Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

2016, prodhimi i naftës shënoi rënie

Ambienti i pafavorshëm i çmimeve në tregun ndërkombëtar ndikoi negativisht prodhimin e naftës në vend gjatë vitit 2016.

Sipas të dhënave nga Ministria e Energjetikës, prodhimi i naftës ra me 18 për qind në krahasim me vitin paraardhës.

Prodhimi total arriti në 1 milion tonë më 2016 nga mbi 1.2 milionë tonë që ishte më 2015. Sipas të dhënave, 91 për qind e prodhimit në vend (922 mijë tonë) u realizua nga Bankers Petroleum.

Albpetrol radhitet i dyti për sasinë e prodhimit me mbi 50 mijë tonë. Në radhë vijnë Transatlantic me 49 mijë tonë, Transoil me 25.5 mijë tonë, Sherwood me 2.8 mijë tonë, Phoenix me 4 mijë tonë.

Që nga vitet 1990, prodhimi i naftës ka shënuar nivelin më të lartë në vitin 2014 me mbi 1.3 milionë tonë që përkon me një situatë më të mirë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Shqipëria është një vend hidrokarbur mbajtës, i cili ka rreth një shekull që prodhon naftë dhe gaz.

Veprimtaria hidrokarbure në Shqipëri i ka fillimet e saj rreth viteve 1800, kur u kryen ekspeditat e para gjeologjike, dhe më pas, rreth viteve 1900, kur këto operacione u intensifikuan më tej dhe u kurorëzuan me zbulimin e mjaft vendburimeve të naftës dhe gazit.

Bashkëpunimi me industrinë ndërkombëtare të naftës ka filluar në fillim të viteve 1900, kur u dhanë një numër koncesionesh për shoqëri të huaja, nga më të mëdhatë e kohës.

Pas viteve 1990 janë zhvilluar disa raunde licencimi për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve dhe janë lidhur një numër marrëveshjesh hidrokarbure me shoqëri të huaja. Gjatë kësaj periudhe janë kryer një numër i madh operacionesh hidrokarbure dhe janë grumbulluar një numër i madh të dhënash, të cilat shfrytëzohen për punimet në vazhdim.

Zhvillimi i operacioneve hidrokarbure bëhet i mundur si rezultat i një legjislacioni specifik dhe mjaft efektiv në këtë fushë. Gjithashtu në këtë fushë ekziston dhe një organizim institucional mjaft i përshtatshëm. Për zhvillimin e aktivitetit të licencimit, AKBN ka hartuar procedura të cilat janë mjaft të qarta dhe mundësojnë një proces licencimi të shpejtë.

Revista Monitor,  26.04.2017