Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zonat e mbrojtura, çfarë ndodh me HEC-et

Këshilli i Ministrave ka miratuar ligjin e ri për zonat e mbrojtura që sjell një serë risish në aspektin e përcaktimeve ligjore por edhe detajon penalitetet për rastet e dëmtimit të tyre. Por çfarë do të ndodhë me ata që ushtrojnë veprimtari në këto zona?

Ligji i ri përcakton se “personat fizikë e juridikë, që kanë fituar të drejta të ushtrojnë veprimtari të caktuara në zonat e mbrojtura, duke lidhur marrëveshje, kontrata apo janë pajisur me leje mjedisi për to, do të vazhdojnë t’i kryejnë normalisht veprimtaritë, për derisa ato nuk ndalohen shprehimisht nga ky ligj apo nuk vijnë haptas në kundërshtim me të”. Por ligji i ri përcakton gjithashtu edhe raste të “modifikimit” të marrëveshjeve, pavarësisht se subjektet mund të jenë të pajisur me leje mjedisore.

“Kur ky ligj e ndalon shprehimisht një veprimtari të pajisur me leje mjedisi apo kur ajo vjen haptas në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji, brenda tre muajsh nga hyrja e tij në fuqi, AKZM-ja njofton zyrtarisht subjektin të mbyllë veprimtarinë për arsye ligjore dhe të rehabilitojë mjedisin ku është ushtruar veprimtaria” shkruhet në projektligj.

Kur vërtetohen raste të tilla, fillimisht subjekti mund t’i paraqesë Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, brenda tre muajsh nga njoftimi, “propozimet e tij për mundësinë e ndryshimit të vendit ku mund të ushtrohet veprimtaria, për përmirësime të domosdoshme teknologjike, për zvogëlim kapacitetesh, për ndryshim të lëndëve të para apo të energjisë, me qëllim që veprimtaria të bëhet e pranueshme dhe mund të vazhdojë të ushtrohet”.

Kur propozimet e subjektit nuk mund të pranohen, atij i lihet gjashtë muaj deri në një vit kohë për ta hequr veprimtarinë dhe për të bërë rahabilitimet e kërkuara me shkrim nga AKZM-ja. Nëse subjekti nuk kryen ato që i kërkohen dhe nuk respekton afatet, ai kualifikohet dëmtues i zonës së mbrojtur dhe përgjigjet sipas legjislacionit në fuqi, raporton SCAN.

Sa i përket penaliteteve, në rastet kur nuk përbëjnë vepër penale, ligji i ri parashikon se:

-Për ndotjen dhe dëmtimin e zonës së mbrojtur nga shkarkimet mbi normë të veprimtarive që zhvillohen jashtë zonës, por në afërsi të saj, subjekti dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.

-Për zhvillimin në zonë të veprimtarive që nuk janë pajisur me leje mjedisi, subjekti dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë;

-Për mospërmbushje dhe mosrespektim të kërkesave, parimeve dhe kushteve të lejes përkatëse të mjedisit sipas parashikimeve të këtij ligji, subjekti dënohet me gjobë nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë.

-Për dëmtim të zonave të mbrojtura nga pronarët e pasurive private që ndodhen brenda zonës, subjekti dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 80 000 lekë.

-Për dëmtim të zonave të mbrojtura nga përdoruesit e zonës, me gjobë nga 50 000 deri në 80 000 lekë.

Krahas dënimit me gjobë Inspektorati i Policisë Pyjore dhe administrata e zonave të mbrojtura mund t’i propozojnë ministrit heqjen e lejes së mjedisit dhe mbylljen e të gjithë veprimtarisë apo të pjesëve të saj përgjithmonë ose për një kohë të caktuar, referuar ligjislacionit në fuqi për lejet e mjedisit.

Scan Tv,  20.04.2017