Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kostot nga projektet e dështuara në energjitikë

Qeveria shqiptare po shlyen borxhin 130 milionë euro që ka marrë për ndërtimin e TEC-it të Vlorës, i cili nuk u vu kurrë në punë, për shkak të një defekti në procesin e ndërtimit. Gjithashtu tani ka nisur të paguajë kredinë 35 milionë euro me gjithë interesa që ka marrë për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Kësaj kostoje të drejtpërdrejtë në xhepat e shqiptarëve i shtohet edhe rendimenti i munguar i këtyre dy investimeve madhore të periudhës së tranzicionit.

Saga në të cilën ka kaluar ndërtimi i termocentralit të ri të Vlorës nuk mbaron me dështimin e projektit që kushtoi 129 milionë dollarë, për të kontribuar me 8% në konsumin e energjisë, por me perspektivën e paqartë të rivënies në punë dhe kostot e larta që shoqërojnë procesin. Edhe sikur TEC-i të vihej në punë në vitin 2012, çmimi i shitjes së një kilovatori energji elektrike do të ishte 21 lekë, vlerë kjo tre herë më e lartë se çmimi i pakicës që paguhej në atë periudhë nga konsumatorët familjarë dhe dy herë më i lartë se çmimet e importit.

Situata është komplikuar më tej, nga defekti në tubat e ftohjes gjatë periudhës së garancisë më 2012, që më pas ka prodhuar konflikte të reja me kompaninë italiane Maire Tecnimont, të cilat po gjykohen në Arbitrazh.
Qeveria shqiptare ka zhvilluar dy tenderë të rinj të destinuar për çështjet e TEC-it.
I pari është studimi i fizibilitetit për shqyrtimin e rivënies në punë të Termocentralit nëpërmjet gazit të TAP-it. Por efektiviteti i studimit vihet në dyshim për faktin se gazsjellësi TAP ende nuk ka miratuar kuotat shtesë të gazit në Shqipëri.
Tenderi i dytë ka të bëjë me përzgjedhjen e një kompanie që do të japë konsulencën e nevojshme se si mund të zgjidhet defekti në tubat e ftohjes dhe të detajojë kostot për riparimin e tij. Sipas KESH, vetëm konsulenca do të kushtojë mbi 1 milion dollarë. Zgjidhjet që do të ofrojnë këto dy studime pritet të sjellin miliona euro të tjera shpenzime për arkën e shtetit, pasi përshtatja e TEC për gazin e TAP kërkon një investim krejt të ri për të lidhur objektin që është në Vlorë me pontilin e depozitave të gazit në Fier duke përfshirë këtu edhe ridimensionimin e kartës teknologjike.
Ministria e Energjetikës pohon që edhe me gazin e TAP, TEC-i i Vlorës më shumë, se sa për prodhim parësor, do të shërbejë si një backup për sistemin energjetik. Varianti më i keq është ta lësh siç është.

Deri më tani shpenzimet për TEC-in llogariten rreth 136 milionë dollarë, nga të cilat 129.9 milionë për ndërtimin dhe pjesa tjetër llogaritet kosto operacionale dhe paga për administrimin e objektit tashmë në konservim.
Por në fund janë qytetarët shqiptarë ata që po paguajnë të gjithë faturën e shumëfishtë që ka krijuar investimi në këtë objekt joproduktiv.
Borxhi i jashtëm i vendit u shtua me 2.3% nga huatë e marrë për TEC-in, teksa shpenzimet për mirëmbajtjen e objektit llogariten sa 10%e kostove të Furnizuesit Publik me Shumicë të Energjisë (degë e shitjes së KESH), të cilat janë transferuar në tarifat fundore për konsumatorët.

Kostot fikse që i krijon TEC Vlora Korporatës Elektroenergjetike në një vit fiskal janë rreth 1.5 miliardë lekë, ku përfshihet mirëmbajtja dhe shlyerja e kësteve të kredive, sipas përllogaritjeve të Entit Rregullator të Energjisë në vitin 2012.Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore në shtator të vitit 2012, shpenzimet për ndërtimin e termocentralit të ri të Vlorës arritën vlerën e 129.9 milionë dollarëve, nga të cilat 125 milionë u përdorën për ndërtimin e objektit me cikël të kombinuar naftë dhe gaz dhe 4.8 milionë dollarë të tjera ishin shpenzime për asistencë teknike dhe trajnime. Gjithashtu një shumë prej 4.8 milionë dollarësh u vu në dispozicion si kontingjent fizik. Për ndërtimin e TEC-it, Financimet u siguruan kryesisht nga kredi të jashtme. BERZH kontribuoi me 48.7 milionë dollarë, Banka Europiane e Investimeve me 48.7 milionë dollarë, Banka Botërore nëpërmjet financimeve IDA me 25 milionë dollarë dhe agjencitë e tjera të financimit siguruan edhe 12.6 milionë dollarë. Në total, kuota e financimit arriti në 135 milionë dollarë.Interesi mesatar i huave është 5.6%, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.
KESH sqaron se vetëm kostot operacionale për katër vitet e fundit arritën601 milionë lekë ose 5 milionë dollarë.
Gjithashtu KESH paguan edhe 60 punonjës, të cilët bashkë me koston e karburantit në një vit kalendarik, harxhojnë edhe rreth 1 milion dollarë të tjera.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka shlyer gati gjysmën e huave 80 milionë euro të marra nga BERZH dhe BEI për ndërtimin e TEC-it. Ndaj BERZH do të shlyhen edhe 14.9 milionë euro deri më prill të vitit 2019 dhe ndaj Bankës Europiane të Investimeve (EIB) edhe 29.3 milionë euro të tjera deri në vitin 2023.
Kreditë do të shlyheshin me të ardhurat që do të siguroheshin nga shitja e energjisë së prodhuar nga TEC-i pasi ai të ndërtohej. Por për shkak të defektit në turbinat e ftohjes dhe kostove të larta, prodhimi nuk është realizuar, duke bërë që borxhi dhe kostot e tij të shërbehen nga taksat e shqiptarëve.
Linja e interkonjeksionit me Kosovën është në të njëjtën rrugë. Teksa kredia ka nisur të shlyhet, askush nuk mund të thotë se kur ajo mund të vihet në punë.

