Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Takimi me përfaqësinë e grevistëve të Zharrëzës

Minutat e takimit të mbajtur në datën 25.02.2017

Në datën 25.02.2017, në ambientet e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Zv.Kryeministri z. Niko Peleshi sëbashku me zv.ministrin e Energjisë z. Ilir Bejtja dhe kreun e Emergjencave Civile z.Shemsi Premçi pritën në një takim përfaqësinë e grevistëve të Zharrëzës. Takimi u zhvillua në një frymë pozitive dialogu për vazhdimin e procesit të filluar tashmë nga qeveria për zgjidhjen e situatës së krijuar dhe trashëguar prej vitesh.

Përfaqësuesit e qeverisë informuan përfaqësinë e grevistëve për masat e marra në kuadër të grupit ndërministror të ngritur me urdhër të Kryeministrit që në ditët e para të janarit. Gjithashtu u paraqitën masat që janë marrë në mënyrë të menjëhershme pas rikthimit të lëkundjeve në zonën e Zharrëzës në Nëntor-Dhjetor 2016.

Që në datën 26 dhjetor 2016 është urdhëruar ndalimi i injektimit të ujit teknologjik nga Bankers Petrolium në zonën e Zharrëzës, ndalim që vazhdon të mbetet në fuqi. Nga banorët u kërkua që ndalimi të bëhet definitiv çka është në përputhje edhe me raportin e grupit ndërministror që thotë “Bankers të ndalojë operacionet e injektimit të ujit në gëlqeror në zonën e Zharrëzës dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit teknologjik pa dëmtuar mjedisin, si dhe masa riparuese të nëntokës e mbitokës, sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat negative për komunitetin”.

Raporti i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, i përgatitur në bashkëpunim me pushtetin vendor si dhe Drejtorinë e Emergjencave Civile thekson se janë dëmtuar 508 shtëpi nga të cilat 70 me dëmtime shumë të rënda ose të rënda që kërkojnë ndërhyrje urgjente. Sipas raportit urdhërohet marrja e masave të menjëhershme për sistemimin e përkohshëm të banorëve, banesat e të cilëve janë vlerësuar si të pabanueshme dhe riparimin e shtëpive me dëmtime të rënda. Sistemimi i banorëve dhe riparimi i dëmeve të këtyre 70 banesave do të bëhet në masë të plotë nga qeveria pa pritur zbulimin shkencërisht të provuar të shkaqeve të lëkundjeve. Brenda javës që vjen, qeveria angazhohet të përmbyllë të gjitha modalitetet ligjore të kërkuara nga grupi ndërministror i punës, ngritur me urdhër të Kryeministrit. Për banesat që nuk klasifikohen në gjendjen e emergjencës do të dëmshpërblehen gjithashtu në mënyrë të plotë, në varësi të rezultateve të ekspertizës së pavarur ndërkombëtare mbi shkaqet e lëkundjeve. Banorët kërkuan që vlerësimi i dëmeve të mund të rikryhet në ato raste kur ka kontestime. Brenda javës së ardhshme do të ngrihet një grup me ekspertë teknikë për të rivlerësuar rastet e kontestuara nga banorët.

Vazhdon procesi i vlerësimit të shkaqeve nga vijnë lëkundjet. Mbi bazën e të dhënave të regjistruara është përzgjedhur një listë ekspertësh të pavarur ndërkombëtar mes të cilëve në diskutim me Bankers Petrolium dhe në respekt të marrëveshjes hidrokarbure do të përcaktohen ata që do analizojnë të dhënat dhe nxjerrin dokumentin e analizës shkencore. Eksperti teknik i pavarur do të përcaktojë në mënyrë objektive dhe asnjanëse shkakun e lëkundjeve por edhe do të propozojë zgjidhjen më optimale për teknologjinë e trajtimit të ujit dhe mbetjeve teknologjike që shoqërojnë nxjerrjen e naftës nga nëntoka sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Nënkryetari i Grupit të Posaçëm Ndërministror

Ilir Bejtja

energjia.al  27.02.2017