Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjitika në krizë financiare të trashëguar

Ndonëse viti i kaluar ishte një ndër vitet më të mirë të prodhimit të energjisë, falë reshjeve të bollshme dhe hyrjes në treg të një numri jot ë vogël të operatorëve privatë, sërish sistemi energjetik në vend ngelet ende vulnerabël në drejtim të garantimit të cilësisë dhe kostos së shërbimeve ndaj qytetarëve.

Sistemi energjetik gjendet prej kohësh në një krizë financiare të trashëguar nga periudhat e mëparshme. Ai ka një mungesë të theksuar efiçense, si rezultat i detyrimeve të akumuluara midis shoqërive publike të sektorit dhe kredive të shumta të marra për përballimin e kësaj krize. Kjo mungesë efiçense ndikon në rritjen e kostove të shërbimit dhe rrjedhimisht sjell një impakt negativ mbi treguesit makro ekonomik.

Por, jo vetëm e kaluara ndikon mbi sektorin. Performanca e ulët e shoqërive publike të sektorit energjetik, ka sjellë rritje të nivelit të borxheve të ndërsjella ose, në rastin më të mirë, uljen me ritme shumë të vogla të tyre.

Detyrimet e të tretëve ndaj operatorit të shpërndarjes kanë ardhur në rënie, megjithatë ato mbeten nivele tepër të larta. Nëse në vitin 2013, ato ishin 117.8 miliardë lekë, në vitin 2016 janë pakësuar, por gjithsesi totali i tyre mbetet 105.2 miliardë lekë, ose 774 milionë euro.

Sipas një raporti të KLSH, detyrimet e ndërsjellta totale të KESH, OSHEE dhe OST, deri më datën 20 shtator 2016, llogariten në 80.6 miliardë lekë. Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për blerjen e energjisë elektrike është 50.9 miliardë lekë (370 milionë euro). Detyrimi i OSHEE ndaj KESH për huatë afatgjata është 11.3 miliardë lekë.

Detyrimi i OSHEE ndaj OST për transmetim energjie, shërbime dhe kredi është 8.2 miliardë lekë. Detyrimi i OST ndaj KESH për energji, shërbime dhe kredi, është 10.2 miliardë lekë.

Në bazë të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim, detyrimi i mbetur i OSHEE ndaj CEZ AS, deri më datë 20 shtator 2016, ishte 5.8 miliardë lekë, konstaton KLSH.

Për herë të parë që nga viti 2010, Shqipëria rezultoi vjet eksportuese neto e energjisë elektrike. Arsyet lidhen me reshjet e bollshme, rënien e konsumit në vend dhe me rritjen e prodhimit nga objektet prej investitorëve privatë.

KESH ka njoftuar se vitin e kaluar ka eksportuar 700 milionë kilovatorë energji.
Konsumi i energjisë elektrike u ul me 2.3% në vitin 2016 sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë. Por, nga të dhënat krahasuese, shihet se është ulur në mënyrë të ndjeshme konsumi në konsumatorët e tensionit të lartë. Këto kategori janë kryesisht biznese, konsumi i të cilave ra me 17% më 2016. Nga 610 milionë kilovatorë që konsumoi kjo kategori në vitin 2015, vitin e kaluar ka konsumuar 503 milionë kilovatorë.

Borxhet
Detyrimet e të tretëve ndaj operatorit të shpërndarjes kanë ardhur në rënie, megjithatë ato mbeten nivele tepër të larta. Nëse në vitin 2013, ato ishin 117.8 miliardë lekë, në vitin 2016 janë 774 mln euro

Prodhimi
Për herë të parë që nga viti 2010, Shqipëria rezultoi vjet eksportuese neto e energjisë elektrike. Arsyet lidhen me reshjet e bollshme, rënien e konsumit dhe me rritjen e prodhimit nga objektet e privatëve

Konsumi
Konsumi i energjisë elektrike u ul me 2.3% në vitin 2016 sipas të dhënave të ERE-s. Por, shihet se është ulur në mënyrë të ndjeshme konsumi nga klientët biznese, konsumi i të cilave ra me 17% më 2016

Bilanci
Të ardhura rekord nga turizmi më 2016.Shqipëria përfitoi mbi 1.5 miliardë euro nga turizmi në vitin 2016. Shifra, e cila përbën nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, u raportua nga Banka e Shqipërisë. Sipas të dhënave që Banka publikoi në bilancin e pagesave, rezulton se krahasuar me vitin 2015 të ardhurat nga turizmi u rritën me 13 për qind duke i sjellë ekonomisë kombëtare 175 milionë euro më shumë. Dalja e Eurozonës nga kriza, por edhe rritja së fundi e interesit për Shqipërinë në tregun turistik, e ka shndërruar turizmin në sektor udhëheqës të rritjes ekonomike.

Shqiptarja.com  03.04.2017