Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Me Zharrëzën po spekulohet, janë marrë masa

Replika në Kuvend e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri pas fjalës së deputetit Ben Blushi

Kjo është dëshmi e njohurive të dobëta që ke, aq sa i kërkon Parlamentit të ndryshojë udhëzimin e KQZ-së. Je një njeri i cili do që të bëhesh i madh, do të marrësh një parti si LIBRA e ta bësh faktor politik por duhet ta kuptosh se nuk ka gjë më absurde që të mendosh se ne nuk duam që të lëmë të konkurosh apo që ligji do të të pengojë që të konkurosh. Ne ku ta gjejmë që ti të konkurosh e të provosh që romanticizmi yt, poezia jote shtetare nuk do të ketë asnjë vlerë për elektoratin shqiptar.

Po i shohim të gjithë edhe spekulimet që po bën me Zharrëzën. Të kam dëgjuar se fatkeqësisht nuk ndodhesha këtu seancën e kaluar. Po bën një spekulim të pastër që nuk të çon kurrkund. Një njeri që pretendon që ka qenë ministër apo që pretendon që partia e tij ndonjëherë do të jetë pjesë e qeverisjes, nuk mund të bëjë deklarata të tilla. Qeveria shqiptare ka zbatuar çdo masë të mundshme në dobi të qytetarëve por duke mos vënë në dyshim edhe investimin që kryhet në sektorin hidrokarbur. Ne pezulluam injektimin e ujit teknologjik edhe pa qenë të sigurtë se ka lidhje shkak-pasojë mes injektimit në tokë dhe lëkundjeve që shkaktohen. Sa për ta ditur shqiptarët, vetëm kjo i kushton ekonomisë shqiptare 1600 fuçi minus në ditë, gati 20 milion dollarë. Kemi pezulluar prodhimin atje vetëm e vetëm që të investigojmë siç duhet, nëpërmjet ekspertizës ndërkombëtare dhe të gjithëpranuar se a ka lidhje fenomeni hidrokarbur me tërmetet.

Këto nuk janë dëshira! Vjen ti dhe do të bësh politikë, shkon aty takon ca njerëz. Në grevë urie mund të hyjë kushdo për shumë lloj çështjesh por një qeveri duhet të mbajë në ekuilibër interesin publik dhe interesat e qytetarëve duke mos dëmtuar as ekonominë. Grupi i punës ngritur për këtë çështje ka reaguar menjëherë.  U pezulluan veprimet hidrokarbure në atë zonë duke i shkaktuar edhe dëm ekonomisë shqiptare por gjithësesi një vendim në dobi të qytetarëve. Janë marrë vendimet e duhura që është vlerësimi nga ana e emergjencave civile për dëmet që janë bërë aty dhe masat emergjente që duhen për të evakuar qytetarët nëse kanë nevojë. Disa nga ata nuk pranojnë të dalin. Si është kjo? Është mirë që ata nuk pranojnë të dalin edhe kur emergjenca civile shkon dhe i thotë që duhet të vlerësojmë shtëpitë nëse janë të banueshme apo jo, nëse ka rrezik?!?!

U kemi pezulluar aktivitetin në atë zonë dhe nuk ka më shkak për të qenë ajo pasojë pavarësisht se termete mund të ketë pasi mund të jenë natyrale. Atëherë çfarë mund të bëjë më tjetër qeveria?! Ndërkohë, për të informuar publikun, ne po përzgjedhim një institut ndërkombëtar sepse këto janë procese të vështira. Janë fenomene shkencore këto, nuk janë si ato poezitë e tua, vjen bën ndonjë rrëfenjë këtu dhe do të krijosh shtet. Nuk bëhet shteti kështu mo!!

Ti si LIBRA mendon se përfaqëson shtresën intelektuale se kështu të kam dëgjuar të thuash. Njerëzit që pretendon ti që do të dëgjojnë dhe do të shkojnë mbrapa kështu i bëjnë lidhjet shkak-pasojë?! Apo siç thua këtu i kërkoj rilindjes të ndryshojë udhëzimin e KQZ-së?! Blush mos bëj spekulime të tilla! Unë i bëj thirrje atyre banorëve të mos përdoren politikisht. Ne do të bëjmë zgjidhjen më të mirë të mundshme për qytetarët. Nëse vërtetohet se ka lidhje shkak-pasojë për shkak të operacioneve hidrokarbure, banorët do të dëmshpërblehen dhe aty nuk do të ketë më operacione hidrokarbure.

Sot që flasim, pavarësisht dëmit ekonomik që i shkaktohet ekonomisë, kemi hyrë edhe në konflikt financiar me ta. Më përpara, këto fenomene ishin por asnjë zotëri këtu nuk guxonte ta ngrinte këtë problem, aq më tepër të pezullonte operacionet hidrokarbure duke i shkaktuar dëm edhe ekonomisë shqiptare vetëm për të adresuar shqetësimin e banorëve. Asnjë nuk e ka bërë këtë. Përkundrazi, kjo qeveri e bëri. Të them se nëse do të bëhesh politikan merru një çik më shumë me prozë politike, jo me poezi.

Faleminderit,

energjia.al  17.02.2017