Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ, Berisha kërkon ndihmën e PD

Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, pretendon para gjykatës se akuzat për përfshirjen e tij në skandalin e privatizimit të OSSH, kanë si qëllim të cënojnë nderin e tij, të denigrojnë figurën e babait si dhe të dëmtojnë imazhin e Partisë Demokratike para zgjedhjeve të 18 Qershorit.

Shqiptarja.com zbardh padinë e Shkëlzen Berishës kundër juristit të OSSH, Romeo Kara, i cili me dëshminë dhe dokumentet e tij ka implikuar Sali Berishën dhe Shkëlzen Berishën në privatizimin korruptiv të OSSH, privatizim i cili u ka shkaktuar rreth 500 milionë euro dëm taksapaguesve shqiptarë.

Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për deklarimin fajtor të Romeo Karajt për kryerjen e veprës penale të shpifjes, Shkëlzen Berisha, akuzat në adresë të tij, i kamuflon me Partinë Demokratike dhe me pozitat politike të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Referuar përmbajtjes së padisë, Shkëlzen Berisha kërkon ‘strehim politik’ tek Partia Demokratike, strategji të cilën duket se do ta përdorë edhe në rast të një përballje tjetër me drejtësisë, tashmë jo si akuzues, por si i akuzuar për implikimin në privatizimin e OSSH.

Nuk është më sekret se, komisioni hetimor për çështjen ‘CEZ’ po përgatit një dosje voluminoze, me dëshmi, fakte, transaksione dhe dokumente, të cilën do ta referojë në prokurori, në ngarkim të Shkëlzenit. Megjithatë, ky i fundit, ka nisur strategjinë e mbrojtjes.

“Të gjitha thëniet e mësipërme janë të pavërteta, konsiderohen shpifje nga ana jonë me qëllim denigrimin e figurës së z. Berisha, duke e lidhur atë me një aferë të dyshimtë korruptive dhe në një moment kohor që përket me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në vend.

Siç dihet botërisht, i dëmtuari akuzues është djali i ish-kryeministrit z. Sali Berisha, një figurë e rëndësishme për mbarë politikën e vendit në këto 25 vite dhe gjithashtu një zë i pazëvendësueshëm i opozitës së sotme shqiptare.

Duke shpifur botërisht ndaj djalit, natyrisht që cënohet edhe figura e ish kryeministrit Berisha, në dëm kjo dhe të opozitës së sotme parlamentare që po përgatit të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare”, thotë Shkëlzeni.

Nuk mohon lidhjet me Nue Kalajn  
Në padinë e tij, Shkëlzen Berisha as nuk mohon dhe as pohon para gjykatës lidhjet me sekserin e privatizimit të OSSH, Nue Kalaj, i cili ka tërhequr me çanta, në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, 6.8 milionë euro, duke i larguar më pas nga Shqipëria, pa paguar asnjë taksë dhe pa kryer një punë të dokumentuar. Në padinë e tij, Shkëlzeni sqaron vetëm raportin me Kastriot Ismailajn.

“Thënie e mësipërme janë ndërtuar në një mënyrë të tillë dhe në një rend kronologjik që të krijojnë bindjen tek dëgjuesi dhe mbarë opinioni publik, lidhur me përfshirjen e Shkëlzen Berishës në një aferë korruptive, e cila është edhe në hetim penal nga organet përkatëse.

Deklarimet e të akuzuarit nuk luajnë asnjë rol informues, pasi ato rezultojnë të pavërteta, por kanë si qëllim t’i përçojnë publikut mesazhin e qartë se shtetasi Shkëlzen Berisha, një herë djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, kryeministri i vendit në kohën kur pretendohen të kenë ndodhur faktet, është një bashkëpunëtor në krim, referuar veprimtarisë së ndërmjetësimit, nëpërmjet ndikimit të paligjshëm mes Ismailajt dhe kompanisë CEZ”, pretendon Shkëlzeni.

Dëshmitë dhe provat kundër Shkëlzenit 
E-maili i plotë i Josef Hejsek drejtuar Tomas Pelskac
Dërguar: E enjte, 28 Janar 2010, 22-40 PM
Nga: Josef Hejsek
Te: Tomas Pelskac
Subjekti: Shqipëri-Përgatitja e takimit me kryeministrin
Rëndësia: E lartë
Mirdita Tomas,
Në anekse janë përgatitur dokumentet. Ne do të përmendim gjithashtu kërkesat tona ndaj qeverisë, sa është debia që duhet paguar tani, rregullimin e çmimit etj.

