Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nis shqyrtimi i liçensimit të Albgaz

Enti Rregullator i Energjisë i ka hapur dritën jeshile procedurave për certifikimin e kompanisë me kapital 100% shtetëror të gazit natyror “Albgaz sh.a.” Vendimi i cili tashmë ka hyrë në fuqi lejon që  me regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesi, shoqërisë “Albgaz sh.a.” i hapet rruga për të aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për certifikimin si operator transmetimi, bazuar kjo edhe në ligjin “Për sektorin e gazit natyror”, si dhe për pajisjen me licencë për transmetimin e shpërndarjen e gazit natyror, në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenet 22, 23 dhe 24, të ligjit nr. 102/2015.

Vetëm pak ditë më parë TAP Shqipëri ndërmjetësoi takimin e parë zyrtar midis AlbGaz, shoqërisë së krijuar për operimin e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, dhe DESFA-s, operatori grek i sistemit të transmetimit të gazit, në Selanik të Greqisë.

Në dhjetor të 2016-ës qeveria shqiptare miratoi krijimin e kompanisë së re të quajtur “Albgaz”, e cila do të jetë me kapital 100% shtetëror. Kjo kompani sipas vendimit të qeverisë, do të funksionojë si një operator i kombinuar duke kryer veprimtarinë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të gazit natyror.

Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “Albagaz”, sh.a., do të jetë 359, 068, 000 lekë.

Deri në fund të vitit 2017, aktiviteti i shoqërisë do të financohet nëpërmjet fondeve që do të sigurohen nga  marrëveshja e huas, e lidhur me shoqërinë “Albpetrol”, sh.a. dhe/ose fondet që siguron mbi bazën e marrëveshjeve me institucione financiare dhe/ose donatorë vendas apo ndërkombëtarë.

Revista Monitor,  24.03.2017