Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Egjipti hedh sytë nga Ballkani për gazin

Egjipti është duke parë me kujdes mundësitë që ofron rajoni i Mesdheut për industrinë e gazit, veçanërisht tani që shteti po përgatitet për të reformuar sektorin dhe për të rritur investimet. Strategjia e re u prezantua në Kajro, ku u diskutua edhe pavarësia që duhet të kenë autoritetet rregullatore, si dhe modelet e tregjeve të gazit.

Takimi u bë i mundur nga Egyptian Gas Holding Company EGAS dhe në të morën pjesë përfaqësues të delegacionit të BE-së, por edhe nga Shqipëria (ERE) dhe Turqia (EMRA). Shqipëria prezantoi modelin që po zbaton për të ngritur tregun e gazit, zhvillimin e tarifave për licencimin e operatorëve që po interesohen, si dhe ndryshimet që po ndodhin. Interesimi i institucioneve egjiptiane për tregun e gazit të rajonit të Mesdheut, por edhe të Ballkanit, vjen menjëherë pas zbulimit që u bë në fushën Zohr e që pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në këtë rajon.

Edhe Portugalia e Greqia paraqitën modelet e tyre të rregullimit të tregut të gazit, si dhe karakteristikat e veçanta. Së fundmi, Greqia përmes operatorit të saj shtetëror DEFSA, po synon të jetë prezent edhe në Shqipëri. Pas përfundimit të projektit TAP, do të zhvillohet tenderi për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit. Duket se së bashku me kompaninë shqiptare të sapo krijuar AlbGas, edhe DEFSA do të shfaqë interes, kjo tregohet edhe nga memorandumi i bashkëpunimit që u firmos pak ditë më parë.

Si Shqipëria, ashtu edhe Turqia, Egjipti, Portugalia apo edhe Greqia, janë pjesë e Mediterranean Energy Regulators (MEDREG) në të cilin marrin pjesë në total 25 ente rregullatorë nga 21 shtete (BE-ja, Ballkani dhe Afrika e Veriut).

Revista Monitor,  18.04.2017