Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kërkohet të rivendoset taksa e riliçensimit të karburanteve

Pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi në nëntor të vitit të kaluar taksën e shumëfishuar të rilicencimit të pikave të karburanteve, që ishte 5 milionë lekë për Tiranën dhe 2 milionë lekë për rrethet, me argumentin se ishte shumë e lartë, Ministria e Industrisë dhe Energjisë po përpiqet ta rivendosë atë në një nivel pak më të ulët.

Burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohuan për ‘Monitor’ se ata janë të ftuar më 28 shkurt në një takim në Ministrinë e Industrisë për të diskutuar për tarifat e reja.

Burime nga Shoqata, thonë se Ministria e Industrisë dhe Energjisë do të tentojë të negociojë për tarifat 3 milionë lekë në Tiranë dhe 1.5 milionë lekë në rrethe, por edhe kjo tarifë konsiderohet e lartë nga Shoqata dhe nuk pritet të pranohet, përderisa Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi atë një herë.

Në dhjetor të vitit 2015, Këshilli i Ministrave vendosi në mënyrë të papritur dhe pa u diskutuar me grupet e interesit, të shumëfishojë pagesën për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet dhe vajrave lubrifikantë, duke e bërë atë 5 milionë lekë, për Bashkinë e Tiranës, dhe 2 milionë lekë, për bashkitë e tjera. Më parë, tarifat ishin përkatësisht 30 mijë lekë dhe 20 mijë lekë.

Vendimi u kundërshtua menjëherë nga Shoqatat e Hidrokarbureve, që pohuan se ajo do të transferohej direkt në çmimin final, me rreth 5-10 lekë për litër dhe realisht u reflektua në mesin e vitit të kaluar. Tarifa e rilicencimit paguhet një herë në 5 vjet, por në momentin që ajo u miratua pothuajse të gjitha pikave të karburantit u kishte mbaruar afati dhe iu desh të paguanin tarifat e reja në 2016-n.

Pasi vendimi u çua në Kushtetuese, më 2 nëntor 2016, Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi vendosur të pranoi pjesërisht kërkesën e grupeve të interesit, duke vendosur shfuqizimin e pikës 9 të kreut II të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e licencave për tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”.

Heqja e kësaj takse amortizoi disi rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare në dhjetor të vitit të kaluar, ku nafta kaloi mbi 50 USD për fuçi, por operatorët e mëdhenj në vend nuk e reflektuan në tregun e pakicës.

Kjo taksë përcaktohet me vendim nga Këshilli i Ministrave, por të ardhurat që vijnë prej saj përdoren nga bashkitë, ku ajo e Tiranës është përfituesja më e madhe, për shkak të nivelit të lartë, por edhe përqendrimit të pikave në zonën rreth kryeqytetit.

Revista Monitor,  27.02.2017