Do të të pres ty me Nuelin në aeroport, në sallonin VIP.

Me Nuelin sapo mbarova negociatat e tjera. I shpjegova në detaje se çfarë kërkojmë.
Takimi me të birin, sipas Nuelit, është shtyrë për nesër pas ardhjes së PM (Kryeministrit).
Çfarë duhet të presim nga kryeministri?

Sipas Nuelit rezultatet në mënyrë të sigurt do të jenë pozitive dhe në 90 % konkrete. Ai më siguroi se për kryeministrin po punon një komision ndërministror i cili në mënyrë të specializuar po trajton problematikën tonë. (Mund t’ju konfirmoj që kam folur me disa anëtarë të komisionit që po merren me këtë marrëveshje).

Rezultatet e tyre nuk janë akoma të mbaruara apo përfundimtare. Ai më siguroi se përfundojnë shpejt dhe pas kësaj do ulemi sërish.
Si përfundim, sapo detajet e negociatave do jenë gati, do të fitojmë MR në Tiranë (Martin Roman). Gjithë të mirat.

Pretendimet e dëshmitarit Romeo Karajt
“Për sa kohë shkuan te djali, kanë pasur lidhje. Djali ka shkuar me këta me leje të të atit. Dhe kryeministri e ka deleguar atë.

Fakti që është gjetur Nuel Kalaj, një person emigrant në Francë, nga Prizreni, për të marrë pjesë në këtë privatizim, tregon se ka qenë i besuar i familjes së tij. Nuel Kalaj dhe Kastriot Ismailaj kanë qenë sekserë në marrëdhëniet mes ERE dhe CEZ, pasi ka pasur luhatje të çmimit të energjisë.

Kemi pagesat e bëra në nëntor-dhjetor të vitit 2010 dhe kemi një ulje të çmimit të blerjes së energjisë nga CEZ-i te KESH-i me pasoja për buxhetin dhe favorizime për CEZ-in.

Është premtuar 10 milionë dollarë për t’u paguar në dorë, është paguar një shumë e vogël e cila nuk ka shkuar në destinacionin e duhur. Pasi janë bërë këto pagesa, mblidhet ERE dhe merr një vendim për uljen e çmimit të energjisë në favor të kompanisë çeke.

P.sh nëse KESH e blinte me 8 lekë e shiste me çmimin 1 lek e ca. Në momentin që prishet kontrata me DIA, çmimi shkon nga 1.48 lek në 2.83 lek. Kemi një letërkëmbim ku futet sërish në lojë Nuel Kalaj”.

Lëvizjet e paregjistruara në kufi 
Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha ka udhëtuar jashtë vendit dhe pa u regjistruar në kufi. Sipas të dhënave të sistemit TIMS, figurojnë të paktën 9 lëvizje të pa kontrolluara në kufi të Berishës gjatë viteve 2009, 2010 dhe 2011.

Sipas këtyre të dhënave ai ka dalë nga Shqipëria 48 herë dhe është kthyer 54 herë. Kësaj moskonkordance shifrash i shtohen dhe lëvizje të tjera ku ai figuron të jetë kthyer në Rinas dhe mos ketë lënë gjurmë në kontrollin e TIMS për këtë punë.

16 janar 2009 sipas TIMS, Shkëlzen Berisha kthehet nga Vjena e Austrisë në Rinas por nuk figuron asnjë dalje e mëhershme jashtë shtetit. Në TIMS figuron një hyrje nga Turqia në 19 janar 2010, po pa regjistruar më herët asnjë lëvizje të tij dalëse në kufi. Drejt Vjenës udhëton sërish në datën 16 prill 2010 por nuk figuron gjëkundi Chek-imi i kthimit.

Zhvillon sërish një udhëtim në kryeqytetin austriak gjatë datave 16-18 maj. Mosfunksionimi i sistemit TIMS është përdorur shpesh si argument nga PD për të akuzuar eksponentë të maxhorancës së kanë kryer lëvizje të paregjistruara dhe për qëllime të paligjshme jashtë vendit.

Shqiptarja.com  09.03.2017