Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fillon ulja e çmimeve të karburantit në vend

Pasi u rritën vetëm pak javë më parë, çmimet e naftës janë ulur me 5-6 lekë për litër ditët e fundit në disa nga pikat kryesore të tregtimit me pakicë.

Është Kastrati, operatori më i madh në vend ai që reduktuar çmimin e karburanteve. Një litër naftë tregtohet me 167 lekë, nga 173 lekë që ishte më parë. Edhe benzina shitet më lirë, me 168 lekë. Burime nga kompania thanë se ky është një reflektim i shpejtë i ecurisë së tregjeve ndërkombëtare.

Eida, i dyti më i madh, nuk e ka reflektuar ende këtë rënie të çmimeve dhe e tregton naftën me 171 lekë, ndërsa dhe tek operatorët e tjerë Alpet dhe Gulf, nafta tregtohet me 172-173 lekë për litër. Gega, operatori tjetër i madh në tregun e pakicës konkurron përgjithësisht me çmime më të ulëta, në rreth 164 lekë.

Arsyeja kryesore e rënies së çmimeve lidhet me ecurinë e tyre në tregjet ndërkombëtare. Pasi u ngjit në gati 60 dollarë për fuçI në janar-shkurt, ari i zi ka zbritur në rreth 50 dollarë për fuçi ditët e fundit, si rrjedhojë e rritjes së prodhimit. Kjo situatë ka bërë që OPEC të mendojë për një reduktim të furnizimit me naftë, në mënyrë që të nxisë çmimet.

Edhe tregu i brendshëm ka pësuar ndryshime muajt e fundit. Teksa rafineria e naftës ARMO ka rifilluar punën, prodhimi vendas vlerësohet aktualisht të zërë rreth 40% të tregut. Në janar, sipas të dhënave zyrtare, importet e karburanteve shënuan rënie pikiatë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në janar u importuan vetëm 21,899 tonë karburante me një rënie 38% në krahasim me janarin e vitit 2016.

Burimet nga tregu pohojnë se shkak për këtë rënie është bërë vënia në funksion e rafinerisë së përpunimit të naftës, ARMO. Uzina, që u rikthye në punë në fund të vitit të kaluar, duket se ka përmbushur gati 30 për qind të kërkesës vendase për naftë. Vetëm Kastrati rezulton të ketë importuar naftë në janar, ndërsa operatorët e tjerë janë furnizuar në tregun e brendshëm.

Në shtator të vitit të kaluar, Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt britanikë Virgin.
Në të njëjtën periudhë, prodhuesi më i madh i naftës në vend Bankers Petroleum njoftoi se nënshkroi një marrëveshje me Jonian Refining dhe Trading për t’i shitur asaj deri në 65% të prodhimit të naftës bruto te IRTC.

Revista Monitor,  03.04.2017