Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

2016, prodhimi i energjisë u rrit me 21.7%

Gjatë vitit 2016, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike është 7.136 Gwh nga 5.866 Gwh, duke u rritur me 21,7%, krahasuar me vitin 2015, teksa konsumi ka pësuar rënie me 0.8%.

INSTAT njoftoi sot se rritja e prodhimit të energjisë elektrike në vitin 2016 ka ndikuar në rënien e importeve bruto me 22,4% dhe rritjen e eksporteve bruto të energjisë elektrike me 95,5%, krahasuar me 2015. Gjatë këtij viti, vendi rezulton të jetë eksportues neto i energjisë elektrike, për herë të parë në këto pesë vitet e fundit.

Energjia elektrike e prodhuar në vitin 2016 është 7.136 Gwh, ku 71,4% e prodhimit është realizuar nga hidrocentralet publike dhe 28,6% nga prodhues të pavarur privatë dhe koncesionarë.

Në vitin 2016, humbjet në rrjet janë 1.986 Gwh nga 2.196 Gwh që ishin në 2015, duke pësuar një rënie me 9,6%. Humbjet në shpërndarje në 2016 kanë rënë 11,8%, krahasuar me vitin e kaluar. Humbjet në transmetim janë rritur me 19,8% dhe përbëjnë 9,6% të humbjeve gjithsej në rrjet.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët në 2016 është 5.108 Gwh nga 5.069 Gwh që ishte në 2015. Gjatë kësaj periudhe, ky tregues ka shënuar rritje 0,8%, krahasuar me vitin e kaluar. Në 2016, konsumi i energjisë elektrike nga familjarët u rrit me 2,6%. Situata paraqitet ndryshe për konsumatorët jofamiljarë, konsumi i të cilëve u ul me 1,0%, krahasuar me vitin 2015.

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2016, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike është rritur me 45,7%, krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015, duke përbërë 43,0% të prodhimit vjetor 2016 nga 35,9% që përbënte në 2015. Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2016, rezultoi me rënie 31,8%, krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015.

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) është rritur rreth katër herë, krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015, duke arritur vlerën e 579 Gwh. Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2016, janë realizuar 57,5% të importeve bruto të vitit 2016 dhe 31,0%, të eksporteve bruto të kryera gjatë vitit 2016.

Revista Monitor,  24.03.2017