Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Arabia i lehtëson barrën “Saudi Aramco”-s

Qeveria e Arabisë Saudite ka ulur tatimin mbi të ardhurat që paguan gjiganti  kombëtar i naftës Saudi Aramco, në mënyrë që të lehtësojë procesin e ofertës publike fillestare të kompanisë në vitin që vjen.

Kjo pritet të jetë shitja e titujve të kapitalit më e madhe e regjistruar ndonjëherë në botë. Qeveria caktoi një normë tatimore prej 50% për firmën. Më  përpara, Aramco paguante një normë prej 85%. Kjo masë ka gjasa të reduktojë barrën tatimore të Saudi Aramco me dhjetëra miliardë dollarë, gjë që mund të bëjë firmën më tërheqëse nga investitorët privatë.

Ekzekutivët e industrisë atje thonë se ky urdhër mbretëror i hap dritën jeshile ofertës fillestare publike më të madhe në botë. Analistët thonë se kjo tregon seriozitetin e qeverisë mbi listimin e kompanisë Saudi Aramco. Qeveria synon të shesë 5% të pronësisë, duke i listuar aksionet në Riad dhe të paktën në një bursë të huaj, për të injektuar para që do të përdoren në industri të reja, ndërkohë që Mbretëria kërkon të diversifikojë ekonominë nga nafta.

Zyrtarët e Arabisë Saudite projektojnë që vlera e kompanisë të arrijë në 2 trilionë dollarë. Qeveria është gjendur në vështirësi të mbushë hendekun në buxhet, që arriti në 79 miliardë dollarë vitin e kaluar, dhe kjo masë lehtësuese për Saudi Aramco mund të ndikojë financat.

Megjithatë, analistët thonë se kjo masë nuk ka gjasa të përbëjë një problem, pasi këto të ardhura do të zëvendësohen me pagesat e dividentëve nga kompania.

Scan Tv,  28.03.2017