Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Po kur të mbarojë TAP? Përgjigjet Braçe

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe flet në një intervistë të gjatë për gazetarin Enio Civici. Çfarë po ndodh me rritjen ekonomike? Kush do të zëvëndësojë TAP në bilancin e investimeve të huaja? Sa po ndikon vetting-u në të bërin biznes në Shqipëri?

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe: “Kini parasysh se nga u nisëm. Po të nisesh nga ajo situatë që ne kishim, me klimën e biznesit së pari dhe veçanërisht me atë që ishte marrëdhënie e drejtpërdrejtë midis qeverisë dhe kompanive private në këtë vend, borxhit të jashtëzakonshëm dhe të shtuar dhe ende të pazbardhur përfundimisht deri në qindarkën e fundit apo ende të papaguara deri në qindarkën e fundit përkundrejt sipërmarrjes, natyrisht që e vështirë është që të marrësh më tepër se sa kaq. E vështirë sepse:

E para, klima e biznesit e bën një investitor të huaj të mendohet mirë para se sa të vijë në Shqipëri. E dyta, më ngushtë se sa klima e biznesit marrëdhëniet apo garancitë juridike që duhet t’i japë një pushtet drejtësisë, i pavarur, funksional, dhe natyrisht i ndershëm, i pa korruptuar, janë A-ja e çdo investitori të huaj që vjen në territorin e Republikës së Shqipërisë apo kudo qoftë. Është e vështirë të flasësh me të kur garancitë burojnë nga një deputet, nga një ministër, burojnë qoftë edhe nga një ekzekutiv që është njëra palë, dhe nuk vijnë nga garant të përbotshëm institucional siç janë gjykatat siç është sistemi i drejtësisë.

E treta që është akoma më e rëndësishme, situata ekonomike që ishte në tërësi në vitin 2013, kur ne morëm vendin. Me trend rënës të rritjes ekonomike dhe pa ndonjë shpresë rikuperimi në vitin në vijim, natyrisht që e bënte të stepej investitorin e huaj më të devotshëm, më optimist që të investonte në Shqipëri.

Them të gjitha këto, duke pasur parasysh të gjithë treguesit, veçanërisht dhe reformat që kemi ndërmarrë në fushën e përmirësimit të klimës së biznesit, natyrisht që tani është momenti që një sërë tentativash për investime të huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri të fillojnë të maturohen për t’u kthyer në vepra reale në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe natyrisht se cila prej tyre do dhe kohën e vetë.

Por pa asnjë lloj diskutimi, që sektori energjetik në Shqipëri, përfshirë hidrokarburet, përfshirë veprat madhore hidro, energjetike apo dhe termo (nesër, pasnesër), apo edhe ato që vijnë nga energjia e gjelbër, etj me radhë, do ta udhëheqë ende ritmin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri.

Është e vetmja pasuri që kemi. Këto investime bazohen fort tek burimet kombëtare, qoftë nafta, qoftë energjia. Ajo që mua më dhëmb në këtë histori, pra në historinë e investimeve të huaja direkte ka të bëjë me sektorin minerar, veçanërisht tek mineraret e forta.

Po mbetet në vijimësi një sektor që nuk po thith investime të huaja të mëdha, strategjike, serioze, dhe nuk po shkon drejt asaj që është jetike për ne, tek përpunimi këtu në vend. Kjo mbetet edhe për sektorin e hidrokarbureve si problem madhor i investimeve të huaja.

Tashmë kërkon vëmendje të shtuar dhe të fokusuar drejtpërdrejt këtu, përndryshe në do vazhdojmë të shesim lëndë, siç po shesim për naftën, ç’del direkt nga toka, pa asnjë lloj vlere të shtuar, për shkak përpunimit të munguar, për shkak të dështimit të të gjitha iniciativave në privatizimin e këtij sektori, në privatizimin e sektorit të përpunimit të naftës.

Dhe e njëjta histori është edhe në sektorin e përpunimit të mineraleve, ne vazhdojmë të shesim gur (të themi realisht), shesim gur nga kromi, nga bakri, dhe nuk përpunojmë në vend.

Unë mendoj që tani është momenti, që ne të thithim investime të huaja për përpunim. Shpresoj shumë që institucionet, qeveria, ministritë respektive, ajo e industrisë, ajo e ekonomisë, etj me radhë, duhet të bëjnë një super sforco për të thithur investitorë të cilët merren me përpunimin e produkteve që dalin drejtpërdrejtë nga mineralet sot, qoftë nga nafta, qoftë nga mineralet e ngurta.

Sepse jemi nevojtarë, pa diskutim tek eksporti i produkteve që prodhohen ne vendin tonë me vlerë të shtuar më të madhe se ajo që po eksportojmë sot, si naftë bruto, apo si minerale të po këtij karakteri”.

Scan Tv,  10.04.2017