Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Raporti i energjisë nga WEF, Shqipëria e 25

Forumi Ekonomik Botëror (WEF) ka publikuar indeksin e vitit 2017 të performancës arkitekturore të energjisë globale, ku radhit 127 vende të ndryshme të globit, përfshirë vendin tonë. Ky indeks radhit vendet në bazë të perfomancës energjetike, dhe Shqipëria gjendet në vendin e 25-të në nivel global, duke lënë pas saj edhe ekonomi mjaft të zhvilluara, si; Italia, Kanadaja, Belgjika, Holanda, Greqia, apo edhe Shtetet e Bashkuara.

Vendet e rajonit ndërkohë gjenden shumë prapa Shqipërisë, me një diferencë të theksuar. Forumi Ekonomik Botëror merr në konsideratë një sërë faktorësh për të kryer këtë renditje; si ndërveprimi me rritjen ekonomike dhe zhvillimin, qëndrueshmëria ambientale, apo aksesi në energji dhe siguria. Gjithsej janë 18 nën-indikatorë që ndahen në trekëndëshin energjetik.

Të tre indikatorët kryesorë marrin një pikëzim nga 0 te 1, dhe Shqipëria performon keq në atë të rritjes ekonomike, me vetëm 0.63 pikë. Në atë të qëndrueshmërisë ambientale grumbullon 0.78 pikë dhe në atë të aksesit në energji 0.70 pikë. Që prej vitit 2009, Shqipëria ka fituar plot 10 pozicione në renditjen e përgjithshme.

Në nën indikatorin e rritjes ekonomike, merren në konsideratë 5 faktorë të tjerë, si PBB për frymë nga energjia, importet dhe eksportet e naftës, çmimet e energjisë, etj. Shqipëria është një ndër dy vendet që merret si shembulli konkret se si, ekonomia e fortë nuk reflektohet domosdoshmërisht në performancë të mirë energjetike.

“Shqipëria dhe Paraguai janë shembujt e fortë të kësaj, pasi me një GDP për frymë që i radhit në fund të listës, dy vendet renditen në listën e vendeve me performancën më të mirë energjetike”, thotë Forumi Ekonomik Botëror në këtë raport.

Këtë gjë e ilustron mjaft mirë edhe ky grafik, ku Shqipëria pavarësisht se ka një PBB mjaft të ulët për frymë, regjistron një performancë tejet pozitive  në sektor. Në vend të parë në nivel global ndërkohë renditet Zvicra e ndjekur nga Norvegjia.

Scan Tv,  23.03.2017