Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tremujori IV 2016, eksporti metaleve në rritje

Eksportet e grupit të mineraleve dhe lëndëve djegëse kanë ndërprerë tendencën rënëse në tremujorin e fundit të vitit 2016.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar eksportet e këtij grupi prekën vlerën e 13.8 miliardë lekëve, në rritje me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kthimi i rritjes në grupin e mineraleve dhe lëndëve djegëse rezultoi përcaktues në rritjen e eksporteve, që, pikërisht në muajt e fundit të vitit, arritën të përmbysnin ecurinë rënëse që kishte karakterizuar pjesën më të madhe të vitit.

Rritja e eksporteve të mineraleve është mbështetur nga rimëkëmbja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare për naftën dhe shumicën e lëndëve të para.

Të dhënat e eksporteve të naftës nuk janë të disponueshme, sepse Instat i klasifikon ato si konfidenciale, duke qenë se i takojnë një ndërmarrjeve të vetme, Bankers Petroleum.

Ndërkohë, eksportet e kromit janë rritur në vlerë me 150 % krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Rritja e çmimeve të lëndëve të para shtron perspektiva pozitive për eksportet shqiptare, siç u nënvizua të mërkurën edhe nga Guvernatori Gent Sejko.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ka një kontribut në rritje të kërkesës së jashtme në strukturën e rritjes ekonomike. Sidoqoftë, sektori i mineraleve ngelet përballë sfidës për të rritur shkallën e përpunimit në vend dhe vlerën e shtuar të produktit që eksportohet.

Scan Tv,  31.03.2017