Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

StarTek lajmëron ndërtimin e dy HEC-eve

Dy investime në formën e HEC-eve të vogla mbi lumin Erzen janë lajmëruar nga kompania StarTek.

Kompania ka aplikuar zyrtarisht në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës për ndërtimin e dy HEC-ve me fuqi të instaluar 2-MW në lumin Erzen që është edhe nga destinacionet me joshëse turistike në territorin e kryeqytetit.

HEC-et “Domja” dhe “Selba” pritet të ndërtohen sapo Ministri i Energjisë të japë miratimin. Kompania që do të zhvillojë këto projekte ka përvojë në fushën e ndërtimit nëpërmjet projekteve të vilave në Rolling Hills dhe në Gjirin e Lalëzit.

Kompanitë e ndërtimit vitet e fundit kanë vërshuar të diversifikojnë portofolin nëpër investimeve në HEC-e pasi sektorin në të cilin operonin prej vitesh u maturua.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) ka bërë me dije se në vitin 2016 janë trajtuar 82 kërkesa për ndërtimin e objekteve të reja të prodhimit të energjisë nëpërmjet HEC-eve.

Aktualisht, pranë Drejtorisë Hidroenergjetike, janë 185 Kontrata Koncesionare (formës BOT, ROT, BOO) të nënshkruara ndërmjet Autoritetit Kontraktor (Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë) dhe Shoqërive Koncesionare vendase apo të huaja, për ndërtimin e 525 hidrocentraleve të tipit me derivacion, me digë apo dhe të kombinuara. Nga këto HEC-e, sipas AKBN, 117 janë në prodhim dhe 43 në ndërtim, të tjerat janë në fazën e ndjekjes së procedurës së lejeve.

Gjatë monitorimeve janë vënë re vonesa të dokumentacionit dhe mosrespektim i afatit nga subjektet koncesionare dhe studiot e projektimit. AKBN vlerëson si problematike mungesën e një software për të mundësuar krijimin e një baze të dhënash hartografike mbi vendndodhjen e të gjitha HEC-eve në Shqipëri.

Me ndryshimet ligjore që janë bërë gjatë vitit 2015, investimet e reja në HEC-et 2MW bëhen me miratimin e Ministrit të Energjisë, pa pasur nevojë të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave siç ka qenë praktika e mëparshme.

Megjithë ndikimin negativ në mjedis kërkesat për ndërtimin e HEC-ve të vogla kane qenë më rritje si edhe punimet në terren. Këto investime shpesh janë bërë duke krijuar dëme në bujqësi dhe zonat e Mbrojtura siç është rasti i Valbonës.

Revista Monitor,  28.03.2017