Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shkupi me nivel alarmant të ndotjes së ajrit

makine_tym

Shkupi është qyteti më i ndotur në Maqedoni. Ekspertët thonë se në disa raste, shkalla e grimcave të pluhurit ka arritur edhe në mbi 1,200 PM10 mikrogramë për metër kub.

Kryetari i bashkisë, Koce Trajanovski, tha se duhet të ulet qarkullimi i automjeteve private.

Nevena Smilevska nga shoqata ekologjike “Eko Vetëdija”, thotë se në ndotjen e ajrit, rol të madh kanë lëndët djegëse që përdorin amvisëritë, andaj ka kërkuar që autoritetet shtetërore të ndajnë mjete sa i përket efikasitetit energjetik, duke subvencionuar izolimin e banesave të vjetra.

“Para së gjithash, autoritetet shtetërore duhet të fokusohen në efikasitetin energjetik, të objekteve të banesave për çka ka më shumë fonde edhe nga Bashkimi Europian, të cilat janë të pashfrytëzuara. Pastaj qytetarët duhet të vetëdijesohen për shfrytëzimin e energjisë diellore, për çka shteti ndan subvencione, por shumë pak punohet në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në këtë drejtim”, tha Smilevska.

Shoqata ekologjike “Go Green” thotë se me ndërtimin e projektit Shkupi 2014 për katër herë janë zvogëluar hapësirat e gjelbra në kryeqendër, duke theksuar se “nuk ka logjikë që të priten drunjtë në interes të mafies urbane, përderisa shkalla e ndotjes së ajrit është në rritje”.

Organizatat ekologjike, duke komentuar mosreagimin e autoriteteve të shtetit për shkallën në rritje të nivelit të ndotjes së ajrit, thonë se nevojitet një aktivizim më i madh i sektorit civil për të ngritur vetëdijen e drejtuesve të institucioneve për t’iu qasur me seriozitet problemeve me ndotjen e ambientit jetësor dhe jo t’i neglizhojnë ato.

“Kemi të bëjmë me mungesën e vetëdijes te politikanët, jo vetëm tek këta që janë aktualisht por në përgjithësi për të gjykuar drejt lidhur me këto tema, le të themi moderne të kohës. Më shumë organizata joqeveritare, të cilat veprojnë në fushën e mbrojtjes së mjedisit, të bëjnë presion më të madh tek autoritetet shtetërore, që të vetëdijesohet politika sepse politika është ajo që merr vendime dhe jo qytetarët”, thotë për Radion Europa e Lirë, Arianit Xhaferi nga shoqata ekologjike EKO Guerila.

Ndaj shkallës së lartë të ndotjes së ajrit në Shkup dhe disa qytete të tjera të Maqedonisë ka reaguar edhe ambasada për fëmijë në Shkup “Megjashi”, duke theksuar se “fëmijëve u është cenuar e drejta elementare, ajo për të jetuar”.

Ata u janë referuar të dhënave që kanë dalë nga hulumtimi i kryer nga Banka Botërore, ku thuhet se ndotja e ajrit në Maqedoni për çdo vit vret nga 1350 persona.

“Një në dy fëmijë vitin e kaluar është kuruar nga sëmundjet respiratore të cilat më së shumti janë pasojë direkt nga ajri i ndotur. Fëmijët janë më të goditurit, veçanërisht në sezonin e ngrohjes kur përqendrimi i grimcave rritet”, theksohet në reagimin me shkrim të ambasadës për fëmijë në Shkup “Megjashi”.

Edhe Instituti për Shëndetit Publik thotë se rritja e nivelit të ajrit të ndotur ka rritur dhe numrin e pacientëve të cilët vuajnë nga sistemi respirator.

Revista Monitor,  09.02.2017