Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Propozohet skema që ul çmimin e naftës

Pas një studimi të thelluar mbi kostot që shkaktojnë taksat mbi çmimin e pakicës së karburanteve, Dhoma e Industrisë së Durrësit propozon një skemë se si mund të bëhet nafta më e lirë fillimisht për sektorin e transportit.

Propozimi i parë synon në uljen e nivelit të TVSH për hidrokarburet nga 20% në 10%.

Propozimi i dytë synon heqjen e të gjitha taksave nga çmimi i karburantit.

Dhoma thotë se një formulim i plotë i kërkesës për uljen e çmimit aktual deri në masën 40%, do t’iu dërgohet forcave politike para zgjedhjeve ashtu dhe Qeverisë dhe Kuvendit pas zgjedhjeve.

Sipas studimit që shoqëron kërkesat e Dhomës, ulja e çmimit të karburantit duhet të përfshijë fillimisht sektorin e transportit dhe sidomos atë të kamionëve në transportin ndërkombëtar të mallrave.

Kamionët dhe autobusët që përdorin diezelin si karburant në fakt ndihen të rënduar nga kjo barrë duke pasur parasysh edhe kostot e tjera që lidhen me taksa që nuk shkarkohen te çmimi i karburantit. Në vendet e BE-së dhe vendet e Ballkanit (disa nga ata) kamionët e blejnë diezelin më lirë se konsumatorët individualë. Në fakt, kjo është arsyeja edhe pse kur dilet jashtë vendit blihet diezel me shumicë, pasi në këtë mënyrë këto mjete transporti marrin një sasi minimale furnizimi me vlerë më të ulët se brenda vendit, pasi në këtë rast, munden të reklamojnë edhe TVSH, si dhe zbritje çmimi të aplikuara në disa vende.

Transporti është një sektor kritik kur vjen fjala për sigurinë energjetike, pasi gati 100% e transportit varet nga nënproduktet e naftës, të cilat në mbi 70% – 82% të sasisë importohen. Kjo varësi nga importi ka ndodhur me luhatje në këto dy dekada të fundit ku rolin kryesor e ka luajtur politika e keqe e administrimit të industrisë së përpunimit të naftës.

Në janar 2017, për çdo litër naftë apo benzinë paguhet 37 lekë akcizë, 15 lekë taksë qarkullimi dhe 10.4 lekë TVSH mbi taksat e tjera plus TVSH mbi vlerën e vetë produktit, duke e bërë që për çdo litër naftë të paguhet afërsisht 88 lekë taksa.

Deri në vitin 2003, nafta kishte akcizë sa 65 për qind të vlerës së importit. Por kur çmimi i naftës ra një periudhë kohe, rreth vitit 2003, qeveria nxitoi të ndryshojë ligjin duke e bërë 65 për qind, por jo më pak se 27 lekë për litër. Pastaj çmimi u rrit, dhe qeveria vendosi një kufi maksimal dhe e bëri formulën 65 për qind, por jo më shumë se 37 lekë. Pastaj kur në vitin 2009 ra kriza botërore dhe akciza duhej të ulej qeveria e vendosi akcizën te 37 lekë për litër.

Më 2003, mbi benzinën rëndonte akciza 33 lekë për litër, gjë që e bënte këtë lëndë më të shtrenjtë se sa nafta. Pastaj u bë 35 lekë më 2006 dhe 37 lekë më 2009. Më 2011 iu shtua taksa e qarkullimit në masën 5 lekë, taksë që u bë 17 lekë në 2014 dhe 27 lekë në 2015.

Të dyja taksat, akciza dhe taksa mbi qarkullimin, i shtohen vlerës së naftës së importuar apo prodhuar në vend dhe mbi totalin, aplikohet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar 20 për qind. Kjo do të thotë se përveç 37 lekëve për litër akcizë, paguhet edhe 7.4 lekë TVSH mbi akcizën. E njëjta gjë aplikohet edhe për taksën tjetër, atë të qarkullimit

Revista Monitor,  21.04.2017