Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, kompania kanadeze nis hulumtimet për minerale

Projekti “Crepula”, sipas faqes zyrtare të kompanisë kanadeze “Altair Rexources Inc”, është blerë nga ndërmarrja “AGJA” në Kosovë. Ajo posedon 90 për qind të projektit, gjegjësisht aksione të kompanisë nga Kosova, për çka ka paguar 300 mijë dollarë me këste. Pacolli: Druaj se është marrëveshje e fshehtë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë

Kompania kanadeze “Altair Rexorces Inc” ka filluar hulumtimet për plumb, zink dhe argjend në Crepulë të Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës. Projekti “Crepula”, sipas faqes zyrtare kanadeze “Altari Rexources Inc”, të cilin e përcjellin mediet serbe në veri të Mitrovicës, është blerë nga ndërmarrja “AGJA” e Kosovës.

Kompania ka njoftuar se posedon 90 për qind të projektit – aksione të kompanisë nga Kosova, për çka ka paguar 300 mijë dollarë me këste. “Altair Rexources Inc” gjithashtu posedon raport të hollësishëm për “Crepulën”, të cilin e ka hartuar Perry Grunenberg, i cili në nëntorin e vitit 2015 kishte vizituar Crepulën, fshatin serb në komunën e Zubin Potokut. Sipas informacioneve që ka publikuar kompania, marrëveshja në mes të “Altair Rexorce Inc” dhe ndërmarrjes “AGJA” për shitjen e aksioneve është arritur në gushtin e vitit 2015. Për marrëveshjen e arritur në mes të “Altair Rexorce Inc” dhe ndërmarrjes “AGJA”, e cila është pajisur me licencë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerare – KPMM, sipas medieve serbe janë në dijeni edhe autoritetet kosovare. Sipas tyre, Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës, si dhe ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, janë takuar në Prishtinë me përfaqësuesit e kompanisë kanadeze “Altair Rexorce Inc”, ndërsa i pranishëm ishte edhe ambasadori kanadez në Prishtinë, Daniel Maksymiuk.

Hulumtimet në territorin e Crepulës, siç pohohet në raportin e hollësishëm, janë realizuar në vitin 2007 dhe në vitin 2008 kur ato i ka kryer kompania “Lydian”, respektivisht firma e regjistruar në Kosovë “Kosovo Recource Company”, ndërsa shtohet se shpimi dhe hulumtimet janë kryer edhe nga ana e qeverisë së ish-Jugosllavisë në vitet e ’70-ta dhe ’80-ta, por edhe në vitin 1959 kur ato i kishte kryer “Trepça”.

Sipas informacioneve të kompanisë, janë planifikuar të shpohen (hapen) 10 deri në 20 gropa, të paktën në madhësi prej 1000 metrash, që do të varen nga rezultatet përfundimtare të kompanisë. Shpimet bëhen në bazë të hulumtimit preliminar, ndërsa gjithashtu, siç kanë thënë në “Altair Rexorce Inc”, ndërsa përcjell “Kossev”-i, kompania kanadeze ka licencë për të hulumtuar në një hapësirë prej 9.82 kilometrash katrorë në rajonin, siç thuhet, “në të cilin prej mesjetës është prodhuar plumb, zink dhe argjend”.

Në anën tjetër Behxhet Pacolli, president i AKR-së, pak kohë më përpara pati shfaqur frikën se Qeveria e Kosovës ka bërë marrëveshje me atë të Serbisë për minierën e Crepulës së Zubin Potokut. Ai pati thënë se për këtë ishte informuar nga “equities.com”.

“Sapo u informova nga ‘equities.com’ se kompania ‘Altair Rexources Inc’ ka kryer pagesën finale dhe ka kryer të gjitha obligimet për të marrë në pronësi minierën e Crepulës në rajonin e Zubin Potokut në veri të Kosovës. Kjo kompani ka licencë që kontrollon 9.82 kilometra katrorë të një territori historikisht të pasur me zink, plumb dhe argjend. Programi i eksplorimit ka filluar në vitin 2017, ku së shpejti pritet të fillojnë shpimet e nevojshme, gjë që e bën të dyshimtë faktin se si u pajis kjo kompani me këtë licencë dhe cilit institucion ia pagoi obligimet financiare? Shpresoj se kjo marrëveshje nuk është një marrëveshje e fshehtë e Qeverisë sonë me palën serbe”, pati thënë Pacolli.

Ndryshe, rajoni i Crepulës ku ndodhet edhe miniera është ndër minierat më të mëdha të zinkut në Kosovë. Ajo ndodhet në Crepulë të Zubin Potokut, një fshat i cili kufizohet me fshatrat shqiptare të Skenderajt dhe ka rezerva të llogaritura në 14 milionë tonë të mineraleve, që mund të nxjerrë 2.17 për qind plumb dhe 20 për qind zink ose 303.800 tonë plumb dhe 2.810.000 tonë zink.

Revista Monitor,  27.03.2017