Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ARMO furnizon 35% të tregut me naftë

Importet e karburanteve vijuan rënien e nisur në janar edhe gjatë muajit shkurt, teksa Ministria e Financave raportoi 35% më pak zhdoganime të naftës për dymujorin në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave zyrtare, importet e naftës gjatë shkurtit ishin vetëm 23.9 mijë tonë, me një rënie 32% krahasuar me shkurtin 2015.

Burimet nga tregu pohojnë se rënia e importeve në këto nivele i dedikohet furnizimit të tregut me naftë vendi. Rivënia në punë e rafinerisë ARMO në vjeshtën e vitit të kaluar po furnizon rreth 35% të nevojave të tregut të brendshëm për këtë produkt, teksa po vijon eksporti edhe në Kosovë dhe në Maqedoni. Të njëjtat burime pohuan se importi i naftës realizohet vetëm nga një kompani, Kastrati, dhe pjesa tjetër që më parë importonin tani furnizohen nga ARMO.

Sipas të dhënave që ka nxjerrë më herët Ministria e Energjetikës, nëse ARMO vendos në punë të gjithë kapacitetin përpunues, atëherë nafta e gatshme për konsumin do të jetë 375 mijë tonë në vit, duke përmbushur gati 60% të konsumit në vend, i cili vlerësohet rreth 550-600 mijë tonë në vit.

Në shtator të vitit të kaluar, Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Kompania rezulton e regjistruar off-shore në ishujt britanikë Virgin.

Në të njëjtën periudhë, prodhuesi më i madh i naftës në vend Bankers Petroleum njoftoi se nënshkroi një marrëveshje me Jonian Refining dhe Trading për t’i shitur asaj deri në 65% të prodhimit të naftës bruto tek IRTC.

Një tjetër shqetësim është cilësia e naftës për të cilën nuk ka informacion nga autoritetet nëse është e një niveli të pranueshëm për t’u përdorur nga automjetet.

Revista Monitor,  05.04.2017