Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Efiçenca e energjisë, Shqipëria rrezikon penalizim

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë paralajmëroi Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën për moszbatimin e rregullave për eficiencën e energjisë.

Në një njoftim zyrtar të institucionit, që merret me politikat ndërkombëtare të energjisë, thuhet se Sekretariati i qëndron mendimit se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina kanë shkelur në mënyrë të vazhdueshme ligjin e Komunitetit të Energjisë, duke mos miratuar të gjitha dispozitat ligjore të nevojshme për të arritur një nivel të mjaftueshëm të zbatimit të dispozitave të Direktivës 2006/32 / KE, objektivi i të cilit është që të promovojë dhe monitorojë shërbimet e energjisë dhe masa të tjera për përmirësimin e efikasitetit energjetik. Për më tepër, Sekretariati pohon se duke mos miratuar Planin e Veprimit të Eficiencës së Energjisë siç kërkohet nga Direktiva, këto palë Kontraktuese janë ende në shkelje të detyrimeve të tyre që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Qëllimi i Direktivës është të bëjë të mundur përdorimin fundor të energjisë më ekonomike dhe efikase, duke vënë objektiva dhe stimuj, si dhe duke krijuar kornizat institucionale, financiare dhe ligjore të nevojshme për të eliminuar barrierat e tregut dhe defektet të cilat pengojnë përdorimin final të energjisë.

Në rastin e Shqipërisë, mosplotësimi përfshin mungesën e legjislacionit dytësor për zbatimin e Ligjit të Eficiencës së Energjisë dhe mungesën e përshtatjes së një Plani të Veprimit për Eficiencën e Energjisë.

Pas paralajmërimit, Shqipërisë i është kërkuar që të korrigjojë çështjet e identifikuara të mosrespektimit brenda afatit prej dy muajsh.

Si anëtarë e Komunitetit të Energjisë dhe angazhimeve të tjera të marra prej saj, Shqipëria është e angazhuar për të ndjekur prirjen e Bashkimit Europian për eficiencën e energjisë, duke adoptuar legjislacionin në përputhje me Acquis të BE për Eficiencën e Energjisë, Energjive të Rinovueshme etj., dhe të përgatisë periodikisht Planet Kombëtare të Veprimit, monitorimin dhe raportimin mbi realizimin e objektivave të energjisë së rinovueshme, eficiencës së energjisë dhe reduktimit të emetimeve të gazrave me efekt serë. Objektivi konkret afatmesëm i vendosur nga Qeveria Shqiptare në këtë kontekst, është ulja e konsumit të energjisë prej 9% deri në vitin 2018.

Në zbatim të këtyre detyrimeve, në nëntor 2015, Parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin Nr. 124 dt. 05.11.2015 “Për eficiencën e energjisë”, si mekanizëm për transpozimin e Direktivës 2012/27 të BE “Për Eficiencën e Energjisë”, si hap të parë drejt transpozimit të plotë të direktivave të BE-së për eficiencën e energjisë. I botuar në Fletoren Zyrtare numër 201, të 24 nëntor 2015, ky ligj ka hyrë në fuqi më 9 dhjetor 2015 duke parashikuar që të sillte rezultatet e para dhe ngritjen e institucioneve të reja brenda 12 muajve në vijim.

Kur kanë kaluar mbi 15 muaj nga hyrja në fuqi e dispozitave të tij, situata e hartimit të akteve dytësore paraqet vonesa të theksuara. E njëjta situatë me shkelje të afateve konstatohet edhe në lidhje me ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të parashikuara nga ligji.

Nëse nuk ecet me shpejtësi dhe bllokohet procesi, kjo mund të ndikojë negativisht në rekomandimet që Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, – një institucion që ka për qëllim të zgjerojë tregun integral të energjisë së BE-së në Europën Juglindore e më tej përmes një kuadri ligjor detyrues – do të japë për Shqipërinë, me efekt në marrëdhëniet që vendi ka me të tretët për energjisë, deri në huatë ndërkombëtare që i jepen shtetit shqiptar për energjinë.

Revista Monitor,  05.04.2017