info@energjia.al

Çmimet e naftës së papërpunuar shënuan rritje gjatë ditës së sotme.

Treguesit referencë për naftën e papërpunuar europiane, Brent, u rritën me 33 cent dhe u tregtuan me 56.56 dollarë për fuçi.

Treguesit referencë për naftën e papërpunuar amerikane, WTI, u rritwn me 26 cent dhe u tregtuan me 53.66 dollarë për fuçi.

Revista Monitor,  12.04.2017

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, një adhuruese e natyrës shqiptare është nga lobueset me të forta kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin e Vjosës. “Lumi i Vjosës është i vetmi ne Europë, që është ne rrjedhje të lire”, ka pohuar ajo gjatë një takimi me gazetarë nga Shqipëria në Parlamentin Europian në Bruksel.

Është e vërtetë që Shqipëria ka nevojë për energji, thotë ajo, por jo në këtë lumë.
Në këtë zonë, sugjeron ajo, Shqipëria mund të bejë investime në ekoturizëm.
Lunacek thotë se ajo ia ka shprehur dhe kryeministrit shqiptar mendimin e saj, por gjithsesi shton se në Shqipëri tani e gjithë vëmendja është e përqendruar te zgjedhjet.
Lunacek, që ka vizituar kanionet e Vjosës, pohon se nuk ka një studim të qartë për të evidentuar se çfarë flore dhe faune ka në atë zonë.

“Para çdo projekti është shume e rëndësishme të bëhet vlerësimi mjedisor”.
Ajo shprehet skeptike nëse vlerësimi që po bëhet nga firma turke është në linjë me standardet europiane të energjisë, një element që është shumë i rëndësishëm.
Po të bllokohet uji, flora nuk do te mbijetojë, ndërsa nuk dihen as pasojat e përmbytjeve të banorët, duhen bërë seanca dëgjimore me ta.
“Ndërtoni HE-e të tjera, por ju lutem lëreni Vjosën”, është mesazhi final i zëvendës presidentes së Parlamentit Europian.

Projektet e mëdha mbi Vjosë

Deri më tani qeveria shqiptare ka dhënë lejen për të ndërtuar një hidrocentral në Lumin e Vjosës ai i Poçemit.

Tenderi i zhvilluar në mars të vitit 2016 ka shpallur fituese për ndërtimin e këtij HEC-i kompaninë turke Çinar-San Hafriyat Nakliyat inşaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Şirketi.

Sipas marrëveshjes koncesionare, kompania turke do të investojë rreth 100 milionë euro për hidrocentralin e Poçemit. Koha e ndërtimit është parashikuar 3 vite, ndërsa sasia e prodhimit do të jetë 95 MW kilovat/orë energji në vit. Poçemi do të bëhet hidrocentrali i dytë më i madh i dhënë me koncesion për nga niveli i prodhimit, pas projektit të kaskadës së Devollit.

HEC-i Poëemit është i dyti në rrjedhën kryesore të Lumit pas atij të Kalivaçit që ka dështuar të ndërtohet deri më tani për shkak të problemeve që ka kaluar kompania e kontraktuar për ndërtimin e tij.

Studimi i studios franceze Sogreah e cila analizon skemat e mundshme të shfrytëzimit të potencialit ujor të lumit Vjosa, të cilin qeveria shqiptare ka si referencë parashikon ndërtimin e 25 hidrocentraleve në Lumin Vjosë.

Monitor zotëron të plotë studimin prej 140 fq. të studios “Soegrah”, me titull ” Consultants’ services for assessment of Power generation potential of selected Albanian rivers“.

Kapaciteti i instaluar i propozuar,sipas Sogreah për lumin Vjosa është 458 MW dhe prodhimi i energjisë parashikohet të 1810 GWh, duke përfshirë edhe Kalivaçin. Këto shifra janë të përafërta me studimet e deritanishme që shohin një kapacitet prodhimi prej 498 MW në Vjosë.

Ndër 25 HEC-e projektuara në Vjosë më të mëdhatë janë ai i Kaludhit, Dragotit, Kalivaçit, Pocemi dhe Karbonarit.

Lumi Vjosa rrjedh në jug të Shqipërisë. Gjatësia e saj është 272 km nga të cilat 80 km janë në Greqi. Ujëmbledhësi i saj është rreth 6704 km2 nga të cilat 4365 km2 në territorin e Shqipërisë Lartësia mesatare e pellgut parashikohet 855 metër. Burimi i Vjosës është malet e Pindit në Greqi.

Lumi hyn në Shqipëri në Perat. Në Shqipëri deri në Urën e Dragotit lumi rrjedh nëpër një luginë relativisht të ngushtë me përjashtim të disa pjesëve të vogla të gjera me tarraca të ulëta të vendosura në të dy anët e lumit. Midis Këlcyrës dhe Dragotit lumi rrjedh nëpër grykën Këlcyrë.

Pas Selenicës brigjet e lumit janë më të buta dhe të më të ulëta. Vjosa derdhet në detin Adriatik në afërsi të fshatit Poro në veri të lagunës së e Nartës.

Nëse projektet e HEC-ve vihen në zbatim popullsia që rrezikon evakuimin është rreth 35 000 persona.

Ndërtimi i HEC-ve në Vjosë ka hapur prej citesh një debat të madhe ndër ambientalistë, të cilët e kanë konsideruar një dëm të madh që i bëhet biodiversitetit.

Vitin e kaluar rreth 50 profesorë dhe studiues nënshkruan një kërkesë drejtuar Ministrisë së Mjedisit në Shqipëri për zbatimin e një moratoriumi 3-vjeçar mbi ndërtimet në lumin Vjosë dhe degët e saj

Më herët gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2015 Kryeministri Edi Rama kishte premtuar edhe njëherë se do të ndalonte ndërtimin e HEC-ve mbi lumin më unik të Europës. Por premtimi nuk është mbajtur teksa kompania turke ka nisur procedurat për ndërtimin e objektit.

