Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Banka botërore viziton Fierzën

Delegacioni me drejtues të Bankës Botërore viziton Hidrocentralin e Fierzës

Një delegacion i Bordit Drejtues të Bankës Botërore, nën shoqërimin e zt. Pagano (Drejtor Ekzekutiv për Shqiperine, Greqinë, Italinë, Maltën dhe Portugalinë) dhe znj. Ellen Goldstein (Drejtor vendor për Europën dhe Azinë Qendrore), zhvilloi dje një vizitë pune në ambientet e hidrocentralit të Fierzës. Delegacioni kryesohej nga Ms. Mathiasen (Drejtor Ekzekutiv per Shtetet e Bashkuara te Amerikes) dhe në përbërje të tij ishin Drejtoret Ekzekutive te vendeve te tjera (z. Godts, z. Gruber, z. Allford dhe zt. Gar).

Gjatë inspektimit të një prej veprave më të rëndësishme të Kaskadës, i pranishëm ishte edhe zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Ilir Bejtja dhe administratori i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare z. Agron Hetoja.

Palët diskutuan mbi reformën e ndërmarrë në sektorin elektroenergjitik ashtu sikurse ndikimin e saj në axhendën e reformave makro-fiskale e strukturore të Shqipërisë. Banka Botërore rikonfirmoi mbështetjen e saj për projektet në zbatim si ai i Sigurisë së Digave dhe ai i Rimëkëmbjes së Sektorit Energjitik.

Administratori i KESH-it, z. Agron Hetoja bëri një prezantim të shkurtër të historikut të ndërtimit dhe ndryshimet në infrastrukturën e hidrocentralit të Fierzës. Gjithashtu, ai u ndal tek përpjekjet që KESH-i ka bërë për menaxhimin e sigurtë dhe eficient të kaskadës, si dhe kontributin në arritjet e deritanishme në përmirësimin e sektorit.

Duke siguruar mbështetjen e Bankës Botërore për vazhdimësinë e financimit të Programit për Sigurinë e Digave, drejtuesi i KESH-it kërkoi financim të mëtejshëm për rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese në Hidrocentralin e Fierzës. Gjithashtu, Banka Botërore shprehu interes edhe përsa i përket zhvillimit të kapaciteteve të reja gjeneruese nga KESH-i.

Drejtori i Hidrocentralit të Fierzës z. Ergys Verdho shoqëroi pjesmarrësit e këtij takimi për të parë nga afër dhe njohur punën e agregateve të prodhimit dhe përmirësimet ne infrastrukturen hidroteknike në digë dhe portat e shkarkimit.

Në përfundim të takimit, drejtuesit e Bankës Botërore vlerësuan bashkëpunimin e deri më tanishëm me Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare dhe shprehen gadishmërinë e tyre për të mbështetur fuqizimin e metejshme të Korporatës në mjedisin e ri të biznesit të mundësuar nga reforma ligjore dhe rregullatore.

energjia.al  31.03.2017