Shanset e humbura të Shqipërisë

Kompania shtetërore italiane e transmetimit të energjisë, TERNA, është duke avancuar në ndërtimin e një linje kabllore nënujore për transmetimin e energjisë elektrike me Malin e Zi, e parashikuar për të nisur nga transmetimi i energjisë këtë vit. Me ndërtimin e saj, Shqipëria humbi përfundimisht mundësinë për të tranzituar në periudhë afatmesme energjinë nga Ballkani në Itali dhe anasjelltas, kur dihet se interesi i kompanive shtetërore italiane ka qenë shumë i madh që linja e transmetimit të energjisë me kabllo nënujore të niste nga Shqipëria, nisur nga distanca e shkurtër që mundësonte projektin me kosto më të ulët.

Në vitin 2007, qeveria shqiptare nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me administratorin e përgjithshëm të kompanisë “Enel”, Fluvio Conti, për zhvillimin e sistemit energjetik shqiptar.
Në themel të marrëveshjes ishte ndërtimi i një termocentrali me qymyr në rajonin e Durrësit nga gjiganti italian i energjisë. Investimi kapte një vlerë prej 1.9 miliardë dollarësh dhe në të përfshihej edhe ndërtimi i një linje të re transmetimi nënujore për energjinë drejt Italisë.

Por përpjekjet gati 6-vjeçare me Shqipërinë nuk kanë rezultuar të suksesshme ndaj fqinjët italianë e kanë finalizuar projektin e transmetimit të energjisë me Malin e Zi.
Punimet janë duke avancuar. Investimi nga TERNA kap një vlerë 760 milionë euro, ku 100 milionë euro ishin investime në rrjetin ekzistues në Malin e Zi.
Linja e transmetimit të energjisë me kabllo nënujore do të lidhë Italinë me Ballkanin nëpërmjet në 415 kilometër me kapacitet 400 kilovolt nga Villanova në Kotorr me një kapacitet transmetues prej 1,000 megavat.

Si ndikojnë linjat e transmetimit të energjisë në ekonomi

Një analizë e Komisionit Europian për investimet në rajonin e Ballkanit detajon se ndërtimi i linjës së interkonjeksionit të energjisë elektrike 400 kV Shqipëri-Maqedoni do të sjellë përfitime shtesë në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë prej 314 milionë eurosh.
Ky projekt synon ngritjen dhe fuqizimin e një tregu të përbashkët të energjisë në rajonin e Ballkanit, çka në vijimësi do të sillte rënie të kostove të furnizimit ndërmjet vendeve.

Ky projekt është pjesë e nismës së Komisionit Europian për të krijuar korridorin e transmetimit të energjisë elektrike ndërmjet Bullgarisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë. Seksioni midis Bullgarisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë ka përfunduar dhe ndërtimi i linjës kabllore nën det mes Italisë dhe Malit të Zi është duke u zhvilluar.
Përveç kësaj, një lidhje e re 400 kV midis Shqipërisë dhe Malit të Zi është tashmë në veprim.
Në Shqipëri, rritja e ndjeshme e ngarkesës vjetore për shkak të burimeve të reja gjeneruese po ushtron presion mbi sistemet aktuale të transmetimit – vë në dukje analiza e KE-së. Kjo është bërë shkak për ndërprerje të shpeshta të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët vendas dhe bizneset.

Komisioni Europian vë në dukje se sistemet ekzistuese të transmetimit nuk do të jenë në gjendje për të përballuar burimet e reja gjeneruese të planifikuara për t’u zhvilluar në Jugun e Shqipërisë (p.sh., hidrocentraleve në Devoll, Vjosë, dhe kaskadat e lumit Osum dhe HEC-et e tjera të vogla në lumenjtë e Jugut).
Ndaj dhe linja e re e transmetimit me Maqedoninë do ta bëjë sistemin e furnizimit me energji elektrike në jug të Shqipërisë më të sigurt. Të paktën 800.000 njerëz dhe industritë e shumta në Fier dhe Berat, Kuçovë dhe rajonin e Elbasanit do të përfitojnë nga furnizimi i pandërprerë me energji elektrike, thuhet në studim.

Komisioni Europian dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ofruan ndihmë financiare për fazat e identifikimit të projektit, si pjesë e Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor. Aktualisht Shqipëria dhe Maqedonia kanë përfunduar procedurat për kredinë dhe është gati për të nisur puna.

Revista Monitor,  24.04.2017