Revista Monitor,  12.04.2017

Rënia e lehtë e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare gjatë sesionit të së Martës, është reflektuar edhe në tregun vendas. Gjatë sesionit të sotëm, nafta me shumicë në dy portet e vendit shitet me146.33 lekë për litër, në rënie me 0.21%në krahasim me sesionin e kaluar.

Çmimi i pasqyruar është aktual dhe i referohet vetëm ditës së sotme. Luhatjet në çmimin e shumicës vijnë, përveç çmimit me të cilin kuotohet në bursë, edhe në bazë të kostove të transportit, cilësisë së produktit të zhdoganuar, kursit të këmbimit ndërmjet dollarit dhe lekut, si dhe barrës  shtetërore.

Këto të dhëna i referohen çmimit përfundimtar me të cilin nafta del nga dy portet e vendit, atë të Durrësit dhe atë të Vlorës, ku përfshihen edhe të gjitha kostot që janë të detyruara me ligj, përfshirë barrën shtetërore, që sot fiksohet në rreth91.5 lekë për litër.

Scan Tv,  12.04.2017

Një nga ligjet e rëndësishme që u shqyrtua nga komisionet parlamentare ishte edhe ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”, pjesë e së cilës janë edhe përfitimet lokale, që do të bëjë në interes të komunitetit shoqëria TAP.

“Duke marrë në konsideratë se marrëveshja me qeverinë e vendit pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe TAP AG përfaqësonte marrëveshjen e parë të TAP me një shtet të vendit pritës, me qëllim që kushtet e kësaj marrëveshjeje të mos ishin më pak të favorshme se kushtet e marrëveshjeve që do të nënshkruheshin e do të miratoheshin nga Greqia”, tha znj. Alimadhe.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Koli Bele, tha se përfitimet mund të grupohen në tri kategori: “Janë ato përfitime që kanë të bëjnë me amendimet e legjislacionit me efekt fiskal, dhe si të tilla janë përfitime që do të shtrihen gjatë gjithë periudhës kur TAP do funksionojë, pra fillojnë nga ky moment dhe kanë përfitime për gjithë këtë periudhë; janë ato përfitime të karakterit ligjor, ku më i prekshmi përsëri lidhet me pjesën e stabilitetit fiskal, por dhe me atë që është vetë zgjatja e kësaj marrëveshjeje; krahas kësaj, elemente të tjerë të rëndësishëm të kësaj marrëveshjeje kanë të bëjnë me përfitimet direkte për komunitetin, të cilat janë si pagesa direkte për projekte komunitare. Nëse do t’i kuantifikonim këto benefite, mund të themi që në total, duke përfshirë edhe efektin afatgjatë të lehtësisë fiskale dhe të ndryshimeve me efekt fiskal, arrijmë në një marzh i cili është afërsisht 90 milionë dollarë”, tha Bele.

Sipas tij, Shqipëria është e angazhuar që të rrisë përfitimet e saj nga ky projekt. Kjo lidhet me ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për gazifikimin dhe shfrytëzimin e gazit nga industria.

Revista Monitor,  12.04.2017

Shqiptarët për 50 litra benzinë duhet të paguajnë afërsisht 8,500 lekë, apo 62 euro, duke konkurruar me vendet e Europës Perëndimore.

Në Gjermani, ekonominë më të zhvilluar europiane, 50 litër benzinë kushton 68 euro, vetëm 5 euro më shumë se në Shqipëri.

Krahasuar me amerikanët, të cilëve 50 litra benzinë ju kushtojnë 3,890 lekë, shqiptarët duhet të paguajnë rreth 2.2 herë më shumë.

Për çdo një litër benzinë të blerë në vend, 100 lekë janë taksa.  Nga këto, 68 lekë janë taksa fikse, ku përfshihet akciza, 37 lekë; taksa e qarkullimit 27 lekë; taksa e karbonit 3 lekë, markimi i karburantit 1 lekë. Ndërkohë që TVSh mbi çmimin e blerjes ( çb*0.2) përllogaritet rreth 25 lekë. Në qoftë se do ta zhvishnim çmimin e karburantit nga këto taksa, 50 litra benzinë do të kushtonin afërsisht 3,500 lekë, apo 25.5 euro, më shtrenjtë se Gjermania, Holanda apo Shtetet e Bashkuara.

Të tjerët

Në Europë, në vend të parë për çmimin më të shtrenjtë të benzinës e kanë italianët, të cilët për 50 litra benzinë duhet të paguajnë afërsisht 76.6 euro (1.5 euro/litër), ose 10,400 lekë. Për çdo litër karburant ato paguajnë 1 euro taksa, shkruan Corriere Della Sera.

Për çmimin e naftës, Italia ka arritur të lërë pas vetëm vende si Mbretëria e Bashkuar apo edhe Zvicra, duke u pozicionuar kështu në vendin e tretë.

Mes TVSH-së dhe akcizës (të cilën për momentin qeveria e Gentiloni-t nuk parashikon ta rrisë në manovrën e ardhshme fiskale) barra fiskale ka qëndruar në nivelin e 1 euro për litër.

Kjo do të thotë se një mbushje e plotë e depozitës së karburantit kushton për qytetarët italianë rreth 50 euro me gjithë taksa dhe 25-26 euro në vlerë neto.

Nuk është asgjë e ngjashme me atë që ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku barra fiskale përbën rreth 20%. Por, natyrisht bëhet fjalë për një ‘botë tjetër’.

Revista Monitor,  12.04.2017