolli është një nga dy personat që kanë ideuar gazsjellësin TAP. Prej vitesh ai jeton dhe punon në Zvicër, për një nga kompanitë kryesore të energjisë në këtë vend, “EGL”, e cila është edhe një nga aksioneret kryesore të gazsjellësit TAP.

Sot kur ky projekt është realitet, Afezolli ka disa pengje për mënyrën sesi pala shqiptare ka negociuar këtë marrëveshje.

“Të gjitha linjat e gazit kanë fitime shumë të mëdha nga tranziti. Për fat të keq, këto të gjitha që unë i kisha ëndërr për t’u realizuar për Shqipërinë, pas vitit 2013 kur u bënë marrëveshjet, në këto marrëveshje përfaqësuesit e TAP ishin shumë të mobilizuar që Shqipërisë mos t’i jepnin ‘fee’ tranziti, ose element të tranzitit, kështu që Shqipëria faktikisht nuk përfiton tranzit. Megjithatë përfitimet prapë janë të mëdha. Por në ‘Host Government agreement’ që u krye, unë prisja që të ishin marrëveshjet më pozitive ndaj Shqipërisë, që t’i jepej Shqipërisë më shumë gaz dhe më shumë ‘Exit points’”, tha Naskë Afezolli, ideator i gazsjellësit TAP.

Ai ndalet dhe te taksa e tranzitit, duke shpjeguar arsyet se pse Greqia nuk ka të drejtë ta përfitojë atë, ndërsa Shqipëria po.

“Greqia nuk ka të drejtë të kërkojë kosto tranziti, sepse është anëtare e BE-së. Pra kur vjen puna te anëtarësimi në BE, Greqia e luan shumë mirë rolin e BE-së, ndërsa Shqipëria duke mos qenë anëtare e BE-së, përsëri i takonte të merrte diçka për tranzitin”, tha Naskë Afezolli.

Afezolli sjell në vëmendje edhe një tjetër investim që lidhet po me TAP.

“Qeveria zvicerane ka dhënë 6-7 mln euro fond ndihme Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Ky fond është ekzaktësisht për të përgatitur infrastrukturën, ekspertët përsa i përket krijimit të të gjithë departamenteve në ministritë përkatëse, në mënyrë që të zhvillohet edhe infrastruktura e gazit, e përveç kësaj, një pjesë e këtij fondi do të shkojë edhe për të përgatitur një studim fizibiliteti edhe për një tubacion që do të ndërtohet nga TAP-i do të shkojë në Vlorë, në TEC-in e Vlorës”, tha Naskë Afezolli.

E në fund, Afezolli vlerëson interesin e kompanisë azere “SOCAR” për ndërtimin e sistemit të shpërndarjes së gazit në Shqipëri, por ai kërkon që edhe kompanitë europiane të përfshihen në këtë proces.

Top Channel,  26.04.2017