Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MEI: Takim me përfaqësues të grevistëve të Zharrëzës

Në kuadër të transparencës ndaj medias dhe opinionit publik, Ministria e Energjisë dhe Industrisë informon sa vijon lidhur me zhvillimet më të fundit referuar çështjes së protestës dhe grevës së banorëve të fshatit Zharrëz.

Me datë 21.02.2017, në Bashkinë Patos, zv.ministri Ilir Bejtja, prefekti Bushaj, kryebashkiakja Balilaj dhe deputetja Dhima pritën në një takim përfaqësues të komunitetit dhe protestuesve të Zharrëzës me të cilët diskutuan mbi situatën e krijuar nga lëkundjet në këtë zonë në periudhën Nëntor-Dhjetor 2016.

Në cilësinë e përfaqësuesit të Grupit të Punës Ndërministror të ngritur nga Kryeministri, z.Bejtja ju ka komunikuar pjesëmarrësve masat e marra dhe ato që po ndërmerren për zgjidhjen e problemeve të konstatuara prej banorëve. Në përfundim të diskutimeve, përfaqësuesit e komunitetit ranë dakord të ndërpritet greva dhe të bashkëpunojnë për përmbushjen e masave me sukses.

Konkretisht:

1. Është bërë tashmë nga MEI ndalimi i injektimit të ujit teknologjik në gëlqeror në zonën e Zharrëzës, në tre puse që nga data 26.12.2016. Nga kjo kohë u konstatua edhe nga përfaqësuesit e komunitetit se nuk ka pasur më lëkundje në zonë. Nga ana e banorëve u kërkua që të ndalohet në mënyre permanente injektimi i ujit në gelqërorë në këtë zone, ashtu siç edhe theksohet në urdhrin e Kryeministrit.

2. Është në finalizim blerja nga ana e Albpetrol e 3 sizmografëve dhe 6 akseleromarrësve që do të shërbejnë për matjen e saktë dhe monitorim të lëkundjeve në zonë në të ardhmen. Ka filluar puna për ndërtimin e bazamenteve për instalimin e tyre dhe ky proces ka nisur që nga dt. 27.01.2017.

3. Instituti i Gjeoshkencës ka propozuar një listë me ekspertë të huaj të pavarur midis disa instituteve të specializuara për këtë qëllim në rajon dhe botë. Është dakordësuar me Bankers Petrolium për tu ulur e caktuar bashkarisht, në përputhje me detyrimet ligjore ekspertin e pavarur për vlerësimin e të dhënave sizmike të deritanishme dhe nxjerrjen e konkluzioneve finale për identifikimin e shkakut të lëkundjeve.

4. Që prej vitit 2014 por edhe tanimë në mënyrë më intensive që prej 22.12.2016, Albpetrol po monitoron dhe kontrollon të gjithë hapësirën e fushës së naftës e gazit të Patoz-Marinzës dhe në veçanti injektimin e ujit në nëntokë.

5. Është bërë vlerësimi nga ana e SHGJSH (Shërbimit Gjeologjik Shqiptar) lidhur me qëndrueshmërinë e tokës për sigurinë e ndërtesave në zonën e Zharrëzës. Është arritur në konkluzion shkencor se nuk ka rrezik të shkatërrimit të strukturës së tokës në sipërfaqe dhe shtëpitë mund të vazhdojnë të ndërtohen në të njëjtin vend ku janë sot.

6. Bashkia në bashkëpunim me Drejtorinë e Emergjencave Civile ka bërë një vlerësim paraprak të gjendjes së dëmeve të shkaktuara dhe janë verifikuar dëme në 508 shtëpi. 70 prej tyre janë konsideruar për ndërhyrje të menjëhershme për sistemim të banorëve përkohësisht, riparim të dëmtimeve dhe ndërtim të banesave të reja kur ato janë të pabanueshme.

7. Bashkia është në përfundim të një vlerësimi përfundimtar për këtë gjendje dëmesh dhe do ta dërgojë menjëherë pranë Prefektit të Fierit e më tutje, të ndjekë rrugët ligjore me procedurë të përshpejtuar për ndërhyrjen dhe sistemimet e mësipërme. Një pjesë e familjeve, 7 prej tyre janë sistemuar tashmë në mënyrë të përkohshme nga Bashkia.

8. U dakordësua që të merren masa për përmirësimin e mjedisit dhe të operimit në fushat e naftës brenda standardeve mjedisore duke mos shkaktuar ndotje si në sipërfaqet bujqësore ashtu edhe në ujërat e pijshëm nëntokësore.

9. Autoritetet e pranishme ju kërkuan përfaqësuesve të komunitetit të Zharrëzës të ndërpritet greva dhe të bashkëpunohet për zbatimin e planit të masave të urdhëruara nga Kryeministri dhe masave të tjera të rënë dakord në këtë takim. Përfaqësuesit e komunitetit ranë dakord për angazhimin e tyre për ndërprerjen e grevës.

energjia.al  23.02.2017