Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazsjellësi IAP fillon për 2-3 vite

Punimet për ndërtimin e gazsjellësit adriatiko-jonian mund të fillojnë në harkun e dy-tre viteve të ardhshme, deklaroi ministrja malazeze e ekonomisë, Dragica Sekulic, e cila ndodhet në Baku gjatë punimeve të takimit të tretë ministerial të këshillit  të korridorit jugor të gazit.

Në këtë takim, Shqipëria përfaqësohet nga zëvendës Ministri i Energjisë, Ilir Bejtja.

Gazsjellësi adritiko-jonian ndërkohë është një degëzim i gazsjellësit Trans-Adriatik. Ky i fundit do të çojë gazin azer në Europën perëndimore nëpërmjet Italisë.

Vendet e Ballkanit ndërkohë kërkojnë të përfitojnë, dhe për këtë arsye kanë rënë dakord në ndërtimin e gazsjellësit adriatiko-jonian, që do të transportojë gazin azer nga Shqipëria, më lart në mal të Zi, Split të Kroacisë, e deri në Slloveni.

Gjatë ditëve të fundit janë bërë përpjekje të shumta edhe në nivel të lartë për të përshpejtuar procesin e ndërtimit të këtij gazsjellësi. Në Kroaci ky projekt është në një fazë të avancuar dhe konkrete, ndërkohë që pritet vetëm implementimi.

Në Shqipëri dhe Mal të Zi, projekti është ende në faza përgatitore tha ministrja malazeze në Baku të Azerbajxhanit ku është e pranishme së bashku me zëvendës ministrin shqiptar të energjisë.

“Ne po mbarojmë planifikimin dhe dizejnimin, dhe shpresojmë se në dy ose tre vite të jemi gati për të nisur punimet”, nënvizoi ajo.

“Ky është një ndër projektet me prioritet të lartë për Europën dhe ne do të bëjmë maksimumin”,shtoi ajo. Vendet e Ballkanit perëndimor shpresojnë shumë të ky gazsjellës duke qënë se janë të varfra në burime të gazit natyror dhe aktualisht janë të varura tërësisht nga gazi rus.

Kapaciteti i këtij gazsjellësi do të jetë prej 5 miliardë metër kub gaz në vit. “Tap” ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi për ndërtimin e këtij gazsjellësi me disa kompani si dhe me qeverinë shqiptare. Takimi ministerial i Bakut u çel nga presidenti azer, Aliyev.

Scan Tv,  23.02.2017