Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Karburantet, dyshohet për çmime padrejtësisht të larta

Autoriteti i Konkurrencës ka publikuar një përmbledhje të monitorimeve që ka zhvilluar në tregun e karburanteve për vitin 2016.

Monitorimet kanë treguar se tregu i karburanteve paraqitet me struktura të konsoliduara të shtrira në të gjitha nivelet e tregtimit, nga magazina e lirë doganore deri në stacionet e shitjes me pakicë. Investimet në infrastrukturën magazinuese apo në stacionet e shitjes më pakicë, kanë konsoliduar ndërmarrjet të cilat kanë fuqi financiare.

Për pasojë, thekson Konkurrenca, tregu i importit dhe shitjes me shumicë të karburanteve është i përqendruar, ku ndërmarrjet më të mëdha  kanë ruajtur stabilitetin e pjesëve të tregut. Duke qenë një treg që ofron produkte homogjene dhe pa barriera ligjore, vihen re hyrje apo dalje prej tij, por kjo konkurrencë potenciale nuk është e aftë të sjellë ndryshime strukturore.

Problematikat në drejtim të cilësisë së karburanteve apo sigurisë në peshëmatje, kanë bërë që konkurrenca mes firmave të jetë e dobët dhe zgjedhja e konsumatorëve të orientohet jo nga çmimi, por drejt logos së stacionit të pakicës.

Nisur nga këto karakteristika të tregut, monitorimi i realizuar nga Sekretariati pati si qëllim të vlerësoje tre çështje: strukturën e çmimit të importit dhe ngarkesës së barrës fiskale mbi këtë çmim; sjelljen e ndërmarrjeve të paintegruara në lidhje me çmimin e shitjes me pakicë dhe treguesit e tjerë financiarë; vlerësimin e treguesve financiarë të ndërmarrjeve të tregtimit me shumicë dhe pakicë,  për të parë për çmime “padrejtësisht të larta” dhe transferim të normave të fitimit nga një nivel tregtimi tek tjetri.

Në përfundim të analizës dhe vlerësimit të treguesve, u konstatua se në nivelin e shitjes me shumicë vihet re fleksibilitet i çmimit të shitjes, i cili ndjek bursën ndërkombëtare dhe çmimin e blerjes, kurse  në nivelin e pakicës, çmimi i shitjes është më pak dinamik, duke mos reflektuar çmimin e blerjes.

Integrimi i ndërmarrjeve të karburanteve në të dyja nivelet e tregtimit (shumicë dhe pakicë), ka krijuar politika të çmimit të tilla, ku marzhi më i lartë i fitimit të sigurohet nga ndërmarrjet e shitjes me pakicë të integruara me ato të shitjes me shumicë, marzh ky i cili është më i lartë se ndërmarrjet e pakicës, që janë të paintegruara. Referuar indeksit ROA u vu re se ndërmarrjet më të mëdha në tregtinë me shumicë dhe pakicë (“Kastrati” SHA dhe “Kastrati” SHPK kanë nivelin më të lartë të kthimit të aktiveve, krahasuar me ndërmarrjet e tjera, indeks ky i përmirësuar në vitin 2015.

Për një ndërmarrje me fuqi të ndjeshme në treg, treguesit e performancës financiare (normë fitimi dhe ROA) ngrenë dyshime për aplikim të çmimeve “padrejtësisht të larta” nga “Kastrati” SHPK. Për të siguruar që sjellja e ndërmarrjeve nuk bie ndesh me ligjin nr.9121/2003; AK do te vazhdojë monitorimin e këtij tregu, përfundon Konkurrenca.

Revista Monitor,  03.03.2017