Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia e rinovueshme, vlerësohet Shqipëria

Shqipëria ka arritur të marrë nota pozitive sa i përket hartimit të kuadrit ligjor për nxitjen e përdorimit të burimeve të energjisë së rinovueshme. Në raportin e fundit të hartuar nga Sekretariati i Komitetit të Energjisë mbi masat e marra (Akti i Qëndrueshmërisë) ,vendi ynë është vlerësuar pozitivisht, ndërsa

Serbia ka bërë progresin më të madh. Në këtë dokument thuhet se Serbia tashmë ka avancuar duke miratuar aktet nënligjore, si dhe duke shpallur tenderin për ndërtesat publike dhe ndriçimin e rrugëve.  Sekretariati ka vlerësuar punën e bërë nga Shqipëria dhe Kosova për hartimin e kuadrit ligjor për përdorimin e burimeve të rinovueshme, por theksohet se ka ende shumë punë për të zbatuar të gjitha rekomandimet. Në shkurt të këtij viti, Bashkimi Europian firmosi grantin prej 50 mln euro për programin e Eficencës së Energjisë në rajon (REEP Plus).

Sipas dokumentit, gjashtë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e “Procesit të Berlinit”, duhet të angazhohen në zbatimin programit, si dhe në krijimin e instrumenteve për segmentet e caktuara të tregut rajonal energjetik. “Sa u përket masave mbështetëse për zhvillimin e energjisë së rinovueshme, thuhet në raport, progres është bërë nga Shqipëria, që nga periudha e fundit monitoruese. Me miratimin e ligjit, prezantohet për herë të parë procedura për garat me ankand për alokimin e kapaciteteve të ardhshme të energjisë së rinovueshme, si dhe skemat përmes të cilave u lejohet konsumatorëve të energjisë së rinovueshme që të grumbullojnë, shesin dhe blejnë”. Vendet e tjera janë duke analizuar tregjet e tyre për të parë mundësitë e zhvillimit, por asnjëra prej tyre nuk po u mundëson qytetarëve që të jenë aktivë në sistemin energjetik.

Ndërsa në lidhje me ndryshimet klimatike, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke zbatuar detyrimet që lindin nga UNFCCC. Shqipëria dhe Bosnjë – Hercegovina ratifikuan së fundmi Marrëveshjen e Parisit. Vendi ynë gjithashtu ka miratuar edhe projektligjin për masat, për monitorimin e ndryshimeve klimatike. Por, që të gjitha vendet po vuajnë mungesën e marrëveshjeve të qarta ndërinstitucionale dhe përcaktimin e përgjegjësive për secilën në këtë fushë. Pengesë kyçe për zvogëlimin e efekteve serrë dhe reduktimin e emetimeve në ajër të dyoksidit të karbonit vlerësohen edhe kapacitetet e kufizuara të burimeve njerëzore.

Gjithashtu, raporti nënvizon se nuk është bërë progres (përveç Serbisë) në ndërmarrjen e aktiviteteve për rritjen e besimit teK investitorët e huaj për sektorin e energjisë së rinovueshme.

Sa i përket progresit të bërë nga Shqipëria, në raport thuhet se vendi ende nuk ka bërë të mundur nxjerrjen e akteve nënligjore, si dhe duhet të rishikojë (është në proces) Plani Kombëtar për Energjinë e Rinovueshme me qëllim diversifikimin e prodhimit të energjisë.

Revista Monitor,  18.04.2017