Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Transatlantic, vërshojnë kërkesat për sekuestro

Në tetor të vitit të kaluar, kompania shtetërore e naftës Albpetrol, vendosi që vendburimet e naftës dhe gazit në Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul do t’i riktheheshin në administrim qeverisë shqiptare. Albpetrol, që menaxhon burimet e arit të zi të dhëna me koncesion në Shqipëri njoftoi koncesionarin TransAtlantic Albania për mbylljen e njëanshme të marrëveshjeve hidrokarbure për këto vendburime të rëndësishme të nëntokës shqiptare, për mospërmbushje të kontratës dhe moskryerje të investimeve (në të dy zonat realizimi faktik i investimeve nuk ishte më shumë se 10%). Albpetrol ka sekuestruar pajisjet dhe naftën e gjendur në depozita dhe ka rivënë në punë puset.

Nga ana tjetër Albpetrol ka shpallur ftesën për shprehje interesi për këto blloqe dhe synon që deri në 2 maj (kur është afati i fundit) të tërheqë investitorë seriozë dhe të mëdhenj, teksa zonat naftëmbajtëse konsiderohen produktive dhe me pak investime mund të rritet ndjeshëm prodhimi. Në vitet 2012-2013, Stream Oil, që menaxhonte këto burime para se kompania të shitej te Transatlantic realizonte të ardhura preh rreth 25 milionë eurosh, duke qenë prodhuesi i dytë më i madh koncesionar, pas Bankers Petroleum. Në vitin 2014 Stream prodhonte mesatarisht 1000 fuçi naftë në ditë, prodhim që u përgjysmua në 2015-n. TransAtlantic Petroleum Ltd, një shoqëri ndërkombëtare për prodhimin e energjisë me objekt blerjen, shfrytëzimin, zhvilimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit natyror dhe ushtron aktivitetin e saj në Turqi dhe Bullgari, bleu 100% të kuotave të Stream Oil & Gas Ltd në shtator 2014, së bashku me detyrimet. Që prej asaj periudhe, prodhimi ka rënë ndjeshëm, ndërsa investimet e parashikuara në kontratë nuk u realizuan. Albpetrol, kur prishi kontratën njoftoi se  për vendburimin e Cakran-Mollajt, konstatohet se për vitin 2015, realizimi faktik i investimeve është në masën 5% krahasuar me Planin e Zhvillimit dhe në masën 1% krahasuar me Planin e Punës e Buxhetin e vitit 2015. Në vendburimin e Gorisht-Kocul, konstatohet se për vitin 2015, realizimi faktik i investimeve është në masën 10% krahasuar me Planin e Zhvillimit dhe në masën 21% krahasuar me Planin e Punës dhe Buxhetin e vitit 2015. Në 2016 realizimi ka qenë zero për të dy vendburimet.

Aktualisht Trasatlantic ka lënë pas një mal me detyrime. Vetëm ndaj Albpetrol, borxhi llogaritet në rreth 20 milionë dollarë.  Kreditorë të tjerë kanë filluar të kërkojnë detyrimet përmes përmbarimit. Përmbaruesit kanë kërkuar sekuestrimin e llogarive bankave të Transatlantik për mospagimin e faturave tatimore ndaj “GR Albania” (për një borxh 71 mijë dollarë) dhe “EL-BU 2009” (borxh 20 mijë euro).

Edhe Dega e Doganave Fier ka kërkuar kthimin e detyrimit prej 170 mijë eurosh, përndryshe do të kalojë në ekzekutimin e detyrueshëm. Kthimin e detyrimit e ka kërkuar përmes sekuestros nga përmbaruesi edhe shoqëria “Zekaj & Garant”. Nuk mungojnë as kërkesat e punonjësve, që kanë fituar gjyqin me kompaninë për kthim page.

Burime nga Albpetrol pohojnë se në bazë të marrëveshjes koncesionare, detyrimet janë në ngarkim të kompanisë Transatlantic, që duhet të “përballojë” furinë e kreditorëve që po kërkojnë sekuestron e aseteve, që tashmë duket se nuk kanë më asnjë vlerë.

Revista Monitor,  14.04.2017